“Jepuni atyre të hanë”
E diela XVIII gjatë vitit (A)
Lexeme i parë Is 55, 1-3
Ftesa e vazhdueshme e profetit Isaia për të pirë ujë, verë dhe qumësht kthehet në shenjën e një ushqimi që ngop urinë më të thellë. Isaia i shpall atij, që e ka zemrën të varfër dhe të lirë, miqësinë që freskon, besimin që ushqen, shpresën që rigjeneron shpirtin. Ky ushqim është oferta e një dashurie që nuk njeh kufinj, e një pranie që nuk na braktis kurrë.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të rrojë! Me ju do të lidh besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.” Fjala e Zotit.
Psalmi 145
Ref: Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo krijesë
————————————–
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
————————————–
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde,
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
————————————–
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
————————————–
Leximi i dytë Rom 8, 35.37-39
Pali apostull duke u shkruar të krishterëve të Romës na ofron një himn për dashurinë e Zotit: asnjë përvojë apo realitet negativ nuk mund t’i shkurajojë besimtarët që i besohen dashurisë së Hyjit, zbuluar dhe dhuruar në Krishtin. Të besosh do të thotë të marrësh nga Krishti forcën e shpresës: dashuria është e mundur mbi tokë dhe të bashkuar me Krishtin duhet ta çojmë dashurinë e tij në jetën e njerëzve.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Fjala e Zotit.
Aleluja
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Aleluja
Ungjilli Mt 14, 13-21
Mateu duke shkruar këtë tregim të shumimit të bukëve në shkretëtirë krahason Jezusin me Moisiun kur ushqen popullin në shkretëtirë. Jezusi është ligjvënësi i besëlidhjes së re. Jezusi nuk shqetësohet vetëm që të shpallë ligje të reja, por Ai përfshihet me jetën e popullit, merr pjesë në shpëtimin e tij. Jezusi duke paraqitur rrugën e re të shpëtimit, e përshkon vetë i pari.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, kur Jezusi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar – në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij këmbë prej qyteteve. Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurit e tyre. Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: “Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëshoj njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.” Jezusi u përgjigj: “Nuk është nevoja të shkojnë: jepnu ju të hanë!” Ata iu përgjigjën: “S’kemi këtu por pesë bukë e dy peshq.” Jezusi vijoi: “M’i bini këtu!” Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës. Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj. Fjala e Zotit.
POROSIA
T’u shpërndash të gjithëve bukë, domethënë se jemi një familje e vetme e madhe. E mira ose është e gjithë familjes ose e gjithë familja do të vuajë. Ky është koncepti i vërtetë i globalizimit.
Gjon Pagëzuesi është vrarë nga Herodi e dishepujt e tij shkojnë menjëherë të lajmërojnë Jezusin. Ai sapo dëgjon këtë, ia mbath në shkretëtirë. Por njerëzit e ndjekin në shkretëtirë, duke përballuar shumë vështirësi.
“Jezusi pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurit e tyre”. Jezusi ndjeu t’i rrahtë zemra në kraharor. Shpreh një ‘mëshirë’ që e shtyn të shërojë të sëmurët e të ngopë turmën e uritur. Edhe sot ekziston një njerëzim i uritur. Uri për ushqim, por sidomos për vlera, dashuri, liri, lumturi. Uri për Hyjin.
“Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë” Apostujt vënë re shpërpjesëtimin mes pamjaftueshmërisë së gjërave materiale dhe nevojave të mëdha të njerëzimit. Por Jezusi do t’i përfshijë: “jepuni ju të hanë!”.
“S’kemi këtu, vetëm pesë bukë e dy peshq”. Jezusi nuk vepron në mënyrë magjike, nuk niset nga zero. Ka nevojë që dikush të vërë në dispozicion atë pak që ka. Mrekullia e parë qëndron pikërisht të dish të bashkëndash: buka e thyer dhe e bashkëndarë në duart e Jezusit shumohet. Ai nuk do që njerëzit të ‘shpërndahen’.
Edhe sot ai mbledh njerëzimin e shpërndarë në një bashkësi të madhe dhe e përgatit për një tryezë. Çdo të diele Eukaristia është çasti për të jetuar këtë përvojë në mënyrë gjithnjë e më të re.
Lutja e Besimtarëve
M. Zoti Jezus sheh me mëshirë bashkë-sinë tonë dhe e ushqen me fjalët dhe trupin e tij. Të mbështetur nga kjo dhuratë më-shire t’ia paraqesim Atit nevojat tona dhe ato të të gjithë njerëzve.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.
L. Për bashkimin dhe njësimin e të gjitha kishave të krishtera, që asgjë dhe askush të mos mund t’i ndajë nga dashuria e Hyjit në Krishtin Jezus. Të lutemi.
L. Për ata që kanë etje dhe uri për drejtësi, për ata që kanë nevojë për ndihmë, që solidariteti i Kishës dhe i vëllezërve t’i ngushëllojë dhe t’i mbështesë konkretisht me ushqimin që ushqen trupin dhe shpirtin. Të lutemi.
L. Për ata që po përdorin këtë periudhë pushimesh, që të jetojnë ditën e Zotit duke mos harruar Hyjin dhe vëllezërit në nevojë. Të lutemi.
L. Për bashkësinë tonë të bashkuar rreth altarit, ku Zoti e bashkon me misteret e tij të shenjta, që të jetë dëshmitare e ndritshme e Ungjillit. Të lutemi.
M. O Hyj, që gjithmonë dëgjon lutjet e të varfërve, dëgjoje lutjen tonë; paraqite për ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt, Birin tënd Jezu Krishtin, Hyji ynë dhe Zoti ynë. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)