A e falënderon Zotin që mund të bësh mirë?
28 korrik 2020 – E marte, Shën Alfons Liguori, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Dal 33,7-11; 34,5b-9.28; Ps 103,6-13; Mt 13,36-43)
Prania e Hyjit
Para se të fillosh tërheqjen tënde shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.
Qetësohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,
i cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.
Liria
Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit e Shenjtë që është parashikuar për sot.
Dëgjoj me mend e zemër
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Mt 13,36-43
36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën:
“Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”
37 Ai u përgjigj:
“Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. 40
Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.
Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Jezusi përdor imazhin e arës për të shpjeguar praninë e së mirës dhe së keqes në botë dhe për të treguar se si këto forca manifestohen në fundin e kohës. Farën e mirë e mbjellë Jezusi, që me dritën dhe dashurinë e tij më ndihmon të rritem në mënyrë që të mund të jap shumë fryt, dhe të shkëlqej si dielli në Mbretërinë e Qiellit.
- Shpreh falënderimet e mia për frytet e besimit dhe mirësisë me anë të të cilave Jezusi vepron në jetën time. Ia paraqes të gjitha dobësitë që mund të pengojnë rritjen time si fëmijë i Hyjit. Ndërsa e dëgjoj sërish pjesën e ungjillit, në dritën e dashurisë së madhe të Krishtit ndaj meje, lutem për faljen e mëkateve.
Bashkëbisedimi
“Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet.” Jezusi thotë se Zoti do të zgjidhë gjithçka në fund. Në ndërkohë, ne nuk duhet të na rritet mendja që jemi gjyqtarë sepse nuk mund ta ndajmë grurin nga egjra.
E vërej se Jezusi i quan të lum jo ata që duken të lum në sytë e botës – fitimtarë do të thoshim – por ata që bota i konsideron humbës. Gjykimi përfundimtar mund të vijë si një surprizë e madhe për “fituesit” dhe “humbësit”.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
O Zot i mirë, ma hap zemrën dhe bëj që hiri yt të më befasojë dhe bëj t`i shoh fëmijët e tu në fytyrat e të gjithëve që i takoj. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.