Motra Ruth, “Nënë Tereza” e të harruarve të Pakistanit

Jul 28 • Kisha në botë

Historia e murgeshës, e vdekur nga Covid-19, sepse nuk deshi t’i lërë vetëm “fëmijët e saj” të gjymtë, la gjurmë të thella në historinë e Pakistanit e në zemrën e çdo njeriu, që pati fatin ta njohë. Prandaj qeveria e Karachi-t i akordoi çmimin “Sitara-e-Imtiaz”(Vlerësim për merita të veçanta).

 

Është një nga dekoratat civile më të rëndësishme në Pakistan, që i akordohet nga Presidenti qytetarëve të dalluar për vlera fisnike. Sivjet Civil Award iu akordua murgeshës, që shumëkush e quan “Nënë Tereza e Pakistanit”. Ç’vlerësim i madh dhe për shqiptarët, që i dhuruan botës Gruan më të madhe të shekullit! Gruan me sarin e të varfrave të Indisë, e me sandalet  e shpartalluara nga ecja nëpër shtigjet më të mjeruara të botës pa fund! Gruan-simbol i mirësisë. Pakistani e krahasoi Motrën Ruth, pikërisht me Nënën tonë, Shën Terezën, për ta lartuar figurën e saj. Gjë që vlen më shumë se çdo dekoratë!

 

Kush ishte Motra Ruth

Motra Ruth Lewis, françeskane e Kongregatës së Krishtit Mbret, ishte një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile kombëtare, krenari për katolikët pakistanas, si për shqiptarët Nënë Tereza. Motra françeskane  vdiq më 20 korrikun e kaluar nga koronavirusi, ndërsa  ndihmonte  21  të rinj, edhe ata të prekur nga Covid-19. Pati kaluar 51 vjet pranë tyre, në shërbim personal, amëtar e të devoçëm, duke u dhënë edhe ndihmat më të përvuajtura, domethënë duke i larë, duke ua ndërruar panolinat e duke u qëndruar pranë, ashtu si Nënë Tereza të gërbulurve të saj, të mbuluar me plagë. Në motivacionin e dekoratës kujtohen veprat e saj bamirëse e jeta e saj, që nuk qe e saja. Ia pati dhuruar të ligshtëve të shoqërisë, duke iu përgjigjur së njëjtës ftesë, drejtuar Nënë Terezës. Thirrjes së Krishtit: “Kam etje!”. Etje për shpirtrat!

 

Nëna e të harruarve, që nuk do të harrohet kurrë!

I mbylli sytë në kulmin e pandemisë, Nëna e të harruarve, që nuk do të harrohet kurrë! Në strehën, që e kishte themeluar ajo vetë, me ndihmën e donatorëve e mbështetjen e qeverisë, në vitin 1969, së bashku me motër Gertrude Lemmens. E quajti “Shtëpia e paqes” në Pakistanin, që sot numëron 270 mijë të prekur e 5.000 të vdekur nga pandemia. Ndërmjet  të cilëve, edhe ajo vetë.  Aty kaloi ditë e netë, mbi kokën e të rinjve të saj, me të meta të rënda fizike e mendore. Duke pushuar natën në një kthinë të ndarë me perde nga “të bijtë”. Aty iu ngjit sëmundja vdekjeprurëse, duke mjekuar njëzet të sëmurë. I pati shpëtuar ajo vetë nga rruga, e donte t’i shpëtonte edhe nga sëmundja. Për t’i rikthyer në një jetë të denjë për njeriun. Ndaj nisi t’u hapte edhe horizontet e sportit e të artit. Duke ua dhuruar jetën deri në fund të fundit.

 

Motra Ruth, në kujtimet  e Atë Feroz

Atë Qaisar Feroz, françeskan kapuçin, sekretar ekzekutiv i Komisionit ipeshkvor për komunikimet shoqërore, që punoi dy vjet përkrah motrës Ruth kur ishte seminarist, e kujton  kështu:

“Të shikonte me sy ungjillorë e dashuria e saj ishte  dëshmi e gjallë e dashurisë për Zotin e për çdo krijesë të Tij. Vetëm një dashuri e tillë mund ta mbajë në këmbë njeriun, që bën çka bëri Motra françeskane, e cila la një zbraztësi të ndjeshme në Pakistan, gjë që e ndjejnë edhe autoritetet pakistaneze. Aq sa kryeministri Sindh, së bashku me drejtuesit e partisë së tij popullore pakistaneze, jo vetëm që i pagoi shpenzimet e mjekimit të Motrës, por vijon të interesohet për  ‘fëmijët e saj’”.

Qeveria e Sindh dha një ndihmë prej 25 milionë rupiesh pakistaneze (rreth 130 mijë euro) për t’i ndihmuar 19 të sëmurët me coronavirus, që strehohen në Qendrën e Motrës Ruth, ku vijon të jetojë në zemrën e të harruarve, që nuk do ta harrojnë kurrë atë, e cila dhuroi jetën, që të kishin jetë! (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

«