Bota e të rinjve: raporti me nënën

Jul 26 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Raporti amnor i vetëm nuk është i mjaftueshëm që te fëmija të zhvillohen të gjitha ndjenjat e as të kristalizohet dyshimi mes dashurisë dhe urrejtjes, një gjë që do të mund të zgjidhet në mënyrë racionale. Nëna dhe fëmija mbase mund të bashkëndajnë ndjenjat, por nuk janë të aftë t’i analizojnë ato në mënyrën racionale. Vetëm kur fëmija arrin të ketë një raport ndryshe me nënën dhe atin, atëherë do të fillojë të bëhet autonom. Nëse ndalet vetëm në raportin me nënën, shpejt do të zbulojë se kjo linjë shpesh është e zënë, përkatësisht nëna nuk ka vesh apo kohë për disa gjëra. Për këtë arsye prania e atit nuk është vetëm një dekorim, që nëna sipas tekeve të saja mund ta largojë, apo të cilën i ati vetë do të mund të heq dorë vullnetarisht, por është një kusht për individualizim.

Ai fëmijë që është bërë robërues vetëm i simbolit të nënës, ai do të aspirojë imagjinatën në vend të eksperimenteve reale për të provuar aftësitë e tija komunikative. Për këtë arsye është e vështirë për vajzën të bisedojë me nënën. Për të dal nga ky qorrsokak, ajo do të duhej të investojë angazhim shtesë psikik për të kompensuar atë që prania e atit do t’i kishte dhuruar thuajse në mënyrë të pavërejtshme. Kjo rrethanë është shkak se të rinjtë janë të lënduar: ata zakonisht e kanë figurën prindërore të pakompletuar dhe të çarë. E theksojmë se te dyja figurat, jo vetëm të atit që mungon, por edhe të pranisë së nënës, janë figura të pakompletuar dhe të çara. Nuk mund të ngushëllohemi se në “supermarketin e identifikimit” mund të gjenden idealet në figurat e ndonjë aktori apo heroi. Këtë optimizëm nuk e provojnë hulumtimet klinike. Fëmija ka nevojë edhe për nënën edhe për atin, kështu që një fëmijë pa të atin përherë është i lënduar. Ajo grua që e do vetëm fëmijën pa të atin, ajo merr diçka të rëndësishme nga jeta e fëmijës. Një fëmijë i tillë do të rritet si një pranë pasqyrës: vetveten do ta sheh përherë vetëm tek nëna dhe nuk do të dijë si dhe kur do të mund të dal nga kjo lidhje. 

Adoleshentit do t’i duhej të ballafaqohet edhe me një problem tjetër gjatë procesit të autonomisë: i duhet ta përballojë një krizë shpirtërore. Se për çfarë bëhet fjalë, ta lëmë të na ilustroi shembulli i mësipërm. Vajza kështu e përshkruan ankthin e saj: “Për sa i përket të ardhmes, nuk e shoh vetëm as si nënë as si grua. Kur mendoj se do të mund të kisha fëmijë, menjëherë e mendoj edhe atë se nuk e dua një at afër tij; porse, meqë e di se ka nevojë edhe për at(ë), më mirë heq dorë nga martesa. E shoh vetën si nënë pa burrë dhe si grua pa fëmijë. Në thellësinë e shpirtit nuk jam e aftë t’i pajtoj këto tri realitete: gruan, bashkëshorten dhe nënën. Gjitha këto që tani po i flas, nuk janë krejt negativitet; flas për të gjitha këto sepse dua që të përballem me të ardhmen dhe të realizoj një lidhje të kuptimtë.”

Duke i përmbledhur shqyrtimet e deritanishme mund të themi se i ati dhe nëna e kanë një rëndësi themelore për zhvillimin psikik të fëmijës. Duke ju falënderuar marrëdhënieve ndaj tyre krijohen ato fije të cilat garantojnë unitet dhe ndjenjë për realitetin, përkatësisht identitetin personal. Nëse njëri prej prindërve do të mungojë, për fëmijën do të jetë shumë vështirë të ndërtojë unitetin e brendshëm. Megjithatë duhet të shtojmë se vetëm prania e tyre, përkatësisht mungesa e të atit në jetën e fëmijës, nuk është një shpjegim i mjaftueshëm për të gjitha problemet zhvillimore. Jo të gjithë ata fëmijë që janë rritur pa të atin do të bëhen të rritur problematik, dhe e kundërta, jo të gjithë fëmijët që vijnë nga familje të rregullta automatikisht do të bëhen harmonik, të pjekur dhe persona të rritur./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »