Jezusi i tha Pjetrit: Ty do t’i jap çelësat e mbretërisë

Aug 22 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXI gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Is 22, 19-23

Sebna, zëvendësi i mbretit Ezekia, zëvendësohet nga Eliakimi, të cilit i besohet “çelësi i shtëpisë së Davidit”.  Ai do të jetë besnik ndaj vullnetit të Zotit, nuk do të dominojë, por do të shërbejë. Pas kësaj ngjarjeje fshihet figura e Krishtit, shërbëtor i vërtetë i shtëpisë së Davidit dhe zbulimi i fytyrës së Hyjit. 

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti Sebnës: “Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë babë për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  137

 

Ref: Mos na braktis, o Zot, për dashurinë e besnikërinë tënde

———————————–

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,

sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve,

adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

———————————–

E lavdëroj Emrin tënd

për dashurinë e besnikërinë tënde,

sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,

shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

———————————–

Sepse i lartë është Zoti

e i shikon të përvujtët,

e prej së largu i dallon krenarët.

E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:

mos e përbuz veprën e duarve të tua!

———————————–

 

Leximi i dytë   Rom 11, 33-36

Shën Pali i thur një himn diturisë së pafund të Hyjit. Tani hebrenjtë dhe paganët kanë hyrë në planin e shpëtimit. Hyji tërheq të mirën nga e keqja; ndryshon mëkatin në hir; refuzimi i hebrenjve ndaj Krishtit është për Hyjin një arsye për të përdorur mëshirën ndaj paganëve, të cilët më parë ishin larg, tani janë afër. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija! E njëmend, kush e njohi mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i ktehet? Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen! Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Ti je Pjetër-Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 16, 13-20

Ungjilli na flet për shpalljen e mrekullueshme të besimit të Pjetrit dhe për premtimin që Jezusi i bën atij t’i japë “çelësat e mbretërisë”, me fuqinë që të “lidhë dhe të zgjidhë”. Pjetri ka qenë prezantuesi i besimit të dishepujve në Jezusin, Mesia dhe Biri i Hyjit, për këtë ai merr detyrën për të ruajtur bashkimin mes dishepujve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njeriu është i lidhur me të kaluarën që i jep siguri. Ekziston një frikë e thellë për të shikuar përtej, për t’u hapur ndaj ideve të reja të jetës. Pjetri, duke iu përgjigjur pyetjes së dytë të Jezusit, hapet ndaj të resë së Hyjit.

“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Pyetja e parë nuk është shumë angazhuese. Është një lloj “sondazhi” opinionesh: njerëzit çfarë mendojnë, çfarë thonë për Të? Njerëzit ushqejnë një vlerësim të madh për Jezusin, por nuk kanë kuptuar të renë e tij dhe origjinën e tij.

“Po ju, ç’thoni: kush jam unë?”. Jezusi u drejton dishepujve një pyetje të dytë: “Kush jam unë për ty, për ju?” Secili prej nesh është i detyruar të pyesë zemrën e vet, pa u kënaqur nga ndonjë formulë e mësuar përmendësh, por duke u munduar të kuptojë domethënënien e thellë.

“Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”. Pjetri përgjigjet në emër të apostujve dhe rrëfehet besimin e tij rreth identitetit të Jezusit. Ai “Mesia” (Krishti) është Mbreti dhe Bariu i vetëm dhe i fundit i popullit të Izraelit, i Dërguari i Hyjit për t’i dhënë të gjithë njerëzimit plotësinë e jetës. Vetëm për Të të gjithë kanë nevojë. Është Biri i Hyjit: marrëdhënia e tij bijësore me Hyjin është e pakrahasueshme.

“I lumi ti, o Simon, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im”. Jezusi shpall “të lumë” dishepullin e vet. Besimi është sekreti dhe burimi i lumturisë. Në këtë zbulim të identitetit të Jezusit, Ai sheh ndërhyrjen falas të Atit e jo frytin e aftësisë njerëzore.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Atit që na ka shfaqur nëpërmjet Jezu Krishtit dashurinë e madhe për ne, t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.

L. Për Papën, pasardhësin e Pjetrit: forcoje, o Zot, në besim e bëje udhëheqës të sigurtë dhe atëror të Kishës. Të lutemi.

L. Për të gjithë popullin që ti, o Zot, ia ke besuar Pjetrit dhe pasardhësve të tij: bëje të sigurtë në bashkim, bëj që të rinjohë në Jezusin qendrën e bashkimit të të gjithë besimtarëve. Të lutemi.

L. Që atyre që nuk e njohin Jezusin t’iu arrijë Ungjilli dhe të mund të dëshmojnë që ai është Krishti, Biri yt që ka ardhur për të na shpëtuar. Të lutemi.

L. Që në të rinjtë të rizgjohet dëshira për të takuar Krishtin dhe për të gjetur në të udhëheqësin e jetës së tyre. Të lutemi.

L. Për të gjithë ne, që me pjesëmarrjen në Eukaristi të marrim energji të reja për të qenë gurë të gjallë në Kishë. Të lutemi.

M. O Atë, Ti dëshiron bindjen ndaj fjalës sate më shumë se ofertat dhe flijimet: shikoje atë që sjellim mbi altarin tënd dhe na ndihmo ta kërkojmë gjithmonë vullnetin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«