Zotit i intereson se si jam duke u formuar

Aug 17 • Meditimi i ditës

17 gusht 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Ez 24, 15-24; Ps: Lp 32, 18-21; Mt 19, 16-22)

 

Prania e Hyjit

“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

O Zot, më ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Më jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Më përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit, që më do,
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 19, 16-22

16 Dhe ja, iu afrua një njeri dhe e pyeti:

“Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

17 Ai iu përgjigj:

“Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse dëshiron të hysh në jetë, zbatoji urdhërimet!” 18 “E cilat? ‑ pyeti ai.

Jezusi i tha:

“Mos vra

Mos the kurorën!

Mos vidh!

Mos bëj dëshmi të rreme!

19 Ndero babain e nënën tënde!

Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”

20 Djaloshi i tha:

“Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?”

21 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!”

22 Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Djaloshi u përpoq të bënte më të mirën e vet, por e kuptoi se diçka mungonte; diçka ende e pengonte. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tija më të mira, duket sikur Jezusi s`i jep zemër, por kërkon prej tij që të përballet me të vërtetën.
  • Koha që e kaloj në lutje do të më çojë në kontakt me mesazhin e Jezusit, mesazhin që vjen nga Hyji që është sfidues dhe shkakton njëfarë pikëllimi. Ndoshta e kuptoj se Zoti më pak është i interesuar se çka po bëj, më shumë i intereson sesi jam duke u formuar. Hyji më thërret përtej thjesht një aktiviteti – më thërret në një marrëdhënie më të thellë me të.

 

Bashkëbisedimi

Është interesante që urdhërimet që Jezusi ia citon të riut pasanik nuk përfshijnë tre të parat, të cilat kanë të bëjnë me Hyjin. Në vend të tyre, Jezusi rendit ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona me të tjerët. Mesazhi është i qartë – ne nuk jetojmë në izolim. Dashuria ndaj të afërmit është dera e jetës së amshuar.

Cilat lidhje/varësi në jetë më mbajnë larg një marrëdhënie më të thellë me Zotin dhe të afërmin?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e rëndë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për te rruga e Zotit mund të bëhet çdo natë para se të shkosh të flesh dhe çdo mëngjes kur fillon dita.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. Mendoje, shprehe, zbatoje këtë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«