Shqetësimi – gur pengues

Aug 16 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Shqetësimi është një ndjenjë që të gjithë e njohim dhe e kemi provuar. Edhe sot, një numër i madh njerëzish shpesh shprehen: Jam i shqetësuar ose më shqetëson kjo situatë. Gjithashtu, për të treguar një ndjesi të pakëndshme përdoret edhe ndihem i merakosur, duke menduar se shpreh të njëjtën gjë ashtu si shqetësimi. Mirëpo duhet kuptuar se këto terma ndryshojnë nga njëri-tjetri.

Nëse përdoret termi merak, merakosem që shpesh zëvendësohet me preokupim (i cili është një term i huazuar),  ka të bëjë me diçka më reale dhe më konkrete, që do të thotë, të kuptosh se cilët janë problemet dhe me qetësi të ndërmarrësh hapat për t’i përballuar ato. Kurse shqetësim do të thotë të vish vërdallë duke bërë si i çmendur e duke mos e ditur përse. Kështu  personi duke mos e pasur të qartë se për çfarë shqetësohet, në të shumtën e herëve nuk ndërmerr asnjë veprim, por qëndron statik duke e ngarkuar veten me mendime të ndryshme jo reale, që e paralizojnë në vend dhe nuk e lejojnë për të vepruar.

 Mirëpo, sido që të jetë, shqetësimi është dhe mbetet një ndjenjë e pandashme nga personi. Është një reagim i pashmangshëm dhe i natyrshëm. E gjithë kjo vjen nga mënyra e të menduarit të gjërave para se të ndodhin dhe mendimi se gjithçka do të ecë mbrapsht, gjë që shumë herë e shtyn personin deri tek ndjesia e frikës dhe e ankthit. Kështu, nuk duhet harruar peshën dhe  rëndësinë që ka mënyra e të menduarit të gjërave. Kërkohet kujdes se çfarë mendojmë dhe si mendojmë. Shpesh dëgjohet thuhet se është e pamundur që personi të mos shqetësohet. Mund të qëndrojë kjo ide, por është e mundur të menaxhohen mendimet jo të arsyeshme, e jo reale, sepse mënyra e të menduarit varet nga unë, nga ti, pra nga vetë personi. Mendja është një mjet që nuk përfshin vetëm mendimin, por  përdoret edhe për të zgjidhur problemet.

Duhet kuptuar se sa më shumë që njeriu shqetësohet, fillon të  mendojë e të  krijojë  skema nga më të këqijat, gjithashtu vazhdon duke e bindur veten se nuk mund t’ia dalë. Vazhdon ta ushqejë veten me një vetëvlerësim të ulët, vazhdon t’i shohë e t’i lexojë gjërat dhe situatat me syrin e pesimistit. Pyet: Po sikur…??? e në fund nuk merr asnjë përgjigje, por vetëm ngarkesë shpirtërore, psikike, frikë dhe ankth.

Nëse bëhet një mini-test se për çfarë shqetësohet personi, shpesh del në pah që shqetësohet për gjëra të panevojshme, pa vlerë dhe që nuk janë në dorën dhe aftësitë e tij. Po përmend vetëm disa: shqetësohet për të ardhmen që nuk është në aftësitë e tij e është e panjohur për të; shqetësohet për motin që nuk është në dorën e tij; shqetësohet kur nuk e merr si këmbim atë që jep; kur gjërat nuk shkojnë sikur mendon ai; për kritikat që i bëhen; për gjërat që thuhen mbrapa krahëve; për shkak se nuk pëlqehet nga të gjithë; shqetësohet për rrudhat dhe për thinjat që i shfaqen, e në realitet është një proces normal; shqetësohet nga një telefonatë që i bëhet nga banka; për një mesazh urgjent që merr nga shefi, për lajme të pavërteta…etj. Gjithashtu në të shumtën e rasteve shqetësohet për gjërat që nuk kanë ndodhur e ndoshta nuk do të ndodhin asnjëherë. Shqetësohet për të kaluarën, për situata që kanë përfunduar, për situata që nuk kthehen mbrapa. Një proverb thotë se kjo është si të tentosh të presësh “tallashin me sharrë”, gjë që nuk bëhet, dhe “të ankoheni për qumështin e derdhur”, i cili nuk mund të mblidhet më.

Të pyesim veten: A ia vlen të shqetësohemi për këto e shumë gjëra të tjera??? Sigurisht që jo! Nga njeriu kërkohet të mendojë më të bukurën, e të bëjë më të mirën e mundshme atë që varet nga ai, e jo të lodhë veten me të kaluarën që nuk e posedon më dhe me të ardhmen që nuk varet nga ai e nuk është në dorën e tij. Të shqetësohesh do të thotë të mendosh e të supozosh se çfarë mund të ndodhë dhe të kesh frikë nga e ardhmja. Të shqetësohesh do të thotë të merresh me vogëlsira, të merresh me diçka para se të ndodhë!

Lind pyetja: Çfarë duhet bërë në raste të tilla? Kërkohet të ruhet gjakftohtësia e të përqendrohemi në zgjidhjen e problemit. Të veprohet e jo të qëndrohet duar kryq duke menduar gjëra të pa këndshme për të ardhmen që nuk e njohim.

Mirëpo, për të kuptuar se nuk ia vlen të shqetësohemi, sepse shumë gjëra nuk janë në dorën tonë, në aftësitë tona, e në forcën tonë, shpresoj se na ka bërë të reflektojmë e të kuptojmë rasti me të cilën po përballet gjithë njerëzimi, që është pandemia COVID-19. Nga një gjë e papritur, e padukshme, u bllokua çdo gjë, e shumë gjëra, plane, projekte, ngecën pa u realizuar për të mos thënë se dështuan. Asgjë nuk është në dorën tonë përpos të jetojmë e të shijojmë  jetën e të  bëjmë më të mirën e mundshme.

Me qëllim që të mos e ngarkojmë veten me gjëra që nuk varen nga unë, nga ti, nga ne, na këshillon edhe Shkrimi i shenjtë: Mos u shqetësoni për jetën tuaj: çka do të hani, as për tupin tuaj: me çka do ta vishni, sepse jeta është më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku. Vëreni korbat! As nuk mbjellin, as nuk korrin, nuk kanë as çilar, as grunar e Hyji i ushqen. Sa më të vlefshëm jeni ju se shpendët! (Lk 12, 22-24) Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falenderim- paraqitni Hyjit nevojat tuaja!(Fil 4,6). Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! ( Gjn 14,1). Pra, mos humbisni  kohë për gjërat që nuk janë në dorën tuaj, por besoni në Zotin, në atë që ka bërë e bën për ju dhe në atë që ju ka dhuruar. Sepse shqetësimi është humbje kohe, është shkatërrim i aspektit psikik, shpirtëror dhe fizik. Jo vetëm për personin por ai kalon edhe tek të tjerët me të cilët jetojmë dhe bashkëpunojmë. Ajo që kërkohet dhe mund të realizohet është: Kthejeni shqetësimin tuaj në besim.

Duke pasur parasysh se shqetësimi është një gjendje shpirtërore e brendshme jo e mirë,  ai mund të shkaktojë edhe probleme në aspektin fizik (probleme me lëkurën, tensionin, stomakun, ushqyerjen, rënien e flokëve…)  Është një gjendje që sëmur edhe njeriun më të fortë. Kështu arrin të dobësojë edhe produktivitetin tek personi, e jo vetëm për personin, por edhe për të gjithë rrethin e tij. Personit të shqetësuar i pengon secili njeri, jo vetëm ata që jetojnë me të, por edhe ata që takon rrugës bën sikur nuk i ka parë dhe nuk i ka vënë re, sepse nuk ka dëshirë të krijojë një marrëdhënie. Ai shfaq një mungesë vullneti, kënaqësie, gëzimi, çlodhjeje, durese, shprese, etj. Një ditë shqetësimi është më e lodhshme se një ditë pune. (Johan Lubbock)

 Ngaqë e dimë se shqetësimi shkakton probleme, kërkohet kujdes që të mos e ngarkojmë veten me gjëra të panevojshme e të pavlera. Mos të lejojmë që gjërat e vogla që nuk varen nga ne e që nuk kanë edhe aq peshë, të na prishin gëzimin e të na pengojnë në shijimin e jetës e të  lumturisë.

 

Kush përballet më tepër me shqetësimin?

Është një përgjigje shumë e thjeshtë dhe e qartë. Shqetësohet ai që nuk posedon elementin e besimit në Zot dhe në vetvete.  Ai që ka frikë nga e ardhmja, nga e panjohura, që e ngarkon mendjen me gjëra negative, ai që bën krahasime të vazhdueshme, ai i cili nuk është vetvetja, që pret gjithçka nga të tjerët e mendon se gjithçka varet nga rrethi. Kur këtë nuk e merr, atëherë fillon e shqetësohet. Por po të kishte besim në Zotin, në mirësinë që Ai ia ka dhuruar, nuk shqetësohet fare. William Xheims thoshte: Sigurisht që kura më e mirë për shqetësimin është besimi fetar.

 

Si të liroheni nga shqetësimi?

Që të liroheni nga shqetësimi është e nevojshme të ndryshohet mënyra e të menduarit. Filloni të besoni në praninë e Zotit. Gjithashtu, të keni vetëbesim, të jeni mirënjohës përballë asaj që ju është dhuruar nga Zoti. Të luteni, të meditoni. “Pa lutje do të isha çmendur kohë më parë.” (Mahatma Gandi). Mirëpo për të arritur këtë kërkohen të paktën tre elemente: vetëdija, vullneti dhe të qenit vetvetja. Gjithashtu, një ndihmesë shumë e vyer është edhe prania e një person me të cilin i bashkëndani gjërat, dikush që është i gatshëm t’ju dëgjojë.

Dhe në fund, një ftesë e përditshme që i duhet drejtuar vetes dhe të tjerëve është: Kthejeni shqetësimin tuaj në besim!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«