A mos kam ambicie të imëta?

Jul 25 • Meditimi i ditës

25 korrik 2020 – E shtunë, Shën Jakobi apostull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Kor 4,7-15; Ps 126,1-6; Mt 20,20-28)

 

Prania e Hyjit


O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 


 

Mt 20, 20-28

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi e vë në pyetje atë që mund të duket e përditshme dhe e zakonshme, dhe çka është e arsyeshme të pritet. Afërsia me Jezusin nuk garanton promovim, pozitë apo miratim njerëzor. Do ta lus Jezusin që të më ndihmojë që t`i heq qafet ambiciet e imëta.
  • Sinqeriteti i kësaj nëne e ka nxitur Jezusin që drejtpërdrejt t`i përgjigjet pyetjes së saj. Do të sillem sipas shembullit të saj dhe të bisedoj me Jezusin qartë dhe hapur duke dëgjuar përgjigjen e tij të qartë dhe të hapur.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi thotë se ai nuk erdhi të shërbehet, por të shërbejë. Ai dëshiron që unë ta përdor talentin tim në shërbim të të tjerëve. Sa jam në dispozicion të tij?

Ne jemi këtu për t’iu shërbyer të tjerëve, e jo për t`u kënaqur në komoditet, rehati dhe lavdi. Sa më shumë përjetojmë të mira më të larta, aq më shumë na duhet t’iu shërbejmë vëllezërve dhe motrave të Jezusit në nevojë.

O Zot, ma jep një zemër bujare të gatshme për të shërbyer.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »