Familja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze

Sep 2 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

Kolë apo Nikollë Bojaxhiu ka lindur në Prizren në vitin 1873, tre vjet pas hapjes kremtore dhe bekimit të katedrales “Zoja Ndihmëtare” dhe pesë vjet para Lidhjes së Prizrenit. Ishte pagëzuar në të njëjtën katedrale. Prindërit e tij ishin Lazër Bojaxhiu, prizrenas, dhe Cecilia (Çilja) Bojaxhiu, me prejardhje shkodrane.

“Sipas dokumenteve të gjetura në famullinë e Prizrenit e që kanë të bëjnë me organizimin dhe punën e kompanive kishtare, rezulton se Mark Bojaxhiu (Bojagia) i ka pasur dy djem. Njëri quhej Nrec (Nrekë), ndërsa tjetri quhej Lazër. Lazri pastaj ka pasur një djalë dhe ai ishte Kola (babai i Nënës Tereze) dhe një vajzë e cila quhej Marija Bojaxhiu, halla e Nënës Tereze, e që ishte gjyshja e monsinjor NikollëMinit. Ndrekë Bojaxhiu e ka pasur po ashtu një djalë i cili quhej Tomë Bojaxhiu” (Pjetër Përgjoka, Frymëzimi për jetën dhe veprën, Shpresa, 2003, f. 97).

Në arkivin e famullisë “Zoja Ndihmëtare” në Prizren është gjetur në vitin 2010 dokumenti dhe testamenti i Lazër Bojaxhiut, gjyshit të Nënës Tereze, birit të Mark Bojaxhiut, në të cilin ai në emër të familjes shkruante kështu: “Shtëpitë, tokën dhe fondet të vendosura në qytetin e Prizrenit si dhe jashtë, si të mirat e patundshme, po ashtu edhe ato të tundshme, të cilat në emër tim, si pronë e blerë apo pronë e imja, të shënuara në regjistër të zyret publike, ashtu edhe në marrëveshjet private… nuk janë më pronë e ime, por i përkasin Arqipeshkvit katolik, Kishës Katolike të Prizrenit, të cilët janë pronarët e vërtetë dhe real i të mirave të lartpërmendura…”. (Prizren, 23 janar 1880).

Kolë Bojaxhiu dallohej për shumë veprimtari kulturore, shoqërore, tregtare dhe politike, si p.sh. ndërtuesi i Teatrit të Shkupit, një ndër ndërtuesit dhe financuesit e hekurudhës që lidhte Shkupin me Kosovën, sidomos në grykën e Kaçanikut, i vetmi këshilltar komunal shqiptar dhe katolik i Shkupit, themeluesi dhe financuesi i orkestrës frymore “Zani i Maleve”, e cila defilonte nëpër rrugët e Shkupit me rastin e çlirimit nga perandoria turko-otomane duke kënduar, duke vallëzuar për fitoren e madhe dhe çmimin e lartë të lirisë.

Ai po ashtu ishte përkrahës i flaktë i luftës për liri dhe pavarësi nga sundimi shekullor turko-otoman, njeri që përkrahte shkollimin, arsimimin dhe qytetërimin e fëmijëve të vet dhe të tjerëve, bamirës i rrallë dhe shumë i dalluar për të varfër, sidomos për Kishën Katolike dhe veprimtaritë e saj bamirëse.

Këto veprimtari, veçmas mbrojtja e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-kroato-sllovene ose Jugosllavinë e parë apo të vjetër, i pagoi edhe me jetë.

Për ta falënderuar për ndihmën dhe përkrahjen e luftës për çlirim nga sundimi turko-otoman shekullor, ia edhe kujtimi i Lazrit për këtë ngjarje: “Më 28 Nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, patriot i njohur që luftonte kundër turkut, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Baba Kolë i ndihmonte patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave. Im atë merrej shumë me politikë…” (Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, DRITA, 2010, f. 41).

Këtë pjesëmarrje të Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sabri Qytezit dhe të tjerëve në festën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në familjen e Kolë Bojaxhiut, përpos Lazër Bojaxhiut, Lorenc Antonit, e dëshmojnë dhe vërtetojnë edhe shumë burime tjera, kryesisht gojore, kujtime personale dhe familjare nga Shkupi dhe Tirana.

Pyetja kryesore që shtrohet nuk është më vërtetësia e kësaj ngjarjeje, por lidhjet dhe ndërlidhjet mes personaliteteve të spikatura patriotike dhe luftarake dhe familjes së Kolë Bojaxhiut.

Ja, pra, disa shqyrtime dhe sqarime që na ndihmojnë për ta kuptuar më mirë dhe më saktë këtë lidhje dhe bashkëpunim. Pika e parë pa dyshim është kjo: Kolë Bojaxhiu ishte një atdhetar i madh dhe i devotshëm shqiptar dhe katolik, kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kultivimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, të shkollës shqipe, që ai e kishte përkrahur me mish e shpirt dhe e kishte financuar, sidomos atë pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” në Shkup.

Sipas rrëfimit të mësueses tiranase MyzajenMero, fqinje dhe mike e Drane dhe Age Bojaxhiut, e cila e kujton mirë tregimin e Dranes për helmimin e burrit të saj, Kolë Bojaxhiut për shkaqe të angazhimit të tij patriotik për çështje të lirisë së popullit shqiptar, për shkollën shqipe pranë kishës së “Zemrës së Krishtit”, të cilën e kishte themeluar dhe financuar në bashkëpunim me etërit jezuitë, me mësuesin e parë NdueVorfin.

Bashkim Zajmi, mik i familjes Bojaxhiu në Tiranë, sidomos AvniZajmi, tregon se Drane dhe Age Bojaxhiu kishin dy dhoma dhe një kuzhinë dhe jetonin mjaft thjesht, por ishin shumë të përshpirtshme, sidomos “Nëna Loke” – Dranja. AvniZajmi me shumë nderim ende ruan disa kujtime, ndër të cilat dallohet vepra e përshpirtshme “Katër Ungjijë” në përkthim të KostantinKristoforidhit, të botuar në vitin 1872, që nëna Drane shpesh e kishte në dorë, e lexonte, edhe më shumë në zemër.

Po ashtu me kujdes ruhen edhe orenditë shtëpiake të asaj kohe dhe që ishin përdorur nga Drane dhe Age Bojaxhiu dhe të cilat i kishte vizituar me shumë ndjenja dhe përjetime të thella emocionale Nëna Tereze gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri në gusht të vitit 1989 (Krh. Historia e familjes së Nënë Terezës, Speciale abc news, 2012).

Kolë Bojaxhiu, siç dihet, ishte mik i madh dhe bamirës i dalluar i Kishës Katolike në Shkup dhe më gjerë, sidomos i arqipeshkvitLazër Mjedës dhe i jezuitëve në kishën “Zemra e Krishtit” në Shkup dhe rrethinë. Mu për këtë, shpeshherë ai ishte mysafir në shtëpinë e Kolë Bojaxhiut, në shenjë të nderimit dhe të falënderimit.

Lazër Bojaxhiu tregonte kështu: “Arqipeshkvi, bashkë me priftin e famullisë, i thoshte shpesh: ‘Zoti ta shpërbleftë!’… Kur ishte në shtëpi ai shkonte shpesh në kishë, sidomos të dielave dhe ditëve të kremteve ai rregullisht shkonte në meshë. Në familje të gjithë luteshim bashkë përnatë… Imzot Lazër Mjeda shpesh thoshte: “Kolë Zoti të shpërbleftë ty dhe familjen tënde, në këtë dhe në atë jetë, për të gjitha që ke bërë për mua, për Kishën dhe popullin shqiptar” (Don Lush GJERGJI, vep. e cit. f. 43; 58).

Po ashtu kishte punuar dhe bashkëpunuar vazhdimisht me shumë patriotë shqiptarë në luftë për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar, sidomos të Shqipërisë, gjë kjo që i kushtoi edhe me jetë, sepse qe helmuar nga shovinistët serbë/sllavë/ në Beograd.

Porosia e fundit e Kolë Bojaxhiut dhënë bashkëshortes Dranës ishte një dëshmi e madhe e fesë dhe një siguri për jetën e pasosur, si dhe lëshimi i plotë i tij dhe i familjes në dorën e Zotit: “Mos ke mërzi, çdo gjë do të jetë në rregull. Çdo gjë është në duart e Zotit… Drane, të lutem, përkujdesu për fëmijët… Që prej sotit ata janë në duart e tua … dhe të Zotit…”. (Lexo: Don Lush Gjergji, vep. e cit. f. 43).

Kolë Bojaxhiu si ta kishte pasur një parandjenjën se së shpejti do të vdiste, do të vritej, dhe sipas dëshmisë së fqinjëve ku kishin jetuar në Tiranë “Nëna Loke” Drane Bojaxhiu dhe bija e saj Age Bojaxhiu, sidomos familjes së Avni Zajmit.

Mësuesja Myzajen Mero thotë se Drane Boajaxhiu i kishte treguar disa herë për helmimin e burrit, Kolë Bojaxhiut, i cili ishte tregtar, ndërtimtar, patriot i dalluar, njeri shumë i pasur dhe tejet bujar, bamirës për të gjithë. Shi për këtë shpesh i thoshte Dranës kështu: “Fëmijtë kurrsesi nuk do t’mi lashë pa shkollë… Djalin Lazrin do ta përcjellësh në liceun e Korçës, kështu jam marrë vesh me disa miq të mij… Sabri Qyrtezi, miku i familjes e përcolli Lazër Boajxhiun në Korçë, ku e kreu shkollën e mesme, pastaj vijoi akademinë ushtarake në Grac të Austrisë dhe në Torino të Italisë… Më vonë erdhi në Tiranë për shërbim ushtarak” Edhe dy vajzat Agia dhe Gonxhja kishin vijuar shkollimin…” (Khs. Historia e familjes së Nënë Terezës, Po aty).

Dëshmi të ngjashme gjejmë edhe tek autorët tjerë që kanë shkruar mbi Nënën Tereze dhe familjen e saj. Vlerë të posaçme ka dëshmia e jezuitit belg atë Celestin Van Exem-it, shpirtërorit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Nënës Tereze në Kalkutë, sidomos gjatë viteve të formimit të bashkësisë së re rregulltare “Misionaret e Dashurisë”.

“I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte sipërmarrës ndërtimi. Firma e tij ishte shumë e njohur dhe kishte ndërtuar teatrin e parë në Shkup. Ai ishte anëtar i këshillit bashkiak dhe fliste disa gjuhë… Atë CelestinVanExemi, udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës në ditët e para do të thoshte se ajo e përshkruante babain e vet si njeri zemërbardhë, i cili gjithmonë i ndihmonte të varfrit…”( Nevin Kaula, Nënë Tereza, Shtëpia botuese “OMISCA”- “Afërdita”, Tiranë, 1998, f. 21).

Dy mësuesit e parë në shkollën fillore pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” ishin Engjëll Nocaj nga Shkodra dhe më vonë edhe Ndue Vorfi. Ata ishin po ashtu mësimdhënësit dhe edukatorët e Gonxhe Bojaxhiut, sidomos për atdhedashuri, për gjuhën shqipe, historinë, traditën dhe kulturën shekullore kombëtare shqiptare.

Këtë e vërteton dhe dëshmon edhe fotografia dhe mbishkrimi në dërrasën e zezë nga viti 1922, në të cilën shihet Gonxhe Bojaxhiu, e vetmja me libër në dorë, në të majtën e drejtorit të shkollës Ndue Vorfi, së bashku me atë Gaspër Zadrima, dhe shkrimi në dërrasën e zezë: “Shkolla fillore shqiptare katolike e Shkupit. Viti shkolluer 1922-1923”  (Don Lush Gjergji, Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, Drita, 2010, f. 38.

Familja e Ndue Vorfit, që ishte mësues në shkollën katolike në Shkup, me prejardhje nga Gjakova, mësimdhënës edhe i Gonxhe Bojaxhiut, kishte banuar me tërë familjen e tij në një nga shtëpitë që ishin pronë e Kolë Bojaxhiut në Shkup, së bashku me tre fëmijët: Zefin, Kolën dhe Marinë.

Kjo edhe një herë dëshmon bujarinë dhe bamirësinë e familjes Kolë Bojaxhiu, si dhe pasurinë e madhe që kishte në Shkup, por edhe përkrahjen e tij që ia jepte shkollës, gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Si është “drama” e jetës, mos të them tragjedia. Familja e mësuesit Ndue Vorfi, për shkak të përndjekjeve sllave ndaj shqiptarëve, veçmas ndaj shkollës, gjuhës dhe intelektualëve shqiptarë, qe detyruar të shpërngulej në Tiranë, ku rishtas ishin së bashku me Dranën dhe Agen, të cilat i kishin pranuar në banim dhe strehim tek ato. Ja si shpërblehet e mira me të mirë, apo si vepron Prvania e Zotit dhe bamirësia e krishterë.

Dhurata Preza – Zajmi, tregon se për 18 vjet, Drana dhe Agia kishin jetuar në familjen dhe shtëpinë e tyre dhe ishin shoqëruar dhe mishëruar aq sa, Agia e quante atë “çika apo bija ime”, dhe vërtet e donte dhe trajtonte si bijë të saj.

Dhurata Preza – Zajmi tregon po ashtu se Agia për një kohë kishte punuar në Ministrinë e Kulturës Popullore, pastaj në ambasadën jugosllave, sepse përpos shqipes dhe serbishtes, fliste edhe gjuhën italishte, dhe disa gjuhë tjera. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Rusisë, pra, edhe Shqipërisë e cila mbeti besnike me Rusinë, ajo ishte larguar nga kjo punë dhe ishte punësuar si spikere e Radio Tiranës. “Mirëpo e pezulluan nga puna për shkak të Nënës Tereze, diku në vitin 1957… Pastaj ka jetuar nga rrobaqepësia, mjaft thjeshtë, mos të them në varfëri, aty-këtu edhe nga ndonjë ndihmë që e merrte prej vëllaut Lazrit nga Italia. Pas vitit 1967, kur filloi përndjekja fetare, ishte shumë vështirë… Për festa të mëdhaja shtrohej sofra me 4 gota dhe pjata, për ‘Nënën Loke’, Agen, për mua dhe për Gonxhen… Kurrë ‘Nëna Loke’ nuk e hante tërë ushqimin, thoshte, duhet të lëmë diçka për engjëj dhe për të varfër… Ishte grua shumë e mirë dhe tejet e përshpirtshme.. Age Bojaxhiu ishte shumë inteligjente, jipte dhe merrte shumë dashuri…, nune e shumë fëmijëve, ndërmjetëse për shumë fejesa dhe martesa, organizatore e shumë takimeve dhe festimeve tona… Ishte rrobaqepëse e mirë dhe e njohur. Pas vdekjes së Nënës Loke ishte shumë e vetmuar dhe ditën e fejesës sime, pësoi infarkt dhe së shpejti vdiq” rrëfen Dhuara Preza – Zajmi (Krh. Historia e familjes së Nënë Terezës, Po aty).

 

 

TË DHËNA  KRYESORE BIOGRAFIKE TË NËNËS TEREZE

  1. 08. 1910 lindi në Shkup Gonxhe Bojaxhiu, bija e Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu.
  2. 08. 1910 që pagëzuar në katedralen e “Zemrës së Krishtit” me emrin Gonxhe-Agnes Bojaxhiu nga famullitari Don Zef Ramaj.
  3. 11. 1916 mori Rrëfimin dhe Kungimin e Parë dhe njëkohësisht edhe sakramentin e krezmimit (përforcimit) nga argjipeshkvi i Shkupit Imzot Lazër Mjeda.

      Në vitin 1919 vdes papritmas dhe në rrethana të dyshimta Kolë Bojaxhiu  (1873-1919).

  1. 08. 1928 në Letnicë vendosi: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfërit e botës”.
  2. 09. 1928 niset për Zagreb së bashku me nënën Drane dhe motrën Age.

      3.10. 1928 vazhdoi udhëtimin për Irlandë (Dublin) së bashku me një vajzë sllovene, Betilka Kranjc, përmësimin e gjuhës           anglishte dhe njohjen me jetën rregulltare.

  1. 12. 1928 niset me anije “Marcha” për Indi.
  2. 01. 1929 mbërrin në Kalkutë.
  3. 05. 1929 në Darjeeling, rrënzë Himalajeve, filloi novinciatin (rishtarinë) në bashkësinë e motrave irlandeze “Motrat e Loretos” dhe mori emrin e ri rregulltar Maria Tereza e Krishtit Fëmijë.
  4. 05. 1931 i dha kushtet e para rregulltare.
  5. 05. 1937 i dha kushtet e përjetshme rregulltare. Gjatë këtyre viteve ishte profesoreshë dhe drejtoreshë e shkollës St. Mary’s në Kalkutë dhe kishte përfunduar studimet universitare në drejtimin histori-gjeografi.
  6. 10. 1946 gjatë udhëtimit me tren për ushtrime shpirtërore Kalkutë-Darjeeling e “dëgjoi” zërin e thirrjes së dytë, apo si thoshte ajo “thirrja në thirrje”.
  7. 08. 1948 mori lejen për largimin e përkohshëm nga “Motrat e Loretos” dhe filloi jetën e re në shërbim të të varfërve ndër më të varfër.
  8. 10. 1950 mori lejen prej Romës, Papës Piut XII, për themelimin e rendit të ri të “Misionareve të Dashurisë”.
  9. 08. 1952 hapi shtëpinë e parë për njerëz në buzë të vdekjes.

      Gjatë gushtit 1953 doli në shtëpinë Lower Circular Road 54/A, që do të jetë Shtëpia Amë – selia  e “Misionareve të                     Dashurisë”.

      Në gusht të vitit 1962 mori shpërblimin “Pamada Shir”.

  1. 08. 1962 shpërblimin e qeverisë filipine “Rajmond Magsajsaj”.
  2. 03. 1963 themeloi “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë”, dega mashkullore.
  3. 02. 1965 Papa Pali VI me “Decretum laudis” e pranoi rregullin e Nënës Tereze në nivelin papnor.
  4. 03. 1969 themeloi “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”, lëvizje laike ndërfetare dhe ndëretnike për t’iu ndihmuar të varfërve në mbarë botën.

    9-12. 07. 1970  Nëna Tereze për herë të parë e viziton Kosovën.

  1. 01. 1971 mori në Vatikan shpërblimin” Gjoni XXIII” nga papa Pali VI.

     Në shtator 191 mori shpërblimin “Samaritani i Mirë” në SHBA.

     Në tetor 1971 merr shpërblimin“John Kennedy”.

  1. 07. 1972 vdiq në Tiranë Drane Bojaxhiu (1889-197); një vit më vonë vdiq në Tiranë Age Bojaxhiu (1908-1973); vëllai Lazër Bojaxhiu vdiq në Palermo në vitin 1981 (1905-1981).

    15 nëntor 1972 mori shpërblimin“Nehru”.

     Në prill 1973 mori çmimin“Tempelton”dhe “St. Luis of Marillac”.

  1. 06. 1974 në Amerikë pranoi shpërblimin ‘Mater et Magistra”.
  2. 06. 1974 themeloi në New York degën kontemplative “Misionaret e Dashurisë”.
  3. 03. 1978 mori shpërblimin e njohur“Balsam”.
  4. 12. 1979 qe nderuar me çmimin më të lartë botëror në Oslo “SHPËRBLIMIN NOBEL PËR PAQE”.

    Në mars 1980  pranoi çmimin“Bahrat Patna”.

  1. 10. 1984 themeloi “Vëllezërit e Fjalës” rendin meshtarak, për t’u kujdesuar për më të varfërit e botës.
  2. 10. 1985 pranoi shpërblimin e lartë të SHBA-së “Medalja e Lirisë”.
  3. 08. 1987 mori në Moskë “Medalja e Paqes”.
  4. 08. 1989 Nëna Tereze për herë të parë viziton Shqipërinë.

   Në mbarim të vitit 1989 Nëna Tereze shpallet “Gruaja e vitit”.

  1. 08. 1990 kudo në botë kremtohet 80 vjetori i lindjes së Nënës Tereze dhe 40 vjetori i themelimit të “Misionareve të Dashurisë”.
  2. 06. 1990 Nëna Tereze shpallet Anëtare e Nderit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës.
  3. 08. 1990 shpallet Qytetare e nderit e Zagrebit.
  4. 04. 1993 Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë i shoqëruar nga Nëna Tereze.
  5. 10. 1996 feston së bashku me të gjitha degët e themeluara rregulltare 50 vjetorin e “Ditës së frymëzimit” apo të “thirrjes në thirrje”.
  6. 11. 1996 dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Kosovës, e shpall Nënën Tereze Qytetare të Nderit të Kosovës.

      Në nëntor 1996 presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha e nderoi Nënën Tereze me “Urdhrin e Artë Nderi i Kombit”.

  1. 06. 1997 Nëna Tereze shpallet Qytetare e Nderit të SHBA-se dhe mori “Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan”.

  Në gusht 1997 Nëna Tereze shpallet “Personaliteti i Shekullit XX”.

  1. 09. 1997 Nëna Tereze në Kalkutë ndërroi jetë apo “u kthye në shtëpinë e Atit” në moshën 87 vjeçare.
  2. 09. 1997 varrimi kremtor shtetëror me nderimet më të larta të Indisë dhe të botës.
  3. 07. 1999 hapet në Kalkutë procesi ipeshkvor për lumturimin e Nënës Tereze.
  4. 08. 2001 mbyllet në Kalkutë procesi ipeshkvor për lumturimin e Nënës Tereze. Procesi bartet në Vatikan, te Kongregata për Shpalljen e Shenjtërve.
  5. 12. 2002 Papa Gjon Pali II pranoi “virtytet heroike të Nënës Tereze dhe mrekullinë e shërimit të pashpjegueshëm shkencërisht të Monica Besra nga India”.
  6. 10. 2003 Papa Gjon Pali II në Vatkian lumtoroi Nënën Tereze.
  7. 09. 2016 Papa Françesku në Vatikan e shpalli të shenjtë Nënë Terezën./drita.info

                                                                                                                            

Shpërndaje

Comments are closed.

«