Momentet e shndritshme përgatitin për kohë të vështira

Aug 6 • Meditimi i ditës

6 gusht 2020 – E enjte, Shndërrimi i Zotit (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 7, 9-10.13-14; 2Pt 1, 16-19; Ps 97, 1-2.5-6.9; Mt 17, 1-9)

 

Prania e Hyjit 

O Zot, më ndihmo që të hyjë e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Lutem për hirin e fesë,

të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi 

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin e Ungjillit të sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 17,1-9

1 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. 2 Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. 3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. 4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit:

“Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” 6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. 7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” 8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.

9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi:

“Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Ky dëftim erdhi pas një ngjitje të rrëpirët “në një mal të lartë”. E dëfton rëndësinë e Jezusit. A jam gati, madje edhe në lutje, më shumë të përpiqem ta njoh Jezusin?
  • Pjetri impulsiv, i papritur, dëshiroi ta nderonte Jezusin, Moisiun dhe Elinë. Zëri e qetësoi dhe i dëftoi se Jezusi është ai që është i rëndësishëm këtu. Gjatë kohës që e dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit, e pyes veten se a përpiqem të dëgjoj si një dishepull, një nxënës i Jezusit në kohë të mira dhe në kohë të këqija?

 

Bashkëbisedimi

Në udhëtimin tonë drejt Hyjit, i kemi majat tona ku toka është e shenjtë. Ashtu si Pjetri, edhe ne duam që ato të zgjasin përgjithmonë. Por Jezusi, “vetëm Jezusi”, na zbret poshtë kodrës dhe na përgatit për kohë të vështira që na presin duke jetuar nga kujtimi i shndërrimit afat-shkurtër.

A mund ta kujtoj ndonjë nga majat e mia?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Në natyrën tonë njerëzore ekziston synimi për lumturi dhe që momentet e bukura dhe të këndshme të zgjaten. Nxënësit me Jezusin e përjetuan një moment të veçantë lavdie. Edhe pse qenë pjesëtarë të kësaj, nuk e kuptuan plotësisht domethënien dhe rëndësinë e këtij momenti. Jezusi është udhës për Jerusalem dhe nuk ndalet në mal. Momentet e shoqërimit dhe bashkimit me Jezusin duhet të na përgatisin për udhëtimin kah Jerusalemi ynë dhe vështirësitë tona të jetës që ta kuptojmë se Jezusi është gjithmonë me ne, edhe atëherë kur na duket se jemi të lënë prej të gjithëve.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »