Imzot Arjan Dodaj shugurohet ipeshkëv ndihmës i Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës

Sep 16 • Kisha ndër Shqiptarë

Kryedioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës, me bekimin e Zotit dhe me gëzim kremtoi dje paradite, gjatë Meshës solemne, në ora 10:00  në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në kryeqytetin e Shqipërisë, shugurimin ipeshkvnor të Sh. T. Imzot Arjan DODAJ F.D.C., të cilin Papa Françesku e emëroi më 9 prillin e kaluar ipeshkëv ndihmës të Kishës kryedioqezane të Tiranë- Durrësit.

 

Meshën solemne dhe ritin e shugurimin ipeshkvnor e kryesoi Imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit në bashkëkremtim me shumë ipeshkvij nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe Italia, në praninë e Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Charles Brown, të një numri të madh meshtarësh, rregulltarësh e rregulltarësh dhe të popullit të Zotit.

Në kremtimin e shugurimit ipeshkvnor të ipeshkvit ndihmës të Tiranë-Durrës, Imzot Arian Dodaj, mori pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, personalitete tjera nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të Komuniteteve fetare të vendit e miq e dashamirë.

Ipeshkvi ri Imzot Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.

Më 2007 kërkoi të pranohej në ‘Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit’, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvendës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë  së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2017, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer  të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.

Ipeshkvit të ri  i urojmë punë të mbarë, sipas motos ipeshkvnore që ka zgjedhur fjalët testament e dhuratë të Jezusit mbi Kryq “Ecce Mater tua!” (“Qe Nëna jote!”), që përkojnë me festën e sotme të Zojës së Dhimbshme, nën hijen e Kryqit të Jezu Krishtit – e pranë Zemrës së Zojës! (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

«