Jezusi e vlerëson të padukshmen

Aug 24 • Meditimi i ditës

24 gusht 2020 – E hënë, Shën Bartolomeu (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 21, 9b-14; Ps 144; Gjn 1, 45-51)

 
Prania e Hyjit

E marr me mend që gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Ndalem një moment dhe mendoj për këtë.

 

 Liria

Lutem për hirin e shenjtë
që t`i harroj brengat e mia,
që të jem i/e hapur çka Hyji kërkon prej meje,
që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës
për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë nëdisa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 45-51

 

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha:

“E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.

“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Filipi është aq i ngazëllyer që e kishte gjetur Jezusin, sa që ai dëshiron të ndajë lajmin e mirë me mikun e tij. Por Natanieli është më skeptik. Çfarë është ajo që e shtyn Natanaelin të kalojë nga dyshimi në njohjen e Jezusit?
  • Çka ka qenë ajo që Jezusi e kishte parë nën fik? Çfarë ngjarje apo fjale ishte që e çuditi Natanaelin? Çka sheh Natanaeli te Jezusi?
  • Do ta përfytyroj sesi Jezusi më vështron nën fikun e jetës sime dhe si e vlerëson atë çka është e fshehur prej të tjerëve.Ndërsa e lexon, e dëgjon përsëri pjesën e ungjillit, vendose veten në vendin e Natanaelit. Paramendoje që po e takon Jezusin ballë për ballë. 

 

 Bashkëbisedimi

Ndërsa e vendos veten në atë skenë me Jezusin, çfarë të thotë ai ty? Dhe çka i thua ti atij, si përgjigje?

 

 Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Gjatë këtyre  momenteve vura ra se përgjigjja e Natanaelit “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” duket cinike, por ai ishte i gatshëm të shkonte dhe të shihte siç e kishte ftuar Filipi. O Zot, më jep fuqi që të ballafaqohem me përgjigjet që nuk më pëlqejnë dhe të sillem me butësi me ata që dyshojnë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«