Laterkuli unik nga Cërca e Istogut
Nga Haxhi MEHMETAJ
Mbishkrimi i Laterkulit në përkthim të lirë është ky: Më fat gurë themeli i banjës së Labanonit. [E ngriti] Tenouo. Ai njëherazi dëshmon për ekzistimin e vendbanimit Labanon, të cilin e mbante ky vendbanim i antikitetit, pararendës i Cërcës së sotme. Mbishkrimi mund të datohet në antikitetin e vonë të shek. IV – VI pas Krishtit.
Gjatë punimeve bujqësore në vendin e quajtur “Arat e Njoma” në Cërcë të Komunës së Istogu, brenda vendbanimit të periudhës së antikitetit të vonë, para afro njëzet vitesh u gjet një Laterkul, tullë e vogël dyshemeje, i pari i këtij lloji në Kosovë. Vendbanimi shtrihet rrëzë maleve të Moknës, në një ambient të bukur bujqësor dhe blegtoral, pranë trasesë së rrugës antike Mitrovicë – Pejë.
Laterkuli është punuar nga argjila e ngjyrës së kuqe. Ka përmasa 26 x 26 x 7cm. Mbi sipërfaqen e sheshtë, të njomë e të lëmuar para pjekjes, me dorë të lirë, në pesë rreshta horizontal, me një shkrim të shpejt në latinishte vulgare është shkruar mbishkrimi:
L A T e r c u l i
I N B a l n e o
L a b a n o n
T e n o u o
F e l i c i t e r
Tri shkronjat e para te rreshtave një dhe dy, sikurse edhe nistoret e rreshtave katër, pesë dhe gjashtë, janë shkruar më shkronja të mëdha, ndërsa shkronjat tjera janë shkruar më shkronja të vogla. Lartësi e shkronjave lëviz nga 3 deri në 5cm, ndërsa thellësia nga 1 deri në 2mm. Fjala është për mbishkrim përkushtimi të shkruar më rastin e inaugurimit të një banje, të ngritur sipas gjasave për punëtorët e punishtes së tullave. Mbishkrimi i Laterkulit në përkthim të lirë është ky: Më fat gurë themeli i banjës së Labanonit. [ E ngriti ] Tenouo.
Ai njëherazi dëshmon për ekzistimin e vendbanimit Labanon, të cilin e mbante ky vendbanim i antikitetit, pararendës i Cërcës së sotme. Mbishkrimi mund të datohet në antikitetin e vonë të shek. IV – VI pas Krishtit. (Khs librin: H. Mehmetaj, Trashëgimia arkeologjike e komunës e komunës së Istogut, Prishtinë 2016, f. 54. fig. 42.)./drita.info
Fotografia në ballinë: Laterkuli i Cercës ( Dizajn: Dukagjin Mehmetaj)
« Jezusi i tha Pjetrit: Ty do t’i jap çelësat e mbretërisë Jezusi e vlerëson të padukshmen »