Bota e të rinjve: Raporti mes vëllezërve dhe motrave

Jul 29 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

E konsideroj të dobishme të nis këtë pjesë të analizës me një deklarim: për asnjë çast nuk dua të vë në pikëpyetje vlerën e familjes me shumë fëmijë. Porse njëkohësisht e konsideroj të nevojshme të vëzhgoj për së afërmi disa nga sloganet që promovojnë kampanje për më shumë fëmijë. Kur bëhet fjalë për numrin e fëmijëve, argumenti përqendrohet zakonisht rreth asaj se është e mirë për kombin apo për të mirën psikologjike të vëllezërve dhe motrave, duke i nënvizuar shembujt negativ të një fëmije të vetëm. Pikërisht këtë fenomen do të donim ta vëzhgojmë paksa më detajisht nga pikëvështrimi psikologjik. Nuk ka dyshim se numri i vëllezërve dhe motrave ka një rol të caktuar në formimin psikologjik të fëmijës, por ky ndikim afërmendsh se nuk është vendimtar. Vëllezërit dhe motrat e nënkuptojnë një mundësi për marrëdhënie reciproke dhe nga ky pikëshikim psikologët kanë treguar interesim për mundësinë e ndikimit të rendit të lindjes në zhvillimin e mëvonshëm të fëmijës. E dimë nga jeta e përditshme se vëllezërit e vegjël apo motrat krijojnë një lidhje të ngushtë me vëllain e madh apo motrën e madhe. Le t’i shohim disa variante.

Tipari i të parëlindurit konsiderohet zakonisht si fëmijë i dëshiruar, të cilit prindërit ia kushtojnë një kujdes të pakursyer. Por me ardhjen e vëllezërve dhe motrave ai privohet nga pozita e tij e privilegjuar, dhe në këtë rast mund të shfaqet zilia. Porse, njëkohësisht ka edhe përparësi, nëse prindërit e nxisin në përgjegjësi, sepse ai është “vëllai i madh apo motra e madhe”, gjë që mund t’ia përshpejton procesin e pjekurisë.

Fëmija i dytë, po ashtu ka shanse të mira nëse hy në një situatë të rregulluar familjare të prindërve që tashmë e kanë një përvojë të caktuar edukative, kështu që me edukimin e tij ata merren me një qëndrueshmëri dhe qetësi. Njëkohësisht mund ta përcjell rivaliteti i vëllait. Është e mjaftueshme të kujtojmë vëllain e vogël në shëmbëlltyrën ungjillore mbi djalin plëngprishës.

Fëmija i vogël apo ai i fundit në renditje, e përcjell një rrethanë e re; shpesh vjen si një bekim i vonë i prindërve të moshuar, të cilin e përkëdhelin dhe e ruajnë në mënyrë të tepruar. Kjo është situata e Jozefit egjiptas, të cilit i ati e vesh me tesha të dekoruara, kurse ai vet ëndërronte se si do të bëhej më i madhi ndër vëllezërit e tij. Meqë është mi vogli në hierarkinë familjare shumë lehtë shndërrohet në një fëmijë kapriçoz dhe kërkues.

Në zhvillimin psikologjik të të vetmit fëmijë, tashmë janë shkruar një varg librash. Në fakt, ai mund të ketë të gjitha tiparet e gjendjeve të mëparshme: për shkak të kujdesit të pakusht të prindërve mund të bëhet parakohe “i rrituri i vogël”, me të gjitha pasojat pozitive dhe negative, siç janë: pasiguria në kontaktet shoqërore, egoizmi për shkak të mungesës së përvojës për të ndarë të mirat, por njëkohësisht mund të bëhet një person autonom, i cili e kupton se duhet ta formojë vet jetën.

Roli i vëllezërve dhe motrave në formimin e identitetit është i padiskutueshëm: ata shërbejnë si modele, si sfida, si shtytës, mësojnë rregullat e lojës shoqërore, vlerat familjare etj.[1] Megjithatë ato ndikime nuk janë absolute dhe përcaktuese. Personaliteti, në fakt, nuk zhvillohet në mënyrë automatike, por krijohet me punë mbi vetveten. Gjendja familjare mund të ndikojë në imazhin mbi vetveten, por nuk e themelon. Niveli më i lartë i identitetit qëndron në aftësinë për të dhënë përgjigje në të vetmen pyetje: “Kush jam unë në planin e Zotit?”. Sepse askush nuk ekziston rastësisht, por Zoti e ka thirrur gjithsecilin personalisht në jetë.

Me dëshirë do ta formulojmë një përfundim në bazë të shqyrtimeve të mësipërme ndoshta tepër skematike: nuk është i rëndësishëm aq numri i fëmijëve, sa është qëllimi i prindërve për ç’arsye i kanë aq fëmijë. Disa prindër mund të kenë vetëm një fëmijë, sepse nuk kanë mund të kenë më shumë, porse askush nuk duhet të ketë vetëm një fëmijë për shkak të egoizmit, sepse e konsideron karrierën e vet më të rëndësishme se sa fëmijët. Këtu nuk ka të bëjë vetëm me nënat por edhe me etërit! Është e rëndësishme që fëmija të jetë fryt i dashurisë, i pranuar si dhuratë e Zotit, sepse vetëm në një atmosferë të tillë familjare do të mund të rritet dhe të zhvillohet deri në plotësimin e identitetit të tij personal./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————-

[1] Khs. F. Dogana, “Dimmi il tuo ordine di nascita… e ti dirò chi sei”, në: Psicologia Contemporanea 19 (1992) N 122, 34-44.

Shpërndaje

Comments are closed.

«