Besimi zhvillohet me shpejtësinë e vet

Jul 27 • Meditimi i ditës, Teologji

27 korrik 2020 – E hënë, Shën Joakimi dhe Ana, prindërit e Zojës Bekume, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 13, 1-11; Ps: Lp 32, 18-21; Mt 13, 31-35)

 

Prania e Hyjit
O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

—————————————————————-

Mt 13,31-35

31 Pastaj /Jezusi/ u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.”

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit:

‘Do të flas në shëmbëlltyra,

do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

——————————————————

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi të Shenjtë

  • Hyji e mbjell farën dhe e lë të zhvillohet me shpejtësinë e vet. Hyji nuk kërkon pjekurinë vrik e vrik të personit: që prej një personi të parritur të bëhet person i pjekur as që një njeri i ri menjëherë ta posedojë urtësinë e një personi të rritur apo të një plaku.
  • Fara është mbjell thellë në tokë, kurse toka e thellë është fryt i punës së të tjerëve. Ne varemi njëri nga tjetri për rritjen tonë në fe, në besim, në lutje, dhe zbulojmë se Hyji “rritet” në ne, në dheun e dashurisë, mëshirës, faljes dhe miqësisë.

 

Bashkëbisedimi

Kur e përshkruan Mbretërinë e Qiellit, Jezusi shpesh përdor imazhe të vogëlsisë. Me anë të mrekullive të krijimit, Zoti siguron ujë të gjallë dhe rrezet e diellit, në mënyrë që një farë shumë e vogël të rritet, që zogjtë e qiellit të pushojnë në degët e saj.

O Zot, më ndihmo ta drejtoj zemrën time së pari kah Mbretëria e qiellit. Më thërret ta provoj plotësinë e jetës që dëshiron të ma jepësh. Ti më do pa kushte dhe më ruan të rrënjosur në besim, në mënyrë që të rritem në njohuri duke ndier dashurinë tënde të madhe për mua.

Hiri i yt vepron në mua duke më nxitur që të dua të tjerët ashtu siç më do ti mua.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«