Gjetja e copëzave gati të humbura të një mozaiku shpirtëror

Sep 2 • Kulturë, Recension

Nga Mr. Mehmet Prishtina, studiues  

 

Libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit” po vjen si përpjekje e vazhdueshme e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për të rikthyer në binarë të duhur studimin dhe hulumtimin shkencor mbi një traditë pak a shumë të mohuar, por asnjëherë të harruar. Kjo edhe për faktin se vepra që kemi në duar tani është vazhdimësi e një pune të nisur para dy vjetësh kur filloi botimi i korpusit tematik mbi shqiptarët katolikë të Shkupit. 

Shkupi i Dardanisë dhe i udhëkryqeve gjeopolitike e tregtare, nuk ka mundur të jetë jashtë fokusimit edhe në këtë vepër, kurse personazhet që zënë vend brenda kopertinave të këtij libri, janë pjesë e galerisë së ndritshme të personaliteteve të kombit, siç ishte familja Bojaxhiu, dhe sidomos kryefamiljari Kolë Bojaxhiu, që më vonë do të njihet si i ati i humanistes dhe misionares së madhe, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze. Kjo e fundit zatën është alfa dhe omega e preokupimit tematik të autorëve të librit, me ç’rast dalin në pah edhe shumë detaje të panjohura nga jeta e saj, sidomos raportet që kishte ajo me familjen dhe shtetin shqiptar.

Aspekti dokumentar dhe arkivor, këtë libër e bën më të besueshëm në sytë e lexuesit, për faktin se përpos që jepet një tablo më e zgjeruar e historive individuale të familjeve katolike shqiptare në Shkup, për herë të parë bëhen publike edhe disa dokumente,  fotografi e faksimile, përfshi edhe letrat origjinale të Nënë Terezës, dërguar familjes.

Për historiografinë shqiptare kjo është një prurje mjaft e dobishme, sidomos në kohën kur në raste të vetmuara, nuk mungojnë edhe përpjekje amatore për të shkruar mbi ngjarje e personalitete pa kaluar nëpër filtrat e domosdoshëm të verifikimit shkencor. Prandaj, rëndësia e këtij libri qëndron në efektin që mund të prodhojë në ngritjen e standardeve faktografike e  interdisiplinare, si parakusht për hulumtime të mirëfillta shkencore.

Si i tillë ky libër, përpos një horizonti më të zgjeruar që sjell para lexuesit, mund të shërbejë për studiuesit edhe si burim i vlefshëm referencial, me të gjitha atributet e një shkollë-model që po krijohet në kuadër të ITSHKSH, e nxitur dhe etabluar nga drejtori dhe historiani Dr. Skender Asani.

Ekipi që ka përgatitur këtë libër, bashkë me autorët, meritojnë konsideratat më të larta për punën përkushtuese në gjetjen e copëzave gati të humbura të një mozaiku shpirtëror, që tani po bëhet i plotë brenda kopertinave të këtij libri të rëndësishëm./drita.info

Fjalë e mbajtur në promovimin e librit në Prishtinë, më 26 gusht 2020, në Sheshin Nënë Tereza

Shpërndaje

Comments are closed.

«