Një ish ateist bëhet prift katolik

Jul 25 • Kisha në botë

Nga Sherin Vincent

 

Në mesin e seminaristëve të Mundelein të shuguruar këtë vit është edhe diakoni Benjamin Johnson, nga Dioqeza e Green Bay, Wisconsin, i cili dikur ishte një i ri ateist. Ai u shugurua prift më 9 korrik në Katedralen e Shën Françesk Ksaverit, në Green Bay, nga Ipeshkvi imzot David L. Ricken.

At Johnson, në vitet e tij të rinisë, kishte një fe të lëkundur dhe vuri në dyshim madje edhe ekzistencën e Zotit. Sidoqoftë, ai rizbuloi fenë e tij gjatë studimeve në liceun e Akademisë së Lurdit në Oshkosh. Kjo ishte koha kur i riu Johnson filloi të mendonte seriozisht për qëllimin e jetës së tij dhe për të ardhmen e tij.

Duke menduar se thirrja e tij e jetës do të mund realizohej në atë drejtim ku ishte më i mirë, që ishte matematika dhe shkenca, ai shkoi në Shkollën e Inxhinierisë në Milwaukee. Por Provania e Zotit e largoi atë nga kjo përfundimisht. Dëshira e tij e zjarrtë për t’u bashkuar më ngushtë me Zotin dhe për t’ju ndihmuar njerëzit në nevojë, i hapi zemrën për mundësinë e përqafimit të rrugës së priftërisë. Ndërsa ishte në Milwaukee, ai u njoh dhe u shoqërua me At Daniel Schuster (ish drejtor i pastoralit të thirrjeve për Dioqezën e Green Bay), i cili e ndihmoi të ta shqyrtonte mirë thirrjen e tij.

Gjatë kësaj përvoje shqyrtimi të thirrjes, At Johnson vendosi ta bënte një kapërcim në jetën e tij dhe hyri në Seminarin e Zemrës së Papërlyer të Marisë në Winona, Minnesota, për të bërë një ecje praktike dhe të afërt me Zotin. Me kalimin e viteve, në seminar mori përgjigjen që po kërkonte për kuptimin e jetës së tij.

Duke u frymëzuar nga shenjtori i tij i preferuar, Shën Injaci i Lojolës, atij i lind dëshira t’i shërbejë me gjithë zemër Zotit dhe të jetojë për të tjerët. Pasi shugurohet meshtar, emërimin e parë si prift At Johnson do të jetë zv/famullitar në Famullinë e Shën. Françeskut të Asizit, në Manitowoc, Wisconsin, bashkë me At Doug LeCaptain, i cili është famullitar. Në të njëjtën kohë ai do të shërbejë si kapelan në Shkollën e Lartë Roncalli në Manitowoc./drita.info

 

Burimi: https://www.shalomworld.org/

Përktheu prej anglishtes: Donika Selitaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »