Intervistë ekskluzive: Ish ambasadori i BE në Selinë e Shenjtë thotë se diplomacia e Vatikanit “e domosdoshme për përparimin njerëzor dhe paqen në botë”

Sep 2 • INTERVISTË

Nga Angele Bucyte / Më 31 gusht 2020 1:00 pasdite në: Bruksel, Evropë, Novena ekskluzive, intervistë për Novena, Vatikan, Bota / Etiketuar: koronavirus, kulturë, ekologji, arsim, eu, europë, politikë e jashtme, shëndet, paqe, varfëria, shkenca, siguria, solidariteti, diplomacia e Vatikanit, lufta

 

Luis Ritto ishte ambasador i Bashkimit Europian në Selinë e Shenjtë nga 2006 deri në 2011. Sot, ai është profesor emeritus i Shkollës Ndërkombëtare për Protokoll dhe Diplomaci (ISPD) në Bruksel, Belgjikë.

Ritto me mirësi pranoi t’i përgjigjet disa pyetjeve për Novena. Përgjigjet e tij janë të rëndësishme në kontekstin e fjalimit të ardhshëm të Papa Françeskut në Asamblenë e Përgjithshme të KB në shtator dhe enciklikës së tretë të ardhshme të Papës.

 

Ju ishit ambasador i Bashkimit Europian në Selinë e Shenjtë. Si e shihni diplomacinë atje në Vatikan? Cilat janë ndryshimet dhe ngjashmëritë në krahasim me misionet e tjera diplomatike?

Që nga kohërat mesjetare, Selia Ipeshkvore e Romës është njohur si entitet Sovran. Prandaj Selia e Shenjtë është pranuar prej kohësh si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe si një pjesëmarrës aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare me aftësinë për të emëruar dhe pritur diplomatët.

Selia e Shenjtë filloi krijimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetet sovrane në shekullin e XV-të dhe në të njëjtën kohë zhvilloi shërbimet e veta protokollare prej andej.

Rrjedhimisht, ato shërbime janë një nga më të vjetrat në botë dhe njihen si shumë profesionale dhe efikase.

Është e njohur gjerësisht se roli i Selisë së Shenjtë në diplomacinë bashkëkohore është i madh dhe i domosdoshëm për përparimin njerëzor dhe paqen në botë.

Selia e Shenjtë aktualisht ka marrëdhënie diplomatike me 183 shtete sovrane, përveç Bashkimit Europian (BE).

Si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, Selia e Shenjtë emëron diplomatët e saj (të quajtur nuncë apostolikë) në vendet e treta dhe organizatat ndërkombëtare dhe pret diplomatët e akredituar në të. Përveç kësaj, Ati i Shenjtë pret rregullisht në Romë vizitat zyrtare të Kryetarëve të shumë Shteteve dhe Qeverive. Shërbimet përgjegjëse për organizimin e vizitave të tilla si dhe protokolli dhe çështjet diplomatike drejtohen nga Kardinali Sekretari i Shtetit.

Si Ambasadori i parë i BE-së në Selinë e Shenjtë, pata mundësinë të shihja se si funksionojnë shërbimet diplomatike dhe protokollare të atij entiteti. Praktikat më të mira ndiqen prej tyre dhe gjithçka bëhet sipas traditës, në një mënyrë kompetente dhe efikase.

Prandaj nuk është çudi që shumë shërbime diplomatike dhe protokollare në të gjithë botën përpiqen të ndjekin (dhe nganjëherë kopjojnë) atë që është bërë në Romë nga Selia e Shenjtë, përkatësisht në terma protokollarë.

Pa dyshim që është protokolli më i mirë diplomatik që njoh në botë.

Duke qenë kështu, kur u jap ligjërata të protokollit diplomatik studentëve të mi në Bruksel, me shkas filloj ligjërimin me praktikat protokollare të Selisë së Shenjtë. Me fotografi dhe imazhe për të më ndihmuar, u tregoj studentëve se si funksionon ai protokoll.

Me disa përjashtime, protokolli i përdorur në Romë është i ngjashëm me protokollin diplomatik të ndjekur nga një shumicë e madhe e vendeve në botë. Sidomos në botën perëndimore, procedurat e protokollit janë tërhequr kryesisht nga ato të Selisë së Shenjtë. Kjo është diçka për të cilën Selia e Shenjtë sigurisht është krenare.

 

Duket se pandemia COVID-19 ka lënë mënjan protokollin dhe diplomacinë. Megjithëse, mund të jetë e kundërta: se bota post-COVID do të ketë nevojë për më shumë diplomaci për të kapërcyer tensionet dhe rritjen e konkurrencës për fonde.

Cili është mendimi juaj për rolin e protokollit dhe diplomacisë në situata të pafavorshme si kjo?

Pandemia COVID nuk ka lënë mënjanë diplomacinë dhe protokollin. Diplomacia është praktikë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe protokolli është mjeti kryesor i saj. Diplomacia ekziston që nga kohërat më të lashta: diplomatët dhe të dërguarit kanë përballuar të gjitha llojet e krizave, luftërave dhe ndryshimit të rendit botëror për një kohë shumë të gjatë dhe ata dinë si të veprojnë në kohë pandemish.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Diplomatët janë njerëz elastikë dhe rrjedhimisht edhe diplomacia është elastike. Diplomatët përshtatën shpejt me realitetin e ri të sjellë nga pandemia COVID në mënyrë që të vazhdonin të bënin punën e tyre. Përndryshe bota do të kishte rënë në një kaos të plotë.

Diplomatët luajtën një rol të rëndësishëm gjatë pandemisë aktuale në ndihmën e bashkëqytetarëve jashtë vendit. Ndërsa virusi migroi nga vendi në vend, mijëra njerëz u gjendën të bllokuar në vendet e huaja dhe aeroporte, shpesh pa mjete për t’u kthyer në shtëpi.

Ambasadat dhe konsullatat u siguruan qytetarëve informacion, fonde dhe fluturime charter të organizuara për t’i riatdhesuar. Diplomatët ishin gjithashtu thelbësorë në shkëmbimin e informacionit midis qeverive për mbylljen e kufijve, udhëzimet e karantinës dhe politikat e reja të hyrjes në shtetet e tyre.

Përveç kësaj, dhe për të lejuar që puna e diplomacisë të vazhdojë, gjatë pandemisë aktuale forma të ndryshme të diplomacisë digjitale janë aktivizuar nga diplomatët. Video-konferencat në internet u bënë një pjesë e rëndësishme e punës së përditshme të ministrive të jashtme, misioneve diplomatike dhe konferencave ndërkombëtare.

Prandaj, diplomacia është shumë e gjallë dhe e rekomandon vetveten.

 

Në shtator, Papa Françesku do të flasë në KB mbi modelet e reja socio-ekonomike pas pandemisë. Me shumë gjasë, fjalimi i tij do të përqendrohet në parimet e ekologjisë integrale, kapitalizmit përfshirës dhe doktrinës sociale të Kishës.

Si e shihni socio-ekonominë e botës post-COVID? Çfarë ndryshime shduhet të zbatojmë për të jetuar qëndrueshëm dhe për të shmangur katastrofat?

Tashmë është thënë shumë për botën e ardhshme, të botës pas pandemisë COVID. Sidoqoftë, ne ende nuk e dimë se kur do të mbarojë kjo epidemi dhe si do të duket bota deri atëherë.

Dëshira kryesore e njerëzve është që bota e nesërme të bazohet në paqe dhe siguri dhe në bashkëpunimin mes njerëzve. Një botë, pra, e solidaritetit midis njerëzve dhe e lirë nga varfëria dhe luftërat.

Këto janë vlera të krishtera, të cilat janë përkrahur për shekuj me radhë dhe që tani kanë një shans më të mirë për t’u zhvilluar.

Fusha të tjera që sigurisht do të tërheqin më shumë vëmendje janë: shërbime më të mira shëndetësore publike, zhvillim shkencor, arsim dhe zhvillim kulturor, zhvillim i gjelbër dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Të gjitha këto që u përmendën, nëse merren seriozisht, mund të çojnë në një botë më të mirë, në një botë më shoqërore./drita.info

 

Përktheu: Arbnora Gojani Mazreku, ish-studente e SH.T. Ambasadorit Luis Ritto. Magjistre për Protokoll dhe Diplomaci të Butë.

Intervista origjinale: https://novenanews.com/ambassador-holy-see-vatican-diplomacy-indispensable/?fbclid=IwAR1BCGXf1UVSgAK9MLzFIKgP5GXK79kdGAVeD_2fR6JXSuEuVazLWS4CQSs

Shpërndaje

Comments are closed.

«