Hollerich për Fondin e Rimëkëmbjes: kjo është Europa e solidaritetit

Jul 23 • INTERVISTË

Pas miratimit të Fondit të Rimëkëmbjes nga Bashkimi Europian, komenti i kardinalit Jean Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Europian (COMECE), i cili shpreh vlerësimin e tij për vendimin, që do t’i ndihmojë vendet aëtare të kapërcejnë krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Europa ka hyrë në rrugën e solidaritetit, pohon kardinali.

              

Marrëveshja historike për Fondin e Rimëkëmbjes, të ashtuquajturin “Recovery Fund”, e arritur nga krerët europianë, pas bisedimeve të vështira, që zgjatën katër ditë e katër netë, është vendim i rëndësishëm jo vetëm për ndikimin konkret në daljen nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe për të ardhmen e Bashkimit Europian, i cili, kësaj radhe, gjeti një mënyrë e re për të administruar marrëdhëniet ndërmjet vendeve anëtare. Fondi i Rimëkëmbjes ka një buxhet prej 750 miliardë eurosh, nga të cilat 390 miliardë ndihma falas dhe 360 ​​miliardë kredi. Shtetet përfituese duhet të fillojnë pagimin e kredive brenda vitit 2027.

 

Europa e solidaritetit

Edhe për kardinalin Jean Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Europian (COMECE), rezultati i arritur nga Brukseli është pozitiv. Në një intervistë për Vatican News, ai nënvizon se ky është hap i rëndësishëm i Europës drejt logjikës së solidaritetit, që me siguri do të pasqyrohet edhe përtej kufijve kontinentalë.

 Mund të themi se Europa zgjodhi solidaritetin, megjithëse u bënë përpjekje të mëdha për të mbërritur në këtë pikë. Jam i kënaqur që ia arritën të 27-a vendet. Bashkimi Europian duhet ta shprehë solidaritetin – është në natyrën e tij. Është pjesë e ADN-së së Bashkimit Europian. Mendoj se Europa ka disa probleme sot: ajo nuk është më qendra ekonomike e botës bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bota ka ndryshuar dhe mendoj se kriza e Covid-19 e ka përshpejtuar këtë ndryshim. Ne do t’i vuajmë akoma pasojat e kësaj pandemie, por shpresoj, veçanërisht për të rinjtë, që e gjithë kjo t’u japë mundësinë të kenë jetën e tyre, në paqe e gjithnjë me vetëdijen se duhen ndihmuar të tjerët.

 

A është i rëndësishëm roli i Kishave në këtë çast?

Po, sepse ne duhet të jemi gjithmonë në anën e më të varfërve. Duhet të shprehim solidaritetin tonë, duhet t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë. Në këtë kuptim, personalisht, jam tejet i kënaqur që kemi tani këtë ndihmë për vendet e prekura më shumë nga pandemia, pra, për Italinë, Spanjën dhe Francën. Ndihem thellësisht evropian dhe nuk mund ta imagjinoj një Europë jo solidare. Të gjithë po kalojmë të njëjtën situatë. E, mendoj se ndihma për të tjerët do të jetë bekim edhe për ekonominë e atyre, që ndihmojnë.

 

Europa është në vështirësi për shkak të pandemisë. Në këtë gjendje, a do të mund të presë si duhet ata, që trokasin në kufijtë e saj, në kërkim të një jete më të mirë, emigrantët?

Edhe kjo është temë shumë e rëndësishme për mua, sepse është e lehtë të japim tepricat. Ne të krishterët duhet të bëjmë më shumë. Jemi të thirrur të ndajmë gjithçka nevojitet për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Dje në shtëpinë time, prita një familje irakiane. Gjatë kësaj kohe pandemie, ata bënë maska ​​për shumë njerëz të tjerë. Është ide shumë e bukur dhe dëshmon se Europa mund të përfitojë shumë, nëse dhuron diçka. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »