Vlera estetike e fenomenologjisë së poezisë

Aug 1 • Kulturë, Letërsi

(Anton Berishaj, “Fenomenologjia e vdekjes”, Podgoricë, 2019)

 

 

Nga Ndue Ukaj

 

Historia e letërsisë tregon se shkrimtarë të mirë janë ata që dinë të bëjnë zgjedhje estetike individuale, origjinare dhe të veçanta. Ka të tillë që ia dalin dhe krijojnë universin e tyre estetik, por ka edhe të tillë që mbytën në mjegullnajën e imitimeve skematike letrare. Poeti Anton Berishaj në librin me poezi “Fenomenologjia e vdekjes” që është ribotim i librit me titull “Lule mëngjesi” (1986), ia ka dalë të bëjë një zgjedhje estetike individuale dhe origjinare, gjë që vërehet në formë, tematikë dhe sidomos në strukturën e brendshme të poezisë, në të cilën, çdo tingull, figurë, imazh, mendim është peshuar dhe menduar mirë. Duke dashur të shkruajë diçka të veçantë, autori ka arritur me mjeshtëri t’i ikë traditës së vjershërimit shqip dhe me intuitë e dije letrare ka krijuar modelin e vet cilësor dhe origjinar të ligjërimit poetik.

Poezia, sipas Harlod Bloom-it “është kurora e letërsisë imagjinare”, sepse është një mënyrë profetike e shprehjes dhe si e tillë përmban aspekte esenciale të ekzistencës njerëzore.  Ajo shfaqet nëpërmes simboleve, zërit, imazheve dhe gjuhës së kondensuar, me të cilat tipare qëmton natyrën dhe kuptimin e ontologjisë së ekzistencës, të njohjes dhe përjetimit të dukurive personale dhe impersopnale. Si e tillë, poezia e sërës së lartë te lexuesi nxitë dhe provokon përjetime të forta emocionale, intelektuale dhe kulturore, dhe njëkohësisht para tyre çel horizonte të reja për t’i kuptuar fenomenet e jetës dhe të vdekjes, të dëshirave të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, fenomene këto rreth të cilave është shkruar libri poetik “Fenomenologjia e vdekjes”.

Shprehja se asgjë nuk është e huaja për artin, gjen kuptim në vepra të mëdha, çfarë është kjo përmbledhje poetike e strukturuar në dhjetë libra dhe e kategorizuar në cikle të veçanta. Libri është shkruar me dashuri të madhe dhe me inteligjencë të pashembullt krijuese, dhe aty ndihen pulse të forta artistike dhe mendime të thella filozofike. Duke e lexuar këtë libër, lexuesi e kupton sa të drejtë kishte babai i psikanalizës Sigmund Freud, kur thoshte se: “kudo që shkoj gjej se përpara meje aty ka qenë një poet”. Në fakt, duke i dhënë këtë atribut të madh poezisë, Freud-i sigurisht mendonte te kapacitetet e poezisë dhe te intuita e poetëve për t’i shprehur dhe thënë disa gjëra në mënyrë krejtësisht origjinare dhe të papërsëritshme, ashtu siç ka bërë poeti i këtij libri. Duke ia njohur kapacitetet infinite poezisë, shkrimtari i madh T. S. Eliot, shkruante se “poezia është forma më e lartë e aktivitetit intelektual”. Te ky libër, aktiviteti intelektual është i harmonizuar mjeshtërisht me atë estetik, erudicionin letrar, tensionin e bukur poetik, ku fenomenet e jetës dhe të vdekjes, hulumtohen në dimensionet e tyre ontologjike, ku nyjëtohen kohë e hapësira, përvoja dhe gjakime, libra dhe rrëfime, e ku dukuritë e jetës, të mira e të këqija, transfigurohen dhe transformohen në dukuri estetike dhe poetike, dhe rrjedhimisht në ide dhe mesazhe intelektuale.

Kjo poezi vjen si tipologji vetë-njohje, si gnosis dhe kërkim antropologjik i ekzistencës njerëzore nëpër sferat e jetës, të raporteve ndërmjet gjësë dhe asgjësë, thelbit dhe cektësisë, madhështisë dhe shëmtisë, harmonisë dhe disharmonisë, dritës dhe errësirës, që për ekuivalencë kanë dyzimin e ankthshëm, jetë dhe vdekje. Poeti personalen mjeshtërisht e artikulon si klithmë impersonale, ankthin si kërkesë intelektuale, kurse nacionalen si thirrje universale dhe kështu tregon se “poezia nuk është art…  por qëllimi ynë antropologjik” (Josif Brodskij)

Për të sendërtuar poetikën e vet estetike, autori shfrytëzon mjeshtërisht dy elemente të fuqishme: paradoksin dhe kontrastin. Libri hapet me vargje të forta, ku jeta vihet përballë vdekjes, si dyzim, si paradoks dhe kontrast, meqë ai u këndon:

hijeve shpirtrave

dhe

L

as e vdekur

as e gjallë

         

Po ashtu, libri përmbyllet me vargje lakonike, ku përsëri kemi paradoks dhe kontrast, meqë rishtas kemi dyzimet jetë dhe vdekje:

kjo shtyllë antike

që do të thotë jetë

vdekje që do të thotë

kjo shtyllë antike

(Autobiografia)

         

Në të vërtetë, dyzimi jetë/vdekje, që është sinonim i dyzimit dritë/errësirë e përshkon në tërësi këtë poezi, ashtu siç është dyzimi dashuri/mungesë dashurie, harmoni/disharmoni. Kështu, ky dyzime, bëhet kyçi i këtij libri dhe shtrihet edhe në rrafshe historike e kulturore, filozofike e religjioze, për t’u shndërruar në një lloj paradigmë semantike e stilistike.

Poeti, me vetëdije e shtrinë qëllimin letrar dhe intelektual në fushën e domethënieve dhe kuptimeve letrare filozofike përbrenda dyzimit jetë/vdekje, në hapësirën e së cilës, jeta shtrihet në tërësinë e saj dhe shfaqet si pragu ku drita zhduket dhe shfaqet errësira. Duke e qëmtuar esencën e fenomenologjisë së jetës dhe të vdekjes, ndarja mes këtyre dy botëve ngjan me rrathët narrativ dantian, meqë gëzimi dhe trishtimi duken e zhduken, përplasen, ecin paralelisht, ballafaqohen dhe sfidohen. Dhe poeti është i vetëdijshëm se një botë antipoetike që ngarendë pas marrinave dhe padrejtësive, nuk është e prirur të ndërtojë pallate të bukura, humane dhe me shumë dritare, prandaj ai shkruan përmallshëm, kurse dëshirat e tij hyjnë në rrafshin e lirisë imagjinare dhe tingëllojnë si dëshira estetike, siç ngjet në poezinë “Akool IV”, ku gjakimi për këtë pallat të bukur e me shumë dritare, transformohet nëpërmes simboleve të forta dhe të qarta. Thirrja poetike bëhet në trajtën dëshirore, meqë duket se bota është aq dehumanizuar dhe nuk i pëlqen pallate me dritare: 

o sikur ta ndërtoje një pallat të bukur

me shumë dyer me shumë dritare

sikur të ndërtoje diçka të bukur

ndonjë pallat të argjendtë

me shumë dyer

me shumë dritare

ti e di se gjithçka do të mund të ishte ndryshe

o sikur të ndërtoje një pallat të bukur

të bukur

dhe

me dritare

Ndonëse bota duket e verbër dhe e shurdhër përballë këtyre thirrjeve, gjakimi i poetit për ta thënë të vërtetën është zhuritës. Kjo kërkesë dhe ky dimension shtrihet në gjithë poezinë, kurse me merr një përmasë të fuqishëm të vjersha “Odë trimërisë”, ku poeti bën një blatim poetik për të vërtetën, një gjakim të zjarrtë për një fjalë:

sikur ta thosha

në fjalë

nga zjarri i zemrës

nga drita e shpirtit

nga terri i jetës

 

për flatrimin e zogut në qiell

për ditën që duhet patjetër të vijë

për rrugën që askund nuk shpie

dhe

për të vërtetën

vetëm një fjalë

     

Dyzimi semantik, jetë/vdekje, dritë/ errësirë, te poezia “Gota e zbrazët”, shfaqet në formë tjetër, si dyzim njeri/jo njeri:

se për ty s’ka kurrfarë rëndësie se ndoshta je njeri

se për mua s’ka kurrfarë rëndësie se ndoshta jam njeri

 

Qenia e semantike dhe estetike e poezisë

Temat themelore që e përshkojnë këtë libër lidhen me pyetjen ekzistenciale për të kuptuar domethënien e qenies (M. Heidegger) dhe kjo shtrohet në këngët e çuditshme, në ato me karakter filozofik e metafizik ose me motive dashurie, në gjëra dhe sende, dhe kudo ballafaqohet qenia dhe mosqenia, jeta dhe vdekja, drita dhe errësira, nëpër të cilat beteja është farkëtuar jeta e njeriut që nga zanafilla, por edhe qenësia semantike e kësaj poezie.

Për të sendërtuar dhe artikuluar qëllimet e veta poetike dhe për t’i përçuar mesazhet intelektuale, autori me vetëdije krijuese e stilistikë të arrirë i ka ikur stilit të një njëtrajtshëm dhe ka ndjekur këshillën e mëdha të Nikola Bualos, që thoshte “Lum kush di, në vargje, me një zë të lehtë të kalojë nga një ton i rëndë në të ëmbël, nga komiku në të rreptin!” Anton Berishaj, lëvizjet, zhvendosjet i bënë me lehtësi, kështu që, gjuha në vargun e tij shquhet për lëvizje të lehta dhe të shpejta, zhvendosje befasuese, që bëhen nëpërmes lojës së fjalëve, përsëritjes dhe zhvendosjes së tyre në fjalë, nëpërmes aliteracionit, asonancave, personifikimit, me çka fjalët rikuptimësohen dhe shfaqin ambiguitetin e gjuhës dhe të mendimit, elemente këto stilistike që lexuesin e mbajnë në tension estetik të vazhdueshme.

Poeti evokon, percepton ose rrëfen për fenomene tokësore dhe qiellore dhe përdorë figura të gjetura të mendimit, metafora, simbole, por gjithnjë duke e parapëlqyer kontrastin dramatik dhe dyzimin semantik.

Duke e njohur misionin fisnik të artit në shoqërinë njerëzore, ai poetët i personifikon me zogjtë lajmëtarë të pranverës, tingujt e të cilëve janë sinonim i gjallimit:

erdhën

për të kënduar

ata erdhën një nga një

si zogjtë si zogjtë

 

Por, pas këtyre tri vargjeve, kemi tri vargje tjera, befasuese meqë disa poetë ishin “të zinj dhe nuk dinin të gjithë të këndonin bukur”

Poeti është ëndërrimtar i madh, por endet në botën e shqetësimeve, prandaj edhe realiteti dhe ëndrra dyzohen e përplasen, siç ngjet në vargjet e mëposhtme:

kur të zgjohemi nga kjo ëndërr e bukur fëmijët nuk kanë për të dëgjuar

përrallat tona të bukura që s’i kanë dy palë mend

së paku të injorojmë vetveten dhe t’i shuajmë gacat e kujtesës

 

Qortimi i ndërgjegjes

Poeti shkruan për temat themelore të artit, dashurinë, besnikërinë, frikën, njohjen, heronjtë, historinë, besimin, pesimizmin, marrinë, rregullin, dyshimin, gjykimin, magjinë, harresën, kujtimin, gjallimin, për detin, shkretirën, shegën, pëllumbin, fluturat, zogjtë, rrugët, fosilet, pallatet, barin, këngëtarin, tymtarët, fortesat, sendet, ngjyrat. Pastaj, poeti shkruan për këngët, poetika e së cilave është metafizika e jetës, që shoqërohet me lule, të cilat, ndonëse janë të bukura, prapëseprapë vdesin, siç vdesin njerëzit dhe bëhen kujtime. Ai shkruan edhe elegji, duke e zhvendosë këngën në disa rrafshe, si dhimbje e mungesë, si kotësi e kërkesë, duke qortuar ndërgjegjen: në këtë natë pa ndërgjegje (“Marria”)

Poezitë “Vdekja e rrenës” dhe “Vdekja e së vërtetës” shuhen për një tension të pazakontë poetik, një drithërim paradoksale, meqë poeti duket përmbi humnerën thotë:

shteti duhet edhe më të rrojë

se njerëzit janë ende të këqij

edhe vdekja duhet të jetë

se njerëzit nuk mësuan ç’është jeta

E gjithë kjo ndodh meqë e vërteta fashitet dhe rrena ngadhënjen, në një botë ku rruga nuk shërben për të udhëtuar dhe ku virtyt është marrëzia. Në poezinë e Berishajt mbi detin jon çojnë dashuri dy shpirtra të këqij dhe e bardha dhe e zeza shfaqin kontrastin dramatik emocional, në një botë ku nuk dihet nëse gomari ecë para njeriut apo e kundërta. Kurse te  poezia “Dramë kishtare” shenjti do të bëhet djall e djalli njeri ose si te vargjet e mëposhtme:

perëndeshë e bardhë

e veshur në të bardha

në zemrën time të zezë

të veshur në të zeza

për çdo ditë

Në ciklin e poezive me tematike historike, bëjnë pjesë poezia “Vranakonti”, “Shpërngulja e arbëreshëve më 1468”, “Donica Scanderbeghi”, “Engjëllorët”, “Rruga e Pjetër Engjëllit”, “Shpirti i Andreas”, dhe përçojnë dramën ekzistenciale të kombit shqiptar dhe rrjedhimisht gjuhës shqipe. Në natën e gjatë pa ndërgjegje, poeti bën dialog me Donica Scanderbeghi dhe e kërkon

ti ulu në këtë gur që përditë po e lindim

dhe thuaj a ishim apo nuk ishe kurrë

Në poezinë “ Shpërngulja e arbëreshëve më 1468”, poeti vajton ikjen në udhëtimin e pakthyeshëm të arbëreshëve, të cilët për të shpëtuar eshtrat, ndërgjegjen,  secili shpirt shpëton nga një asht nga humbja.

Kurse, te poezia e bukur “Këngë e mërzitshme në rrugë”, kemi një dyzim atipik të subjektit lirik dhe raportit me subjektin. Duke e përdorë figurën e aliteracionit, qenia lirike kërkon diçka më sublime se ç’mund të jetë gjëja më sublime, dashuria:

sepse ai për to kërkon një fjalë më të bukur

se ç’është për shembull

dashuria

Poezia e mirë të bën të jetosh me të, të vuash dhe të gëzohesh, të prekësh fundin e ferrit dhe të përzhitesh në zjarrin përcëllues të tij, e pastaj, i freskuar, të mundëson të shtegtosh nëpër purgator, drejt qiejve të parajsës, me udhërrëfyes poetin e urtë dhe dashurinë e sinqertë. Lexuesi i këtij libri do ta ndjen këtë dimension të poezisë përgjatë këtij udhëtimi imagjinar që fillon me librin e parë “Shpirti” dhe përfundon me librin e dhjetë, “Këngë mbi këngët”, cikël ky që mund të lexohet në raport me këngët biblike.

Stili dhe gjuha e kësaj poezie janë madhështore, përkundër faktit se autori shkruan për ankthin e vdekjes, shuarjes, humbjes, sepse matanë këtyre temave, ligjërimi i këtij libri kërkon fenomenologjinë e jetës që qëndron në thelbin e gjërave, për të cilat njerëzimi gjithmonë aspiron e në të cilën betejë arti kurrë nuk dorëzohet. Dhe, në botën e rrenave dhe marrive, të ankthit e ikjes, të injorancës dhe turmave, poeti nuk dorëzohet dhe kërkon pallatin e së vërtetës, përballë botës ku e vërteta vdes e ku u ngrihen përmendore marrive.

Për fund, dua të them se ky libër, poezisë shqipe ia shton shkëlqimin estetik dhe vjen si një gosti e bukur poetike për gjithë lexuesit e apasionuar që duan art të mirëfilltë./drita.info

(Ky tekst është botuar si pasthënie e librit me poezi “Fenomenologjia e vdekjes)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

«