Formimi i zemrës!

Aug 4 • Meditimi i ditës

4 gusht 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 30, 1-2.12-15.18-22; Ps 102, 16-21.29.22-23; Mt 15, 1-2.10-14)

 

Prania e Hyjit 

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po ndihem sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`ia dorëzoj Zotit të gjitha këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Mt 15,1-2.10-14

1 Atëherë disa farisenj e skribë nga Jerusalemi iu afruan Jezusit e i thanë:

2 “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!”

10 Atëherë e grishi popullin t’i afrohej dhe i tha:

11 “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja ‑ ajo e bën njeriun të papastër!”

12 Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë:

“A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?”

13 Jezusi u përgjigj:

“Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë. 14 Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbërit, të dy bien në gropë.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Farisenjtë ishin të preokupuar me ritet e kohës së tyre dhe mendonin me nënvlerësim për ata që nuk i mbanin. Mund të ndodhë edhe në kohën tonë që njerëzit të përqendrohen vetëm në atë që hanë, shpenzojnë dhe të mendojnë pak për ata që jetojnë ndryshe.
  • Jezusi i vëzhgon fjalët dhe veprat. Gjatë kohës që e dëgjon sërish pjesën e ungjillit, vë re se si Jezusi është më pak i interesuar për formën e trupit, më shumë i intereson se si është formuar zemra.

 

Bashkëbisedimi

A jam i pastër? Çka më bën të papastër përbrenda?

A jam njeri që reflekton vetëm sipërfaqësisht apo di ta arrij thellësinë dhe esencën për vetveten, për të tjerët dhe për botën, shumë më shumë, ta marrë vesh atë çka më porosit Jezusi?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Fjalët e sotme të Jezusit janë të rënda – të thëna drejtuar farisenjve të cilët, megjithatë, ishin mbajtës të fesë dhe Ligjit. Nuk ishin “njerëz të këqij”, por ishin njerëz me standard të lartë në mbajtjen e drejtësisë dhe moralit. E pra, Jezusi gjithmonë shikon më larg dhe më thellë se sa e bëjnë këtë njerëzit – ai shikon në zemër. Ai kërkon që të shohë a jemi duke pasur kujdes dhe a jemi duke e mbajtur atë që Ati në ne e ka mbjellë: përkushtimin, mirësinë, butësinë, bashkimin me Atin. Sipas kësaj e vlerësojmë veten dhe të tjerët, nëse fare mund të vlerësojmë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«