TË RINJTË DHE DASHURIA: 1. Procesi zhvillimor i dashurisë

Sep 10 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Dashuria është nevojë e përhershme e çdo njeriu. Vetëm se, ndoshta, format e shprehjes të kësaj nevoje ndryshojnë. Për këtë arsye mund të tingëllojë tashmë motone përsëritja e vazhdueshme “të rinjtë dhe dashuria”, sikur kjo të ishte njëfarë privilegji i tyre. Porse, akoma mbetet fakt se pikërisht në rini ndodhin disa vendime përcaktuese në sajë të dashurisë, saktësisht në bazë të dashurisë heteroseksuale. E këto janë vendime, që sipas vetë natyrës së tyre, mbesin në thelb të papërsëritshme, e mos te themi të papërmisueshme. Këtë të vërtetë na dëshmojnë martesat e dështuara. Ndoshta personi do të gjejë pesonin e duhur tek dikush tjetër, do ta krijojë një familje të re, mirëpo pasojat e martesës së parë të dështuar do të ndjehen vazhdimisht si lëndim psikik. Nëse do të jemi të vetëdijshëm për këtë, atëherë na bëhet e qartë rëndësia e kësaj problematike tek të rinjtë.

 

Në takim me personin tjetër

Për ta kuptuar vendin dhe rolin e dashurisë në jetën e të rinjve, e njëkohësit detyrën e prindërve dhe të edukatorëve, duhet të themi diçka në përgjithësi mbi karakteristikat e kësaj faze zhvillimore.

Për dallim nga puberteti, që i tëri është në një vlim të caktuar, në rini shenja karakteristike bëhet stabilizimi i instinkteve vitale. Kjo shfaqet, para së gjithash, në kthimin e kokës kah bota e jashtme, kah të tjerët. Vërehet nevoja për miqësi, për kontakt me njerëz të tjerë. Mbyllja në vetvete dhe padurimi ndaj të tjerëve, që e kanë shënjuar pubertetin e vonë, shndërrohen gradualisht në një kthim kah të tjerët, që kulmin e vet e arrin në aspiratën për bashkësi.

Qëllimi më i rëndësishëm i zhvillimit psikik deri tani ka qenë gjetja e vetvetes, e “unit” të vet. Edhe te personi tjetër një i ri e ka kërkuar, në fakt, veten, “unin” e tij, dhe gjithçka i ka shërbyer kësaj. Tani orientimin e ri e karakterizon pikërisht çiltërsia për tjetrin si tjetri: “uni” kthehet dhe çelet drejt “ti”. Njëkohësisht, në këtë periudhë zhvillohet aftësia për altruizëm, besnikëri dhe shpirt vetëmohimi.[1]  

Është më rëndësi të nxirren disa dallime që ekzistojnë në këtë periudhë në mes djemve dhe vajzave, për sa u përket marrëdhënieve ndërnjerëzore. Nevojat e tyre janë të ndryshme. Djemtë, si meshkujt në përgjithësi, gjithmonë ndjehen më mirë në grupe të mëdha. Duan të jenë në ekipe, ju pëlqen të kenë miqësi të mëdha dhe të zgjeruara. Janë të kënaqur nëse kanë një ose dy shokë të afërm. Kur s’ka një grup të qëndrueshëm të të moshatarëve, zhvillimi i mashkullit bëhet më i ngadaltë ose me pengesa. Për një djalë, ka rrezik më të vogël nëse s’e ka një shok të përhershëm se sa kur s’mund t’i bashkohet asnjë grupi. Vajzat kanë nevojë më shumë për raporte të përveçme person me person, sesa djemtë. Pa këtë raport mund të bie gatishmëria e tyre për lidhje të kontakteve heteroseksuale. Grup(im)et e mëdha tek vajzat nuk mund ta zëvendësojnë këtë nevojë.[2]

Ngjarja tjetër e rëndësishme në kohën e adoleshencës është përfundimi i zhvillimit psikoseksual. Për pubertetin e vonë ishte karakteristikë që erosi të jetë i drejtuar kah personat e të njëjtës gjini: djali ndjehej i sigurt vetëm në shoqëri të djemve, kurse vajza në shoqëri të vajzave. Grupet e përziera në pubertet i ka përjetuar si të panatyrshme dhe të rinjtë s’e kanë ndierë veten mirë brenda tyre. Në adoleshencë ndryshon tendenca; fillon të shikojë personat e gjinisë së kundërt. E këtë ndryshim të rinjtë duhet të fillojnë ta mësojnë. Për sa i përket këtij afrimi ndryshe, situata e adoleshentit është më e volitshme sesa ishte në pubertet, sepse edhe shoqëria – brenda kufijve moral të përcaktuar në mënyrë rigoroze – ua pranon të drejtën e afrimit me personat e gjinisë së kundërt. Që në fillim të adoleshencës, të rinjtë tashmë shkojnë në kërcim, ndoshta e vijojnë edhe shkollën e kërcimit, ku e mësojnë edhe mënyrën e afrimit dhe kontaktit me personat e gjinisë tjetër.

 

Nga flirti te dashuria

Te afrimi i të rinjve ndaj gjinisë tjetër mund t’i nxjerrim disa faza karakteristike të veçanta.

Faza e para e afrimit të gjinisë tjetër ndodh në formë flirti. Flirti (loja dashurore) është sipërfaqësore, dhe sipas natyrës ajo ende nuk është një lidhje e qëndrueshme. Në flirt personi ende nuk është “i prekur”, nuk është i kapur në thellësinë e qenies së vet. Ende nuk shikon në vlerat e vërteta të personit tjetër si person, por e ka qëllim vetëm afrimin. Kjo është një marrëdhënie për shkak të vetë marrëdhënies. Flirti është vërtet një lojë emocionesh të zjarrta, një kontakt për shije, pa qëllime të sinqerta. Më këtë raport djemtë zakonisht janë aktiv, kurse vajzat më pasive. Ato në përgjithësi presin ose e provojnë tërheqjen e tyre: koketojnë. Në koketimin e tyre ato partnerit njëkohësisht i japin zemër dhe e habisin, tërheqin dhe e refuzojnë.

Faza e dytë e afrimit është rënia në dashuri/të dashuruarit. Për rënien në dashuri është karakteristike se në vend të parë mbetet dukja trupore e partnerit: zëri, lëvizjet etj. Këtu jemi tek rastet kur ende mund të thuhet: “Të dua për shkak të kësaj dhe asaj: për shkak të shtatit, zërit, mënyrës të të ecurit, flokëve, fuqisë, syve etj.” Meqenëse është i magjepsur nga dukja, i dashuruari është i verbër ndaj veseve e karakterit të tjetrit, për ç’arsye herët a vonë do të shfaqet zhgënjimi. Mirëpo, pasi personi i dashuruar ende nuk është i kapur në thellësitë e qenies, relativisht lehtë kalohet te zhgënjimi. Erosi lirohet për objektin e ri. Është e njohur se personi mund të dashurohet disa herë në mënyrë të vërtetë.

Faza e tretë e afrimit është dashuria. Rregullisht lajmërohet më vonë, mirëpo shpesh që në adoleshencë. Për dallim nga të rënit në dashuri, ajo nuk mbetet në sipërfaqe, por del nga thellësia dhe depërton në thellësi. Dashuria, në thelb, është drejtim kah personi tjetër për shkak të vlerave të tija shpirtërore – të karakterit. Në këtë rast lind një qëndrimi i ndryshëm ndaj personit të dashur sesa që ka qenë rasti te rënia në dashuri/të dashuruarit; para së gjithash, marrëdhënia ka jetë më të gjatë, ndjen përgjegjësi për tjetrin dhe e përjeton më fortë. Nëse për të dashuruarit kemi thënë se orientohen sipas parimit të dua për shkak të kësaj apo asaj, për dashurinë vlen parimi të dua pavarësisht të gjithave.

Dashuria rinore i ka karakteristikat e veta. Ajo aspiron kah idealizimi i personit të dashur. Në të i sheh të gjitha vlerat e mishëruara në formën më kristalore të mundshme. Tjetrin e sheh lartë përmbi të përditshmen e hirtë. Në mënyrë të ngjashme edhe gjithë bota e merr një shkëlqim më të ndryshëm, një kolorit të ri: personi nuk sheh më me sytë e vet, por me sytë e personit të dashur.

Tipari i dytë i dashurisë rinore është përfaqësimi i fuqishëm i mekanizmit të projektimit. Realizimin e të gjitha dëshirave dhe ëndrrave të veta ai i vë në personin e dashur. I atribuon kualitete dhe vlera të atilla që nuk i posedon, por ato paraqesin dëshira, ëndrra. Kjo bën që të ndjen se e ka takuar dikë tashmë kaherë të njohur. Ky është ai princi i famshëm ose princesha nga përrallat, i cili sikur del nga ëndrrat e bëhet realitet. Për fat të keq, ky projektim i parafytyrimeve personale nuk është edhe krejt i pa rrezikshëm, sepse kjo domethënë të shikosh në një person tjetër dikë që kurrë nuk ka ekzistuar. Afërmendsh, kjo është njëra prej shkaqeve që shumica e martesave të hershme, përjetojnë dështim të shpejtë.

Edhe në të rënit në dashuri ka disa dallime ndërmjet djalit dhe vajzës. Për vajzën, lidhjet e para afektive rëndom përfundojnë në dhimbje, pikëllim dhe në zhgënjim. Sepse, kur vajza bie në dashuri/dashurohet e hy në lidhje afektive, ajo dëshiron që ajo lidhje të zgjasë për amshim. Ndërkaq djemtë, edhe pse mund të deklarojnë se e dëshirojnë të njëjtën gjë, në të vërtetë këtë nuk mund ta realizojnë para periudhës së pjekurisë. Detyra kryesore psikike në adoleshencë për djemtë është përshtatja sociale. Nuk janë të gatshëm ta pranojnë përgjegjësinë e përhershme para se të ndjehen të sigurt në planin profesional.[3]

 

Dashuria

Ndonëse dashuria vjen spontanisht, rrjedhën dhe zhvillimin e saj nuk guxojmë dhe nuk mund t’ia lëmë spontanitetit. Njeriu është qenie e arsyeshme, kështu që çdo akt dhe çdo marrëdhënie, për të qenë vërtet njerëzore, duhet të ketë në vetvete vulën e kësaj arsyeje. Edhe në marrëdhëniet e dashurisë ndërmjet dy njerëzve duhet të njihen disa ligjshmëri themelore të brendshme të dashurisë dhe me vetëdije të respektohen. Vetëm në këtë mënyrë mund të rritet dashuria.

E çka është dashuria?

Anna A. Terruwe, mjeke dhe psikiatër holandeze, dashurinë e definon thjesht si “ndjenjë e dashamirësisë ndaj personit tjetër”[4]. Ka diçka në atë person që më pëlqen, që më tërheq, që më bën të ngjashëm me të. Jam i drejtuar kah ai person. Në këtë rast, pak kanë rëndësi shkaqet për të cilat më pëlqen ai – kjo mund të ndodh për shkak të shumë gjërave të ndryshme. Është thelbësore që në atë person ka diçka që për mua domethënë një e mirë, kurse për njeriun është e natyrshme të mahnitet për të mirën.  

Dashuria është ndjenjë, prandaj, sipas natyrës së vet është fenomen psikofizikë. Kjo domethënë se kap botën psikike të personit, por patjetër se shfaqet edhe përjashta. Ndjenja, sipas definicionit, është gjendje ngazëlluese e organizmit që shprehet në përjetim psikik, sjellje ndijesore dhe në ndryshime fiziologjike. Natyrisht, dashuria nuk mund të reduktohet vetëm në ndjenjë, por me fjalor psikologjik – ajo është qëndrim ndijesor, dmth. gatishmëri e përhershme e reagimit në mënyrë të caktuar ndaj personit tjetër. Kështu që dashuria shprehet domosdoshmërisht në sjellje dhe në cilindo aspekt tjetër të personit: në qëndrim, në lëvizje, në fjalë. Siç shihet, dashuria e ka aspektin e vet motorik, përkatësisht shprehjen trupore. Mund të tregohet nëpërmjet shikimit, dridhjes së zërit, në fjalë që shqiptohen, në mënyrën e prekjes. Gjithkund është e pranishme butësia.

Butësia vështirë definohet, por ajo mund të përshkruhet. Ai që është i butë, e sheh tjetrin të dashur, të mirë, të përzemërt dhe të çmueshëm. Dashuria e bën të bukur atë që është e shëmtuar. Dashuria e do personin ashtu siç është, sepse i pëlqen i tillë. Prandaj është gjithmonë shenjë e keqe kur dikush hyn në martesë me një qëllim të fshehur ose madje të theksuar që tjetrin ta ndryshojë. Është shenjë e keqe, sepse nënkuptohet se nuk e do personin konkret ashtu siç është, por njëfarë projektimi mbi të, njëfarë qenie të imagjinuar, e ndoshta ideale që nuk ekziston. Më tutje, ai që është i butë nuk merr asgjë për vete. Nuk kërkon asgjë, thjesht është i lumtur në praninë e tjetrit, personit të dashur. E vetmja dëshirë është të jenë së bashku, e nderon, kurrë nuk është agresiv.

Dashuria është bazë e krejt jetës psikike. Ajo është zëri bazë që siguron harmoninë e jetës ndijesore. Prandaj, është me dobi të analizohet më thellë ky aspekt materialo-trupor i dashurisë, sepse, në të vërtetë, në këtë fushë të rinjtë kanë më së shumti pyetje të hapura dhe në përgjithësi këtu mbretëron një konfuzion i madh: çka guxojnë, deri ku guxojnë të shkojnë në shprehjet e dashurisë etj.? Aspekti trupor i dashurisë mund të shprehet në mënyra ndër më të ndryshmet. Do t’i përmendim vetëm dy forma: shikimi dhe prekja.

Sytë janë pasqyra e shpirtit!” – thotë urtia popullore. Sigurisht, kjo nuk është e pa bazë. Sytë më së shumti shprehin përjetimet intime, ndjenjat personale, siç na dëshmojnë edhe hulumtimet në fushën e psikologjisë eksperimentale. Shikimi mund të jetë i pikëllueshëm, i hareshëm, agresiv, shqetësues, energjik, entuziast, dyshues etj. Në dashuri syri reflekton ngazëllim të pasforcuar. I tillë është shikimi i nënës ndaj fëmijës, i djalit ndaj vajzës që e do. Këtë shikimi e karakterizon qetësia pa ndonjë dëshirë. Shikimi është krejtësisht i ndryshëm kur kërkohet diçka ose dikush: nuk është më rehat në magjepsje, nuk është më i pastër dhe qetësues. Atij të cilit i drejtohet ky shikim e ndjenë këtë me siguri.

Prekja është shprehja e dytë e jashtme natyrore e dashurisë. Kur dikë e mbajmë për të dashur, nga natyra dëshirojmë ta prekim, ta ledhatojmë. Nëna e merr në kraharor fëmijën, mikut ia shtrëngojmë dorën ose ja rrahim krahët, djali e përqafon vajzën, të dashuruarit mbahen për dore. Prekja si shenjë e dashurisë është shprehje origjinale e afektit. Shumë neuroza e kanë rrënjën në mungesën e butësisë së nënës, ledhatimit trupor në fëmijërinë e hershme. Mënyra si ta shprehim dashurinë me prekje është çështje individuale. Për më tepër, ekzistojnë dallime ndërmjet djemve dhe vajzave. Gratë në përgjithësi shprehen më spontanisht në prekje dhe kanë nevojë më të madhe se sa meshkujt[5]. Ai që është i butë kurrë nuk është agresiv. Shtrëngimi i përzemërt dhe i ngrohtë i dorës mund të jetë i butë, kurse puthja ose përqafimi i zjarrtë mund të prodhojë afekt agresiviteti./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë. Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Përkthimi: Don Fatmir Koliqi & Don Shtjefën Dodes.

 

———————————

[1] Khs. H. Remplein, Die seelische Entwiklung des Menschen im Kindes-und Jugendalter, München, 1989, 493.

[2] Khs. D. Miller, Adolescence, New York, 1974, 66.

[3] Khs. D. Miller, Adolescence, 72.

[4] Khs. A. A. Terruwe, Amore ed equilibrio, Roma, 1971, 13.

[5] Khs. A. A. Terruwe, Amore ed equilibrio, 21.

Shpërndaje

Comments are closed.

«