Nëna Tereze – jetë dhe porosi për Popullin tonë

Aug 31 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

Sivjet, kemi një festim të trefishtë, që na lidhë me Shën Nënën tonë Tereze:

  • 110 vjetorin e lindjes (26 gusht 1910)
  • Katër vjetorin e shenjtërimit (4 shtator 2016)
  • Tre vjetorin e shugurimit të Shenjtërores dhe Katedrales Shën Nëna Tereze në Prishtinë (5 shtator 2017)

Në jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut (1910-1928), të Motrës Tereze të Krishtit Fëmijë (1929-1950) dhe të Nënës Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997), rendësi të veçantë kanë pasur së pari prindërit e saj, Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, pastaj “shtëpia e dytë” famullia e Zemrës së Krishtit në Shkup, dhe pa dyshim historia e përgjakshme dhe martire shqiptare, krishterimi ynë dymijëvjeçar, tradita dhe kultura jonë që ka në zemër mikpritjen, bujarinë, solidaritetin, bamirësinë.

Ja vetëm disa dëshmi për Kolë Bojaxhiun: “Im atë ishte tregtar i njohur, biznesmen dhe kontraktues i mirë. Ai ishte pronar, së bashku me një mik të tij, e një firmë ndërtimi në Shkup. Pastaj u bë edhe pronar shtëpish të ndryshme, madje edhe vilash, në njërën prej të cilave jetonim edhe ne… Ishte njeri shumë i shoqërueshëm, andaj dera e shtëpisë ishte gjithnjë e hapur për të gjithë… Babai ishte njeri i rreptë, priste shumë prej nesh… Gjithmonë ma përsëriste:”Mos harro kë e ke babë!”.

E kujtoj me gëzim bujarinë e babait tim. Ai u jepte para dhe gjëra ushqimore të gjithëve, pa u lavdëruar ndonjëherë, apo pa e ditur gati askush këtë… Gjithnjë më thoshte :”Duhet të jesh dorëdhënës me të gjithë, sepse Zoti ka qenë edhe është zemërgjerë me ne, Ai na ka dhënë kaq shumë, çdo gjë; Prandaj, duhet t’u bëjmë mirë të gjithëve…”(Lazër Bojaxhiu).

Baba Kolë më thoshte: “Bija ime, mos ha as mos prano të hash asgjë pa e ndarë me të tjerët!”; apo: “Egoizmi është sëmundje shpirtërore, që të bën rob dhe nuk të lejon të jetosh apo t’u shërbesh të tjerëve…” (Nëna Tereze).

“Më 28 nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Babai imi ndihmonte patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave…” (Lazër Bojaxhiu).

Ishim familje aq e lumtur, përplot hare, dashuri e fëmijëri të qetë. Edhe pse e ndjekja një shkollë laike, para së gjithash familja ime, dhe më vonë famullia e “Zemrës së Krishtit”, më dhanë një edukim të mirë dhe të shëndoshë…” (Nënë Tereza).

Me pak fjalë: Kolë Bojaxhiu ishte kryefamiljar i mirë dhe shumë i kujdesshëm, tregtar, ndërtimtar, patriot, muzicist, poliglot, njeri politik, këshilltari i qytetit të Shkupit, por mbi të gjitha i ati dhe edukatori i të madhes bijë Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Ja disa dëshmi për Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu: “Kurrë nuk i kam parë a dëgjuar prindërit e mi duke u grindur. Gjithmonë ishin të gatshëm të flisnin, të bisedonin, të na rrinë pranë. Nëna ime, Dranja, na përkushtonte tërë vëmendjen e saj neve fëmijëve. Ajo përkujdesej për familje, ndërsa baba Kolë kishte aq shumë për t’u përkujdesur jashtë familjes… (Lazër Bojaxhiu).

“Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, para mbrëmjes e kishte zakon t’i kryente të gjitha punët, që të mund ta priste sa më mirë babain tim…” (Nënë Tereza).

Shumë varfanjakë të Shkupit dhe të rrethinës e njihnin derën tonë. Askush nuk u kthye ndonjëherë duarthatë. Për çdo ditë na vinte dikush për drekë a darkë. Herën e parë kur e pyeta nënën time se kush ishin këta, ajo na u përgjigj kështu: “Disa i keni të afërm, të tjerët janë pjesëtarë të familjes sonë të madhe Bojaxhiu, disa janë dajtë e juaj”… Kur u rrita e kisha të qartë se ata qenë njerëz të varfër që s’kishin gjë prej gjëje dhe të cilët nëna ime i mbante me bukë…” (Nënë Tereza).

Rreth thirrjes së pare misionare Nëna Tereze rrëfente kështu: “Ndonëse nëna ime ishte e shenjtë, në fillim ajo qe kundër dëshirës sime për t’u bërë misionare. Ajo nuk donte të më humbte. Ne të gjithë u lutëm së bashku. Një ditë më tha: “Do ta japë lejen që të vesh në kuvend; dhe ç’bëri pastaj? Ajo mbylli veten në dhomë dhe gjithë ditën nuk deshi të shihte njeri. Kur dola nga shtëpia në të cilën kisha lindur, për ta marrë rrugën e misionit, ajo më tha: “Vëre dorën tënde në dorën e Jezusit dhe shko përpara. Shikoje më në sy. Kurrë mos shko prapa, gjithmonë përpara!” (Nënë Tereza).

Dhe vazhdonte: ”Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’iu dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur. Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja jonë e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ka ndihmuar shumë për të arritur një vendim të tillë…” (Nëna Tereze).

Lidhur me familjen ajo me dorë të vet e shkroi në Binçë në gjuhën shqipe këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje. Dhe familja qi lutet bashk mbetet bashk. – Ne kemi shum me u fal nderes Zotit per t’mirat qi dashnija e Zotit i ka dhan per familjet tona. Lutuni shum per mua si dhe une per ju. Zoti kjoft me ju!” (Binçë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze thoshte shpeshherë kështu ”Sot bota jeton në një lloj tollovie dhe mendoj se kjo fillon në familje. Bota vuan shumë sepse s’ka paqe. S’ka paqe në botë, sepse ajo mungon së pari në familjet tona, me mijëra familje janë të ndara. Duhet t’i bëjmë familjet tona qendra të mirëkuptimit, të faljes së pakufi, sepse vetëm kështu do të jetojnë në paqe…

A i njeh ti të varfrit e familjes sate? Ndoshta në familjen tënde dikush është shumë i vetmuar, i padëshiruar, shumë i anësuar. Ti a e di këtë?

Dashuria është fryt i çdo stine dhe për çdo njeri…

Unë i kam mësuar shumë njerëz që të duhen njëri me tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi…”.

Dhe e përfundoi porosinë e saj me këtë sintezë vërtet të mrekullueshme:

“Fryti i heshtjes është urata.

Fryti i uratës është feja.

Fryti i fesë është dashuria.

Fryti i dashurisë është shërbimi.

Fryti i shërbimit është paqja”.

Nga familja e madhe shqiptare, katolike, bujare dhe flijimtare lindi dhe qe rritur, edukuar Gonxhe Bojaxhiu, Bija jonë, Motra jonë, Nëna e botës, tani Shenjtëresha e Dashurisë.

Me një pretk i ndjeri Imzot Nikë Prela (1918 – 1996) ndër të tjera pati thënë kështu: “Ndoshta para se të shpallej shenjtëreshë Nëna Tereze, do të duhej të shpallej nëna e saj, Drane Bojaxhiu, e cila për së gjalli u nda prej saj duke u flijuar dhe dhuruar deri në vdekje për të mirën e Bijës, Kishës, botës, njerëzimit…”.

Të tilla ishin nënat shqiptare, shpresojmë se janë dhe do të mbesin flijimtare, jetëdhuruese dhe edukatore shembullore. E tillë, e madhe, e mrekullueshme, e rrallë, ndoshta edhe e papërsëritshme ishte Nëna jonë Tereze.

Ajo dha një dëshmi të jashtëzakonshme feje dhe dashurie, flijimi dhe shërbimi në dobi të njerëzimit që lëngonte dhe pësonte. Tani me siguri lutet dhe ndërmjetëson para Zotit për familjet tona, për paqe, pajtim, mirëkuptim, bujari, bamirësi dhe na fton dhe frymëzon me këto tri porosi përmbajtësore dhe jetësore:

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

“Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën!”.

“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«