“Lulëzo, aty ku je mbjellë”

Jul 12 • Meditimi i ditës

12 korrik 2020 – E diela 15-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Is 55,10-11; Ps 65,10-14; Rom 8,18-23; Mt 13,1-23)

 

Prania e Hyjit

I dashur Zot, më ndihmo që të jem i/e hapur ndaj teje,
gjatë kësaj kohe po i vë mënjanë shqetësimet e kësaj bote.
Mbushe mendjen time me paqen tënde, me Dashurinë Tënde.

 

Liria

 O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.

Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 


Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 


 

Mt 13, 1-23
1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.

3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.

Kështu u tha:

4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”

11 Ai u përgjigj:

“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:

Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,

mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.

15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,

u bë i rëndë ndër veshë,

sytë i janë mbyllur,

që të mos shohë me sy,

të mos dëgjojë me veshë,

që të mos kuptojë shpirti i tyre

e të mos kthehen.

E unë i kisha shëruar!”

16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”

 

18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”


 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi barkën e bëri një predikatore duke shpallur fjalën e Hyjit nga ky vend i pazakontë. Fjala e Zotit është e shpërndarë në jetën time – nganjëherë lulëzon, nganjëherë duket se po venitet.
  • Mendoj për faktin se ku jam mjaft i/e fortë dhe e marr para sysh sesi mund të jap dëshmi për mirësinë e Zotit nga ai vend, ashtu si Jezusi zgjodhi vendin më të mirë nga i cili bëri të dëgjohej zëri i tij.
  • Shëmbëlltyrat e Jezusit mund të na shërojnë dëgjimin dhe të kuptuarit se si gjërat qëndrojnë ndërmjet Zotit dhe nesh. Kur ta dëgjosh edhe një herë pjesën e ungjillit, vë re se si shëmbëlltyrat janë kokrra hiri që e testojnë gatishmërinë e zemrave tona për t’iu nënshtruar bujarisë së Zotit.

 

Bashkëbisedimi

“Ai që ka veshë, le të dëgjojë”. Kjo vlen për mua.

Kur të lutem, a jam tokë me zemër të hapur ndaj Jezusit dhe mësimeve të tij?

A jam i/e gatshëm/e ta lejoj Fjalën e tij të hyjë në zemrën time shpesh të mbyllur?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »