A është besimi im i (pa)mjaftueshëm?

Aug 8 • Meditimi i ditës

8 gusht 2020 – E shtunë, Shën Dominiku, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Hab 1, 12 – 2, 4; Ps 9, 8-13; Mt 17, 14-20)

 

Prania e Hyjit

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.

Me kohë, si kjo tani, bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde

si dhe për dashurinë tënde të pakufizuar ndaj meje.

 

Liria

Po të dëshironte Hyjit të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?

Po të donte të më jepte zemër a sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?

Lus për hirin e çlirimit nga brengat vetjake

dhe çiltërinë, të jem i/e hapur ndaj asaj çka dëshiron Hyji të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çka ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 17, 14-20

14 Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunj para tij 15 dhe i tha:

“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! 16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”

17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!”

18 Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.

19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

20 Ai u përgjigj:

“Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Nuk është çudi që Jezusi mund të jetë i irriturar nga prishja dhe mungesa e besimit tonë. Në cilat fusha të jetës sime jam duke treguar një mungesë përgjegjësie ose gatishmërie? Ç`mund të bëj në këtë drejtim?
  • Jezusi nuk ka dyshim se në qoftë se do të kishim besim të mjaftueshëm, do të mund t`i lëviznim malet. Me fjalë të tjera, nëse raporti im me atin do të ishte aq i fortë sa ishte ai i Jezusit, fuqia e Zotit do të mund të rridhte lirisht nëpërmjet meje dhe të arrinte gjëra të mëdha. A e dëshiroj unë këtë?

 

Bashkëbisedimi

Edhe ne e pyesim Jezusin, “Pse?” “Pse nuk mund ta përfundojmë veprën tënde në jetën tonë?”

Në këtë lexim, vetë Jezusi e plotëson përgjigjen: “Ju keni pak besim”.

Krejt hapur, bisedoj për këtë me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.
O Zot, na dhuro një besim që do t`i zhvendos edhe malet – malet e palëvizshmërisë dhe apatisë, frikës dhe ankthit, egoizmit dhe dëshpërimit.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »