A di çka dëshiroj?

Aug 5 • Meditimi i ditës

5 gusht 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 31, 1-7; Ps: Jer 31, 10-12ab.13; Mt 15, 21-28)

 

Prania e Hyjit 

O Zot, më ndihmo që të hyjë e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Lutem për hirin e fesë,

të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 15, 21-28

21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:

“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”

24 Ai u përgjigj:

“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:

“Më ndihmo, o Zot!”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”

27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:

“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”

Në atë moment bija e saj u shërua.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kjo grua tregon këmbëngulje të madhe – nuk ka lejuar që ta shkurajonte nervozizmi i nxënësve dhe vërejtja e Jezusit. Ka ditur çka dëshiron dhe ka besuar që Jezusi mund t`i ndihmojë. Do të lutem që besimi im të ketë diç nga qartësia dhe këmbëngulja e saj.
  • Edhe unë si kjo grua vij para Jezusit duke ia ofruar të tjerët në lutje. Kur lutem për ata që i dua në mua rritet vetëdija për mirësinë e tyre dhe lutem për bekimin e tyre. Kur ta dëgjoj sërish pjesën e ungjillit, edhe një herë do të reflektoj që ata janë dhe në cilën mënyrë janë ata bekim për mua.

 

Bashkëbisedimi

Mateu ungjilltar na paraqet një nënë e cila do të ishte në gjendje të bënte gjithçka për të arritur shërimin e vajzës së vet, dhe e cila me qëndresë ndërmjetësonte te Jezusi për fëmijën e vet. Ajo e di se jeta mund të ndryshojë madje edhe me një lutje të vogël drejtuar zemrës së Jezusit. Ajo vjen për të kërkuar diçka jo për veten e vet, por për tjetrin. Sa e fuqishme është lutja ndërmjetësuese!

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Jezus, Zotërues i gjithë krijimit, dëgjoji lutjet tona ndërmjetësuese për ata që i duam. Shëroji të sëmurët tanë, ngushëlloji ata që janë të trishtuar për shkak të vdekjes së ndonjë të afërmi, na pajto me ata të cilët na kanë lënduar dhe që ne i kemi lënduar. Na i falë mëkatet tona dhe na ndihmo të rritemi në besim dhe njohjen tënde.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«