Predikimi për Meshën e parë të Don Samuel Ramaj

Aug 11 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka – Stubëll, 9.08.2020

 

Qoftë lëvduar Jezu Krishti!

Të dashur prindër dhe familjarë të Meshtarit të ri, sivëllezër në meshtari, motra të nderit, e nderuara Shkëlqesi, i dashur Don Samuel, vëllezër dhe motra!

Falënderoj Zotin, Monsinjor Dodën dhe Meshtarin e ri, për këtë nderim dhe hir të veçantë që ma dhuruan sot, që në festën tonë të dyfishtë, të Shugurimit meshtarak dhe të Meshës së parë të Don Samuelit ta mbaj pretkun e rastit.

Rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat po zhvillohet ky kremtim liturgjik, në mënyrë providenciale na ofrojnë për meditim dhe ushqim shpirtëror një pjesë të Ungjillit po ashtu të jashtëzakonshme me përplot lëvizje, fenomene natyrore e mbinatyrore, emocione dhe qëndrime njerëzore e hyjnore njëkohësisht, të cilat përmbajnë në vete një simbolikë dhe porosi të thellë për të gjithë ne, e sidomos për ty, i dashur Meshtar i ri, që sot po hyn në aradhen meshtarake.

Kjo pjesë e Ungjillit është vazhdimësi e asaj që kemi dëgjuar të dielën e kaluar. Mrekullia e shumëzimit të bukëve (krh. Mt 14, 13-21), siç dihet, ka nuanca të forta Eukaristike. Jezusi, si dikur përmes mrekullisë së shumëzimit të bukëve, ashtu edhe sot përmes Eukaristisë, dëshiron t’i ushqejë dhe t’i takojë të gjithë njerëzit. Kjo mrekulli është paralajmërim i Kishës dhe i Meshës shenjte, në qendër të së cilës qëndron i Shuguruari, Eukaristia  dhe Bashkësia – populli i Zotit.

Shën Mateu ungjilltar dëshmon se Jezusi sikur nuk kënaqet vetëm me ndarjen e bukës. Atij nuk i mjafton takimi në distancë, por dëshiron që mes altarit, ku ndodh mrekullia, dhe njerëzve, që ushqehen me bukën e mrekullueshme, të jetë një intimitet, një ngrohtësi, një njohje, një dashuri. Prandaj Jezusi nuk u largua nga aty derisa nuk e shpërndau masën e madhe të popullit (krh. Mt 14 22). Kjo nënkupton se përmes celebrimit të mrekullisë eukaristike, Jezusi dëshiron të depërtojë në jetën e njerëzve: t’i njohë, t’i dëgjojë, t’i takojë, t’i ngushëllojë, t’i shërojë, t’i shoqërojë e të banojë me ta. Mrekullia e shumëzimit të bukëve mund të krahasohet me liturgjinë sakramentale të Kishës, ndërsa ulja e njerëzve dhe ndarja e bukës mund të krahasohen me aktivitetin e saj baritor. Liturgjia dhe shërbimi baritor janë dy fusha, në të cilat kryesisht shpenzohet koha e meshtarit, sidomos e atij dioqezan, ndërsa koha tjetër është kohë vetmie.

I dashur Don Samuel, mundohu që stili i meshtarisë së Jezusit, të bëhet edhe stili i meshtarisë tënde. Hyrja në rendin meshtarak dhe mundësia e kremtimit të sakramenteve të shenjta nuk duhet të të ndajë nga jeta e njerëzve. Përkundrazi, ato le të të bëjnë edhe më të thjeshtë, duke të bashkuar më tepër me nevojat e tyre trupore dhe shpirtërore.

Kur të përfundojë Mesha shenjte, populli shpërndahet nëpër shtëpitë e veta, ndërsa meshtari mbetët i vetëm; kur të përfundojnë aktivitetet baritore, njerëzit kthehen në detyrat e tyre, ndërsa meshtari mbetet i vetëm në kishë, në shtëpi, në zyrë apo në detyrat e tij. Mos harro se koha e vetmisë është sfida më e madhe e një meshtari dioqezan. Nëse vetmia jetohet në stilin e Jezusit, i cili pas një dite të lodhshme, me përplot aktivitete dhe takime, ndjeu nevojën të tërhiqej në vetmi dhe t’i lutej Atit, atëherë jam i bindur se çdo Meshë e kremtuar nga meshtari do të jetë e veçantë dhe tërheqëse për popullin; çdo predikim i tij do të depërtojë në mendjen dhe zemrën e njerëzve; çdo aktivitet i tij baritor do të jetë frytdhënës dhe ngushëllues. Në të kundërtën, nëse vetmia e meshtarit mbizotërohet nga humbja e kohës dhe dhënia pas gjërave që nuk përkojnë me thirrjen dhe misionin e tij, atëherë si rezultat do të ketë pakënaqësinë, monotoninë, lodhjen, dhënien pas qejfeve dhe veseve, hidhërimin, thashethemet, jetën e dyfishtë, mungesën e gëzimit për t’u kushtuar dhe dhuruar plotësisht në dëgjesë, varfëri dhe pastërti dhe një varg të këqijash tjera që mund të qojnë deri në një krizë të thellë shpirtërore dhe mendore.

O Meshtar i ri, ty sot Zoti po ta beson një thesar të vërtetë dhe duke të bërë mbarështues të grigjës së vet, përmes ipeshkvit ta dhuroi një pushtet aq të madh që as engjëjt e qiellit nuk e poseduan. Mos harro se ky privilegj bartë me vete një përgjegjësi të rëndë para popullit që Zoti po ta beson. Si pushteti ashtu edhe fusha e veprimtarisë tënde do të jetë universale, sepse misioni i meshtarit është ta bashkojë njeriun me Zotin. Prandaj, gëzohu, o Meshtar i Krishtit, dhe në lavdinë e Hyjit shikoje dinjitetin tënd. Ji i përvujtë dhe falënderues për këtë hir të veçantë dhe mos ndërmerr asgjë që do të mund ta dëmtojë dinjitetin tënd meshtarak.

Don Samuel, uroj të kesh një qëndrim të tillë, i cili, siç tha Papa Françesku, do t’i infektojë njerëzit me dashurinë e Hyjit dhe do ta terhjek vemendjen e besimtarëve drejt Krishtit. Mos hiq dorë asnjëherë nga lutja e përditshme, nga meditimi, nga disiplina, nga leximi, nga studimi dhe përditësimi teologjik, sepse në këtë mënyrë do ta ruash gëzimin në zemrën tënde dhe vetëm kështu dëshmia jote do të jetë nxitje edhe për thirrje të reja meshtarake. Duke të njohur e përcjellur nga dita e hyrjes në Seminar e deri me sot, jam i bindur se je i vetëdijshëm për këto sfida të mëdha që të presin. Po ashtu jam i bindur se je i përgatitur dhe i pajisur me të gjitha dhuratat e nevojshme për t’u bërë ballë këtyre tundimeve të mëdha, që në shumicën e rastëve vijnë nga Djalli, herë-herë nga mishi e gjaku, nganjëherë edhe nga të tjerët, pikërisht ashtu siç i ndodhi edhe Jezusit në shkretëtirë. Në të gjitha këto situata kujtoje Fjalën e Zotit dhe mos harro se i ke besuar Atij, i cili përmes vuajtjes dhe kryqit e ka mundur mëkatin dhe vdekjen.

Kjo pjesë e Ungjillit na flet edhe për barkën, në të cilën ishin të pranishëm apostujt, e që përplasej prej valëve të detit, sepse frynte era e kundërt (krh. Mt 14, 24). Barka është simboli i Kishës dhe i hierarkisë së saj. Valët e tërbuara të detit janë simboli i fuqive të këqija që e kërcënojnë jetën e popullit të Zotit (Kishën). Era e kundërt është simboli i mësimeve të rrejshme dhe i pseudo profetëve që ngritën kundër Kishës dhe misionit të saj hyjnor.

I dashur Meshtar i ri! Ti sot, me ftesë të Jezusit, me pëlqim të Kishës dhe me liri personale po pranon të hysh në Barkën e Jezusit për ta filluar misionin e kalimit për në anën tjetër. Ky mision kalimi, ashtu sikurse për apostujt, nuk do të jetë i lehtë as për ty, por ti gjithmonë beso se Jezusi ata që i thërret dhe i dërgon, nuk i harron, nuk i le vetëm, nuk i braktisë, por i mbron dhe ju del zot në çdo rrezik dhe përplasje me fuqitë e errëta të kësaj bote, ashtu si e dëshmon edhe motoja e ftesës së Meshës tënde të parë.

Ecja e Jezusit mbi valët e detit të trazuar dhe fjalët siguruese të tija “Zemër, jam unë, mos kini frikë” (Mt 14, 27), bëjnë që edhe Pjetri ta ballafaqojë të njëjtën sfidë të Jezusit, ndërsa frika dhe përqendrimi mbi vetveten paraqiten si dështim dhe pengesë serioze në ndjekje dhe arritje tek Ai. Kështu është edhe në jetën meshtarake: çdo përqendrim dhe orientim në diçka apo në dikë tjetër, që nuk është Jezusi apo që nuk paraqet dashurinë e Tij, është sharrim, humbje dhe bjerrje.

Don Samuel i dashur, mos harro se je stërnip i dy meshtarëve të mëdhenj, i Don Zef Ramaj dhe Don Dedë Ramaj! Mos harro se je nga një fshat i bekuar dhe i larë me gjak, pikërisht për arsye se të parët e tij, martirët tanë, nuk lejuan t’u nënshtrohen fuqive të këqija që synonin të shkatërronin fenë, Kishën, gjuhën, kombin dhe traditën tonë të lashtë e të shenjtë. Ata më parë pranuan të vdesin, sesa t’u binden mësimeve të tyre. Mos e harro sakrificën, lutjen dhe mbështetjen e prindërve tu dhe të të gjithë atyre që gjatë këtyre viteve janë lutur për ty dhe të kanë ndihmuar në forma të ndryshme.

Krejt në fund të porosisë ndërmjetësisë së Virgjërës Mari, e cila të ka përcjellur nga fillimi i ecjes tënde drejt meshtarisë e deri me sot. Fillimisht ishte Zoja e Letnicës, te e cila ke shtegtuar gjithmonë me njete dhe dëshira të mira që t’i përgjigjesh thirrjes së Zotit dhe t’i përngjash zemrës së Birit saj; pastaj, Zoja Ndihmëtare e Prizrenit, ku e fillove përvojën e parë të Seminarit, të cilës i ke kërkuar ndihmën për të vazhduar ecjen tënde, dhe në fund Zoja e Këshillit të Mirë në Shkodër, ku e bëre formimin shpirtëror dhe intelektual, e cila të këshilloi të bësh gjithçka që Biri i saj, Jezu Krishti, do të kërkonte prej teje. Prandaj je sot këtu, që para Hyjit e para Kishës, ta thuash PO-në tënde solemne, e cila do të ketë kuptim vetëm nëse do të dëshmohet dhe do të përtërihet në të gjitha ditët e jetës dhe të shërbimit tënd meshtarak.

Duke uruar që meshtarinë tënde t’ia besosh ndërmjetësisë dhe ndihmës së përhershme të Virgjërës Mari, po e përmbylli këtë meditim, me fjalët nxitëse të Shën Palit, që Liturgjia e Orëve na i dhuron si ushqim të shpirtit në ditën e Shën Injacit të Loyolës, pedagogjinë dhe përshpirtërinë e të cilit e ke fort për zemër: “Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur” (Rom 12, 1-2).

Zoti e bekoftë meshtarinë tënde dhe qofsh bekim për të gjithë ne! Amen./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«