Ta përqendrosh vëmendjen përtej sipërfaqësores

Sep 16 • Meditimi i ditës

16 shtator 2020 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Tim 3,14-16; Ps 111,1-6; Lk 7,31-35)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Hyji sillej me mua ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte, thoshte Shën Injaci për jetën e tij shpirtërore.
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj , ta dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për jetën time.

 

Lk 7, 31-35

 

Në atë kohë Jezusi tha:

31 Me kë, pra, t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin? 32 U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe e thërrasin njëri‑tjetrin, sipas asaj fjale:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

33 Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’ 34 Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’

35 Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi parafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e përshkruan një popull që nuk reagon, përkundrazi, ky popull nuk e di se çka po ndodh. Si një adoleshent i vrullshëm, duke lëvizur rreth e qark, i pavëmendshëm dhe i mërzitur, por duke hedhur poshtë të gjitha ftesat dhe sugjerimet. Por kjo është një hapësirë ku të gjithë ne lëvizim herë pas here. Çfarë ftese për të festuar dhe falënderuar mund të jetë duke ma bërë tani Zoti, që ndoshta nuk jam në gjendje ta dëgjoj?
  • Dhe në cilat mënyra, që unë nuk jam në gjendje t’i vë re, mund jetë Zoti duke më ftuar të mbaj zi dhe të pendohem?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, a mund ta dëgjoj zhgënjimin në zërin e Jezuit? – zemërimin e atij që ftesat e buta anulohen dhe injorohen?

 

Bashkëbisedimi

A mund t`i kërkoj Zotit tani që të transformojë ndonjë gjendje shpirtërore në mua? – të më ndihmojë t`i dëgjoj ftesat e tij të buta, me dhembshuri në jetën time dhe të përgjigjem me ngazëllim dhe kënaqësi?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Fëmijët ankohen për njëri-tjetrin kur nuk iu binden rregullave të lojës. Jezusi e di se të rriturit, gjithashtu, kanë shpresa të ngjashme dhe lehtë bëjnë krahasime sipërfaqësore. Jezusi na kërkon të përqendrojmë vështrimin tonë përtej sipërfaqes, që të reflektojmë më seriozisht, që lutja jonë të depërtojë më thellë.

Nëse jemi në gjendje të gjejmë kohë dhe vëmendjen tonë ta përqendrojmë për të vërejtur sesi Zoti vepron në mesin tonë, ne do të jemi të aftë të marrim dhuratat e Zotit të urtësisë dhe të vështrimit të mprehtë – për të kuptuar.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«