Si e lexoj dhe përçoj porosinë e Jezusit?

Aug 31 • Meditimi i ditës

31 gusht 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 2, 10b-16; Ps 145, 8-14; Lk 4, 31-37)

 

Prania e Hyjit

Ndalem e mendoj pak çaste për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë

ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vënë re fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm me mend e zemër,
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 4, 16-30

 

16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua

sepse Ai më shuguroi!

Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin,

të verbërve dritën e syve;

t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,

19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha:

“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”

22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin:

“Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”

23 Atëherë u tha:

“Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’

24 Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”

28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Po të ishe i/e lutur për t`i shpallur bashkësisë sate një pasazh (pjesë) të Shkrimit Shenjt, cili pasazh do të ishte? Gjatë kohës që je duke menduar për zgjedhjen që do ta bësh, të kesh kujdes se si zgjedh. Mendo për një pasazh që Jezusi e sjell dhe përpiqu ta ndjesh se çfarë do të thotë për të ai pasazh. Mendo për kuptimin që Jezusi donte të kishte ai pasazh për dëgjuesit e tij.
  • Kërkoji Hyjit që të të ndihmojë t`i dëgjosh fjalët siç i ka dëgjuar Jezusi dhe me liri shpalli ato për të mirën e përbashkët të të gjithë atyre te të cilët je i/e dërguar.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt, o Zot, e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.
Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »