Nga vjen lumturia ime?

Aug 7 • Meditimi i ditës

7 gusht 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nah 2, 1.3; 3, 1-3.6-7; Ps: Lp 32, 35c-36.39.41; Mt 16, 24-28)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim zhvillimi dhe zbulimi.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
E dëgjoj tekstin e Ungjillit të sotëm

dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 16, 24-28

24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

28 Përnjëmend po ju them: Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Aq shumë gjëra ndërmarrim për t`ia plotësuar dëshirat vetes, për ta ndierë veten mirë: prioritet e kemi kujdesin dhe mbrojtjen e vetvetes kur mendojmë për botën e cila nuk na bën edhe aq të ndjehemi volitshëm. Ndoshta do të ishte mirë që të kemi kujdes që mos të lazdrohemi tepër, që të vëmë re dhe mos të harrojmë që kryqi është gjithmonë me të krishterin. Ndoshta nuk dëshirojmë ta vështirësojmë jetën, por lutja jonë është pranim që Jezusi ende është duke vuajtur në dhimbjet që i shprehin të tjerët.
  • Do të lus për lirinë që kam nevojë që t`i largoj të gjitha ato gjëra që nuk më nevojiten, që ta kuptoj që nuk është punë e imja që ekskluzivisht me fuqitë e mia ta shpëtoj jetën time – kjo vjen prej Zotit – sepse plotësia e jetës ndodhet në Zotin.
  • Është e pamundur ta ndjekësh Jezusin pa e pranuar kryqin, pa e njohur dhe përqafuar jetën në tërësi. Gjatë kohës që e dëgjoj sërish Ungjillin, vë re se si Jezusi nuk më lejon t’i mbyll sytë para asaj që më krijon probleme dhe do që unë të jem i/e sinqertë në lidhje me atë që mendoj se ma kërcënon lumturinë time.

  

Bashkëbisedimi

Marrja dhe mbajtja e një kryq mund të thotë të përballesh me mundimin në punë, të bartësh dru dhe ujë për familjen në agim, t`ia bësh një shërbim kërkues një personi të dashur që është i sëmurë; pranimi i sëmundjes, madje edhe një sëmundje vdekjeprurëse.

Jemi bërë kaq të pangopur për orët që na janë dhënë. Çdo minutë duhet të jetë produktive. Koha kur nuk jemi në punë na ndihmon të kuptojmë kuptimin e punës. Siç tha Papa Françesku, “Kërkojmë ta pakësojmë pushimin soditës si diçka joproduktive dhe të panevojshme, por kjo e eliminon vetë thelbin që është më i rëndësishmi për punën, veprimin: kuptimin e tij”.

A e jeton vlerën biblike të “Shabatit”: një kohë kur nuk punon, fiton ose prodhon?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Të jesh nxënës është sfidë, dhe domethënien e kësaj Jezusi pikërisht e tregoi. Ai flet për vetëmohim: nevojitet të dalim nga qendra në mënyrë që Jezusi dhe porosia e tij të bëhen të rëndësishëm. Kjo mund të thotë mbartje e kryqit sikurse e ka mbajtur edhe ai. Ta mbartësh kryqin e padrejtësisë, dhunës, të ndjesh dhimbjen dhe vuajtjen e pafund njerëzore. T`i lejojmë këtij realiteti njerëzor që të bëhet pjesë e lutjes sonë, dhe nëpërmjet vuajtjes dhe lutjes sonë për ata që vuajnë mundemi të kontribuojmë në shpëtimin tonë dhe të tyre.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

“Kush është i zënë vazhdimisht, kush fshihet pas pune, ai jo vetëm që nuk ka kohë për miqësi, por ai do të jetë edhe i paaftë për të qenë mik i dikujt tjetër.” (P. Anselm Gryn)

Shpërndaje

Comments are closed.

«