Virgjëra Mari, Shenjë e ngushëllimit dhe e shpresës së sigurt

Aug 14 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell – Zoja e Madhe

 

 

Leximi i parë   Zb 11, 19; 12, 1-6.10

Gruaja është imazhi i popullit të Hyjit, sepse është nusja e Hyjit dhe nëna e Mesisë. Kundër popullit dhe kundër Mesisë ngrihet Dragoi, armiku i njeriut, mëshirimi i së keqes, që shkatërron qiellin e tokën. Krishti i shmanget fuqisë së tij me anë të ringjalljes. Maria është imazhi i gjallë i popullit të Hyjit, ka jetuar si Krishti provën e besimit dhe kundërshtimin e kryqit.  Dhe tani është imazhi i lavdishëm i së ardhmes së premtuar të bijve të Hyjit.

 

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh! Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.  Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante. Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.  Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  44

 

Ref: Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha

——————————————-

Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,

në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha,

në ar Ofiri e ngrirë.

——————————————-

Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:

harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës

tënd.  Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,

nderoje atë, ai është zotëria yt!

——————————————-

Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.

Me hare u prijnë e me brohori,

ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!

——————————————-

 

Leximi i dytë   1 Kor 15, 20-26

Shën Pali paraqet nga njëra anë Adamin e parë si atë që ka mëkatuar dhe është i kërcënuar nga vdekja dhe nga boshllëku i dëshpërimit dhe nga ana tjetër paraqet Krishtin, Adami i përsosur ai që ka fituar mbi mëkatin dhe vdekjen dhe ka dhuruar jetën nëpërmjet ringjalljes.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhat engjëllore.

Aleluja

 

Ungjilli   Lk 1, 39-56

Në këngën “Manjifikat”, që Maria i drejtohet Hyjit Shpëtimtar, shfaqet mënjëherë kontrasti mes të fuqishmve dhe mendjemëdhenjve nga njëra anë dhe e të përvuajturve dhe të varfërve nga ana tjetër.  Mbi këtë turmë, në të cilën shkëlqen Nëna e Zotit e veshur me diell lartësohet fuqia e Hyjit që mbron dhe ushqen bijtë e tij. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” 

Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot kremtojmë pashkën e Maries, të Nënës Virgjër: ngritjen e saj të lavdishme në qiell.  Ashtu si Krishti jetoi e vdiq për ne, dhe me të ngjiturit në qiell u kthye në misterin e pafund të Hyjit, kështu edhe nëna e Zotit pas vdekjes së saj me ngritjen në qiell hyn në mbretërinë e Atit. Maria, e mbrojtur nga mëkati e nga pasojat e tij, e Papërlyera, krejt e Shenjtë, Nëna e Zotit, fryti i parë i mrekullueshëm i shpëtimit, lartësohet përtej engjëjve dhe shenjtërve si gëzimi i botës dhe kënaqësia e universit. Ajo hap kështu rrugën për fatin e fundit që pret të gjithë ne, pas provave të jetës tokësore. Fjala e sotme e Hyjit, na tregon një luftë të pafund mes së mirës dhe së keqes dhe tregon qartësinë se e mira është e prirur për të fituar.  Madhështia e vërtetë e Marisë gjendet në besimin që e bën të aftë “të ngjizë në zemër më përpara se në kraharorin e saj” Birin e Zotit. Virgjëra ka pranuar ftesën e Hyjit, për të qenë Nëna e Mesisë Shpëtimtar, nga lajmërimi i engjëllit deri në kryq dhe në lavdi.  Si nëna jonë, Ajo hyn në pafundësinë e Hyjit për tu shërbyer më mirë, nga atje lart, bijve të saj shtegtarë mbi tokë.  Afër të Birit, Maria e ngritur është ndërmjetësja jonë e fuqishme dhe mbrojtja jonë e sigurt. Varri bosh i Maries, imazh i varrit bosh të Jezusit, paralajmëron fitoren e plotë të Hyjit të jetës mbi vdekjen, kur në fund të botës do të rilindë trupat tanë të vdekshëm dhe do t’i bashkojë me trupin e lavdishëm të Krishtit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Maria nëna e panjollë e Zotit u ngjit në qiell me trup e me shpirt dhe me Jezusin Birin e saj galdon në lavdinë e amshuar. Me të lavdërojmë Zotin që “ka bërë gjëra të mëdha”. 

L. Të lutemi së bashku e të themi: Shenjta Mari, lutu për ne!

L. Për Kishën e shenjtë: që të eksperi-mentojë gjithmonë mbrojtjen e Virgjërës Mari, Nëna e saj dhe Mbretëresha. Të lutemi

L. Për të gjithë besimtarët: që besimi në Krishtin e ringjallur t’i nxisë të bëhen mbrojtës të të varfërve dhe të mbështesin të drejtat e tyre në vështirësitë e jetës së tyre. Të lutemi.

L. Për të rinjtë: që të mos i japin vendin e parë suksesit, por të zbulojnë vlerën e dinjitetit të tyre dhe domethënien e vërtetë të vetë trupit. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë: që të dijë të zbulojë përsëri një lidhje të vërtetë dhe të sinqertë me Marinë, për të marrë pjesë një ditë në lavdinë e Krishtit të ringjallur. Të lutemi.

M. O Hyj, që në Virgjërën Mari, kryeveprën e shpirtit tënd, na ke dhuruar paradhënien e krijimit të ri, dëgjoje lutjen tonë e bëj që, të lirë nga skllavëria e mëkatit, të përqafojmë me gjithë zemër të renë e Ungjillit, duke dëshmuar në fjalë dhe në vepra urdhrin e dashurisë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«