Shugurimi dhe mesha e parë e Don Samuell Ramaj, meshtari më i ri në Ipeshkvinë tonë

Aug 10 • Kisha në Kosovë

Nga Kristijan RAMAJ

 

Dje, më 9 gusht, në famullinë e Shën Jozefit në Stubëll të Epërme, pati festë e gëzim të madh me rastin e shugurimit meshtarak dhe kremtimin e meshës së parë nga meshtari më i ri Don Samuell Ramaj.

Festa filloi rreth orës 10:00, në oborrin e familjes së meshtarit të ri, i cili mori bekimin nga dy prindërit e tij Qeshk e Difa Ramaj. Aty ishte famullitari i Stubllës  Don Jeton Thaqi, disa meshtarë të famullive për rreth, ministrantët, kori i kishës dhe familja e ngushtë e meshtarit të ri. Të gjithë bashkë në lutje e procesion u nisën drejtë kishës së Shën Jozefit, për shugurimin dhe kremtimin e meshës së parë të Don Samuellit.

Meshën e Shenjtë e fillojë bariu i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. Homelinë e rastit e mabjti Don Anton Uka, i zgjedhur sipas traditës prej meshtarit të ri, i cili ja përkujtojë sfidat dhe të mirat që do ta përcjellin në jetën meshtarake. Pas homelisë vazhdoi ceremonia e shugurimit, prej duarve të Shkëlqesisë së Tij, Dodë Gjergji. Mbi Don Samuellin shtrinë duart të gjithë meshtarët prezent në meshë, një gjest i fortë liturgjik me anë të të cilit lutet për zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi të shuguruarin.

Nga ky moment mesha u vazhdua nga meshtari i ri, i cili u duartrokit me gëzim me rastin e veshjes së meshores për të parën herë. Në përfundim të meshës, Don Samuelli, ju drejtua të gjithë të pranishmëve me një fjalë rasti, ku shprehu mirënjohjen e tij të thellë e të sinqertë dhe falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme, që mori nga familja e tij, Famullia, Ipeshkvia e jonë, edukatorët gjatë formësimit të tij intelektual dhe shpirtëror, në rrugën e meshtarisë. Në mënyrë të veçantë, ju drejtua seminaristëve të rijnë dhe familjes, ku kërkojë nga ta që vazhdimisht të luten për të dhe premtojë që as ai nuk do të harrojë kurrë të lutet për të gjithë ata që ju shërben.

Pas shugurimit dhe meshës së parë e meshtarit të ri, pati një program të shkurtër e të këndshëm artistik, në oborrin e kishës Shën Jozefi. Në këtë program të përgatitur nga motër Luljeta Mirdita, pati poezi, këngë dhe valle, të ekzekutuara nga artistët e vegjël dhe të rijnë të famullisë.

Ashtu siç e kërkon zakoni, Kisha Katolike organizon një festë të madhe me rastin e shugurimit të meshtarëve të ri, por këtë vite për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia globale Covid-19 dhe masave të caktuara nga shteti i Kosovës dhe Ipeshkvia jonë, kjo festë u kremtua nga një numër i vogël besimtarësh prezent, siç ishin Imzot Dodë Gjergji, meshtarët të tjerë, ministrantat, kori i kishës dhe familja e ngushtë e meshtarit të ri.

Famullia e Stubllës përherë ka dhuruar shumë meshtarë e motra të nderit, të cilët sot shërbejnë si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Besimtarët e Stubllës, që janë pasardhësit e Martirëve të Karadakut, që kanë dëshmuar përkatësinë e tyre kombëtare dhe fetare të krishterë, nuk pushojnë të luten dhe të mbështesin djem e vajza të reja për t’ia kushtuar jetën e tyre Zotit dhe popullit. Kjo traditë e bukur e vendit tonë është imazh dallues në vend dhe në rajon që e ka si dhuratë nga martirët, të parët tanë që na kanë përçuar vlerat që japin fryte edhe sot e kësaj ditë.  

Don Samuelli, meshtari më i ri sot në Dioqezën tonë, u zotua se me përvujtëri dhe me angazhim maksimal do ta vazhdojë rrugën e nisur nga të parët tanë, siç ishin Don Zef Ramaj, pagëzuesi e Shën NanësTereze, Don Dedë Ramaj patriot dhe atdhetarë i shquar, që dha një kontribute të jashtëzakonshëm mbarë kombit shqiptarë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«