A i përdori aftësitë e mia praktike për mirë?
3 shtator 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Kor 3, 18-23; Ps 24, 1-6; Lk 5, 1-11)
Prania e Hyjit
Tash të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.
Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia
dhe po kërkoj pushim dhe freskim në afërsinë tënde.
Liria
Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur në këtë ditë që po kalon,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
E dëgjoj tekstin me mend e zemër, pastaj do të dëgjoj…
Lk 5, 1-11
1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:
“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Simoni i tha:
“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”
6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”
9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”
11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Pjetri e pranoi se kush ishte Jezusi dhe e kuptoi se të jesh afër tij do të thotë t`i pranosh kërkesat që do t`i viheshin para tij. Jezusi e pranoi se kush ishte Pjetri dhe pa se Pjetri kishte kapacitet t`i përgjigjej asaj që do të kërkohej nga ai. Jezusi e ftoi Pjetrin që ky t`i përdorte aftësitë e veta praktike në një mënyrë të re, për të mirën e ungjillit.
- Talentet dhe aftësitë e mia i vendos para Jezusit duke i kërkuar atij të më tregojë se si mund t`i përdor ato për mirë.
Bashkëbisedimi
Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.
Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,
se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.
Përmbyllja
Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen
“Jepi diçka, sado e vogël qoftë, atij që është në nevojë. Sepse nuk është e vogël për atë që nuk ka asgjë. Nuk është e vogël as për Zotin, në qoftë se kemi dhënë aq sa kemi pasur mundësi.”
– Shën Gregori N.
« Intervistë ekskluzive: Ish ambasadori i BE në Selinë e Shenjtë thotë se diplomacia e Vatikanit “e domosdoshme për përparimin njerëzor dhe paqen në botë” Nënë Tereza – gruaja e fesë së madhe »