O Zot, sa herë duhet të fal?

E diela XXIV gjatë vitit – viti A

 

Leximi i parë   Sir 27, 30 – 28, 7

Që në Besëlidhjen e Vjetër i kërkohej popullit për të falur vëllezërit e vet për të marrë faljen e Hyjit. Që në këtë pjesë gjejmë doktrinën e “Ati Ynë dhe të “Predikimit në mal”. Kjo doktrinë themelohet mbi vetëdijen se të gjithë kemi nevojë për faljen. 

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në pritë si luani. Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbat do t’i shkrijnë. Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. Kush do të hakmerret, do të gjejë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Le të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen dhe mbaj urdhërimet. Fjala e Zotit.

 

 

 

Psalmi  103

 

Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri

——————————

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

——————————

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

——————————

Sepse mirë e di si jemi të përbërë,

s’e harron se ne jemi pluhur.

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona,

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

——————————

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

——————————

 

Leximi i dytë   Rom 14, 7-9

Shën Pali na nxit për të mos jetuar më për vetveten, por për Zotin.  Ajo që ka rëndësi për të gjithë është përkatësia në Krishtin e ringjallur dhe besnikëria ndaj urdhërimit të ri të dashurisë që shndërron jetën dhe vdekjen e njeriut. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete, dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 18, 21-35

Pjetri i kërkon Jezusit nëse duhet të falë deri në shtatë herë, Jezusi përgjigjet se falja ndaj të afërmit nuk duhet të ketë kufij dhe kushte.  Jezusi urdhëron që të  falen ofendimet përgjithmonë dhe secilit. Jezusi pohon që në mbretërinë e Hyjit duhet të reagojmë si Hyji: Hyji nuk lodhet kurrë së faluri, për këtë falja duhet të hyjë në çdo ndërgjegje me të vërtetë të krishterë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talente. E, pasi nuk kishte t’i kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.  Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vetin, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët tjerë – shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot flitet për faljen, e duket qartë që jemi vetë ne që vendosim “sa” falje do të marrim nga Hyji: do të jemi falur në bazë të faljes që do t’u ofrojmë të tjerëve. Ashtu si jemi sjellë ne, “kështu edhe Ati im qiellor do të bëjë me secilin prej nesh”.

Sa herë duhet të fal?

Të falësh nuk është një çështje marrëveshjeje, mundësie, diturie njerëzore. Pas vdekjes shpëtimprurëse të Krishtit njeriu gjendet në një situatë të re: njeriu është një i falur. Ati na sheh në Krishtin si bij të shpëtuar. Mëkati im akoma mund të dobësojë marrëdhënien time bijësore me Atin, por nuk mund ta zhdukë. Në jetën e njeriut vlen më shumë mëshira e pafundme e Hyjit se sa mëkati i tij. Nëse Ati përdor ndaj meje mëshirën e tij të fuqishme, edhe unë duhet të ushtroj faljen ndaj vëllait. Kjo aftësi për të falur na bën të ngjashëm me Hyjin dhe shfaq madhështinë tonë, shumë shpesh të errësuar nga inati dhe hakmarrja, nga mendjemadhësia dhe zemërimi.

Sa herë duhet ta fal vëllanë tim, nëse mëkaton kundër meje? Deri shtatë herë?. Pjetri mendon se përdorimi i faljes ka një kufi. Jezusi saktëson: deri në shtatëdhjetë herë shtatë! Domethënë: jo një numër i kufizuar, por përgjithmonë.

Mbreti i shëmbëlltyrës së Ungjillit është imazhi i Hyjit, i drejtë dhe i mëshirshëm, ndërsa shërbëtorët janë imazhi i njerëzve që jo gjithmonë janë të aftë të falin.  Ungjilli na mëson që masa e faljes është të falësh pa masë, pa peshore, “shtatëdhjetë herë shtatë”, përgjithmonë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Krishti na ka thënë të falim fyerjet duke na dhënë shembullin e parë. Jezusi ka falur edhe kryqëzuesit e tij. Hyji Atë na dhëntë forcën për të falur gjithmonë dhe për ta kthyer të keqen në të mirë.

L. Të lutemi duke thënë: Na jep, o Atë, një zemër të re.

L. Për Kishën shenjte, që është nxënësja e Mësuesit Hyjnor, të bëhet nxitëse e faljes që duhet të dhurohet dhe të pranohet. Të lutemi.

L. Për bashkësitë e krishtera: që të jenë shenjë dhe mjet i dialogut, i faljes dhe i pajtimit mes kombeve dhe grupeve. Të lutemi.

L. Për familjet: që mes prindërve dhe fëmijëve të ketë angazhim për mirëkuptimin e zemrave dhe për faljen e ndërsjellë. Të lutemi.

L. Për atë që ka provuar ofendime, padrejtësi dhe dhunë: që të mos mendojë gjithmonë vetëm për t’u hakmarrë, por të hapë zemrën e tij ndaj faljes ashtu siç ka bërë Jezusi nga kryqi. Të lutemi.

L. Për ne të gjithë, që duke ndjekur shembullin e Jezusit të mësojmë se si të sillemi si Ai, në mirësi dhe butësi. Të lutemi.

M. O Zot, Ti je Hyj i mirësisë dhe i mëshirës. Dëgjoji lutjet tona dhe na mëso rrugët e pajtimit e të vëllazërimit. Ti që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: