I/e ftuar në bashkë-mbretërim

Aug 20 • Meditimi i ditës

20 gusht 2020 – E enjte, Shën Bernardi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 36, 23-28; Ps 51, 12-15.18-19; Mt 22, 1-14)



Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.
Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe kuptimin e pranisë sate.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu siç jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment – nëse je në dhomë. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, dëgjo, lutu.

 

Mt 22, 1-14

1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte:

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajini të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’

5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, pastaj, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.

8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’

10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e hidheni jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Disa e shohin këtë histori si një paralajmërim kundër vetëkënaqësisë, kundër marrjes së vendit tim në qiell si të mirëqenë, ose marrjes së Zotit si të mirëqenë. A më flet ky paralajmërim? A është diçka që duhet ta dëgjoj?
  • Të tjerët mund të përqendrohen në atë që kjo shëmbëlltyrë thotë për gjerësinë e ftesës së Hyjit – thirrjes së Hyjit – jo vetëm për disa, por për të gjithë (“edhe për të mirët edhe për të këqijtë” thuhet). Nëse jam shumë i vetëdijshëm për të keqen time, mëkatet e mia, të metat e mia dhe mendoj se Hyji nuk do të donte dikë si unë, ndoshta kjo është ajo që më duhet ta dëgjoj në këtë shëmbëlltyrë.

    Kur Jezusi flet në shëmbëlltyra, nuk është gjithmonë e lehtë të dimë saktësisht se çfarë ai dëshiron të thotë. Por pikërisht kjo është poenta – kjo ka për qëllim ta ngacmojë mendjen tënde për të menduar për këtë, për të të bërë të reflektosh – për ta zbuluar. Ndërsa e lexon, e dëgjon përsëri pasazhin, pjesën e ungjillit, vë re se çfarë mendimesh të vijnë në krye. Çfarë mendon se po thotë kjo shëmbëlltyrë?

     

Bashkëbisedimi

Jezusi është i pranishëm këtu në këtë moment, ndërsa je duke u lutur, kështu që fol me të, ashtu si një mik flet me një tjetër, në lidhje me atë që fjalët e tij të thonë dhe si dëshiron t’i përgjigjesh mesazhit, porosisë së tij.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të Shkrimit Shenjt. O Zot, shpesh herë gjërat e jetës së përditshme më verbojnë nga thirrja jote madhështore për të qenë pjesëtar/e në Mbretërinë tënde. Mbretëria jote është e hapur “edhe ndaj të mirëve edhe ndaj të këqijve”, e ti na fton për ta ndërtuar atë. M`i jep hiret e nevojshme që të jem i/e gatshëm/e për të qenë pjesëtar/e i/e denjë në këtë detyrë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«