Ta qortosh po, por jo ta gjykosh të afërmin!

Aug 12 • Meditimi i ditës

12 gusht 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Ez 9, 1-7; 10, 18-22; Ps 113, 1-6; Mt 18, 15-18)

  

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr,

që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër,

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë mbresa.

 

Mt 18,15-20

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:
15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi është Emmanuel, “Hyji me ne”. Ai është me ne në bashkësinë kishtare. Mesazhi i tij është një mesazh pajtimi, jo hakmarrjeje. Nga ne kërkohet që “t`i rifitojmë” vëllezërit dhe motrat tona. “Ta rifitosh dikë” është më shumë se të ndalosh një sjellje fyese të dikujt. Është kthim i atij personi – një ndryshim i vërtetë në qëndrim, sjellje.
  • Hapja e Jezusit ndaj mëkatarëve varet nga hapja e zemrës dhe ndryshimi i sjelljes: “Shko dhe mos mëkato më”.
  • Kur i afrohemi Hyjit në bashkësi, madje edhe në një bashkësi prej dy a tre njerëzve, ai tashmë është me ne.

  

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Jezusi premton praninë e tij të vazhdueshme. Madje edhe pse lutem vetë jam i/e bashkuar me të tjerët të cilët tani luten, me të gjithë ata që lexojnë këtë Ungjill të sotëm, me ata të cilët janë duke u shërbyer me `Momentin e Shenjtë – Lutjen e përditshme’.

Rritem në vetëdijen se Jezusi dëshiron të jetë me mua: ai është me mua, më do dhe më thërret në jetë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«