Imzot Dodë Gjergji pret në Katedrale dy shtegtarët me biçikleta nga Zvicra  

Sep 6 • Kisha në Kosovë

Sot, në orët e para të mëngjesit, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, dhe Don Fatmir Koliqi, famullitar i Prishtinës, me kënaqësi të madhe pritën në Katedrale, dy besimtarët e Dioqezës sonë, që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, Gjergj Zefi, nga famullia e Ferizajt dhe Shin Gjergji, nga famullia e Stubllës, të cilët tash 12 ditë kanë nisë shtegtimin e tyre me biçikleta nga Zvicra deri në Shenjtënoren e Zojës në Letnicë. Ata kanë shtegtuar me biçikleta përmes Gjermanisë-Austrisë-Sllovenisë-Kroacisë-Serbisë, kurse sot në mëngjes kanë mbërri në Kosovë, kurse pasdite në Shenjtëroren e Zojës së Letnicës.

Të pyetur se çfarë i ka shtyrë ta bëjnë këtë ndërmarrje kaq të madhe e të mundimshme, ata përgjigjen se kanë bërë njet që në këtë mënyrë ta falënderojnë Zojën e Letnicës për të gjitha bekimet dhe hiret që i kanë pranuar gjatë jetës së tyre private dhe familjare. Një dëshmi dhe shembull i bukur i fesë!

Pasi u lutëm së bashku pranë Reliktit të Gjakut të Shën Nënë Terezës në Katedrale, Ipeshkvi ju dha bekimin dhe i përgëzoi për këtë vepër të dëshmisë së fesë, që Zoja e Letnicës t’ju dëgjojë lutjet e tyre dhe t’ju shpërblejë mundin e tyre./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«