Nuk ka jetë më pak të vlefshme!
11 gusht 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 2, 8 – 3, 4; Ps 119, 14.24.72.103.111.131; Mt 18, 1-5.10.12-14)
Prania e Hyjit
Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.
Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.
Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.
Liria
O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Mt 18,1-5, 10, 12-14
1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:
“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”
2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:
“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”
10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]
12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt:
- Jezusi na tregon shumë qartë se në sytë e tij çdo jetë është e vlefshme. Çdo person që e takoj është i paçmueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Jezusi shfuqizon besimet e zakonshme. “të vegjlit”, njerëzit që bota nuk i konsideron të rëndësishëm, janë më të çmuarit nga të gjithë.
- A do të reflektojë mendimi im sot këtë qëndrim?
- Po të kisha qenë i vetmi person në këtë botë që ka nevojë për shpëtim, Jezusi do të vdiste për mua. A më frikëson kjo apo më eksiton? Pse?
Bashkëbisedimi
Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Predikimi për Meshën e parë të Don Samuel Ramaj Ta qortosh po, por jo ta gjykosh të afërmin! »