Në shenjtëroren kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë njerëzit rigjejnë paqen

Sep 9 • INTERVISTË, Kisha në Kosovë

Tre vite me parë në Prishtinë, në Kosovë, është bërë shugurimi i shenjtërores dhe katedralja kushtuar Shën Nënë Terezës. Ipeshkvi i Kosovës thotë: duam të përçojmë mesazhin e pajtimit dhe të dashurisë së shenjtëreshës, si figurë qendrore për ungjillizim.

 

Nga Debora Dennini – Qyteti i Vatikanit

 

Kjo shenjtërore është sikur “një dritëmbajtëse e dashurisë, thjeshtësisë e shpresës, e vendosur në mes të njerëzve”. Kështu mons. Dodë Gjergji, që nga 2018 ipeshkëv i Dioqezës Prizren – Prishtinë, në Kosovë, e përshkruan mikrofonave tonë kuptimin e thellë të Shenjtërores dhe katedrales kushtuar Shën Nënë Terezës nga Kalkuta, 3 vite nga shenjtërimi i saj, në 2017. Me 5 shtator është edhe ditëfesta liturgjike e shenjtëreshës themelueses së Misionarëve të Dashurisë, e cila kaloi në amshim 23 vite më parë, e shpallur e lume në 2003, nga Shën Gjon Pali II dhe e shpallur shenjtëreshë nga Papa Françesku në vitin 2016. Ajo që ka bërë vepra të jashtëzakonshme për të braktisurit në kohën tonë, kurse vetën e kuptonte në imazhin e “një lapsi në duart e Zotit”.

 

Historia e Shenjtërores

Një histori e veçantë e kësaj Shenjtërore, që vjen nga vendi i martirëve të parë të Shën Florit dhe Laurit (shek. II pas Krishtit) dhe afër varrit të argjipeshkvit Pjetër Bogdani.

Me mbështetjen e Presidentit të parë, të Kosovës, Ibrahim Rugova, u dha toka dhe u bekua gur – themeli, me 26 gusht 2005 nga Ipeshkëvi Mark Sopi.

Të dytë do të vdesin vitin pasardhës. Kjo bëri që edhe të vonohen punimet e ndërtimit. Me emërimin dhe ardhjen e atëhershëm si administrator apostolik, Dodë Gjergji, e rimerr projektin dhe pas 10 viteve punimesh, Shenjtërorja shugurohet në 2017. Në 2010 u mundësua të festohej 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, brenda vetë Shenjtërores, që në atë kohe ishte akoma duke u punuar.

 

Dritë që ndriçon të kaluarën

Si Kishë katolike duam që të jemi një dritë e paqes dhe e pajtimit”, “një dritë që ndriçon të kaluarën tonë dhe gjithashtu që njerëzit të mund të zbulojnë rrënjët e krishterimit”, thotë akoma ipeshkvi në intervistë, duke ju referuar gjithashtu edhe  përjetimin e  vuajtjes së popullit, veçanërisht 1998-1999, një dhunë që shkaktojë vdekjen e 11 mijë personave. Shenjtërorja, në qendrën e jetës së Prishtinës, kryeqytet i Kosovës, “nuk është vetëm për të krishterët”,  kujton mons Dodë Gjergji: “Është një mrekulli të shikosh se si njerëzit e të gjitha besimeve dhe kombeve, vijnë me gëzim në katedrale dhe përjetojnë qetësi dhe gëzim të zemrës”. Ipeshkvi kujton edhe lidhjet e Nënë Terezës që kishte me këtë tokë: prindërit e saj me origjinë nga Prizreni dhe thirrja e saj që ka filluar në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, në vigjiljen e 14 gushtit 1928.

 

Takimi me Papa Françeskun

Ndërsa, për takimin që pati me Papën javën e shkuar, monsinjor Gjergji tregon: “Kemi diskutuar për çështje të ndryshme të vendit tonë, për të kaluarën tonë dhe të ardhmen gjithashtu, kemi folur edhe për Shenjtëroren e Nënë Terezës. Ngela i befasuar kur vet Papa më pyeti : “Si është shenjtërorja e Nënë Terezës?”. Kemi folur edhe rreth rëndësisë dhe rolit të Shenjtërores për vendin tonë“. Misioni i Nënë Terezës “në periferi të qytetit dhe në periferitë ekzistenciale mbetet në ditët tona si një dëshmi elokuente e afërsisë së Zotit në mesin e të varfërit ndër më të varfër“, tha Papa Françesku në homelinë e meshës së kanonizit, duke theksuar se si ajo u “angazhua në mbrojtjen e jetës duke shpallur se ‘ai që akoma nuk ka lindur është me i dobëti, me i vogli, me i mjeri’ është sikur të ishte ‘gjunjëzuar mbi njerëzit e rraskapitur, të lënë për të vdekur buzë rrugëve, duke ju rikthyer dinjitetin që Zoti ju kishte dhënë atyre“.

 

T’ju dërgosh mesazhin e Nënë Terezës të rinjve

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, që e ka takuar Nënë Terezën dy herë personalisht, e kujton si një grua të thjeshtë, plot mirësi, të përulur, dhe thekson se është një burim kryesor i shpresës “për riungjillizimin e popullit tonë”. “Ne kërkojmë – thotë – ta bartim mesazhin e saj në zemrat e të rinjve, sepse nuk ka një shembull më të bukur se shembulli i dashurisë së Nënë Terezës për të gjithë e në emër të Jezu Krishtit“./drita.info

 

(Përmbledhje e intervistës së Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, dhënë Radio Vatikanit në gjuhën italiane, me rastin e 4-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 3-vjetorit të shugurimit të Katedrales sonë në Prishtinë. Intervistën e plotë italisht mund ta dëgjoni në këtë link: https://www.vaticannews.va/it/chiesa/news/2020-09/terzo-anniversario-santuadio-madre-teresa-pristina-kosovo.html. Përktheu dhe përgatiti për Dritën: Don Samuell Ramaj)

Shpërndaje

Comments are closed.

«