QYTETET MESJETARE TË KOSOVËS: Një shëtitje nëpër qytete e tregje (I)

Sep 18 • Histori, Kulturë

Nga Prof. Dr. Jahja Drançolli

 

Kosova e pasur me xehe të llojllojshme, sidomos me metale fisnike, u bë e njohur dhe ngjalli interesimin e të huajve. Këto pasuri, si dhe pozita e jashtëzakonshme gjeografike, kushtëzuan gjithherë zhvillimin e madh ekonomik, politik e kulturor të kësaj treve.

Vetitë gjeofizike dhe pozita e përgjithshme e Kosovës në masën e Gadishullit Ballkanik, i përcaktojnë edhe drejtimet themelore të lëvizjes së komunikacionit tokësor. Këtej, përmes Kosovës zgjateshin rrugët që lidhnin Veriun dhe Jugun, dhe Lindjen e Perëndimin. Këtu kryqëzohej Rruga e Zetës, e cila lidhte Shkodrën me Prizrenin, Lipjanin dhe Nishin, rruga boshjako-maqedone, e cila lidhte nga veriperëndimi Mitrovicën, Prishtinën dhe Kaçanikun me pjesët jugore, si dhe disa rrugë të antikitetit të cilat funksiononin edhe gjatë mesjetës: Lissus-Naissus, Via Militaris, Via Egnatia, e ndonjë tjetër.

Të gjitha këto parakushte flasin qartazi për mundësitë e ngritjes së qyteteve, fortifikatave, tregjeve dhe oborreve apo pallateve në Kosovë. Ndryshe nga pjesët e brendshme të Ballkanit, sikurse edhe në trevat e tjera shqiptare, ashtu edhe në Kosovë, disa qytete, fortifikata, vazhduan jetën e tyre të nisur edhe në antikitet, një çështje, që ilustrohet edhe nga burimet e kohës së perandorit Justiniani, kur u fortifikuan shumë qytete ekzistuese dardane, të cilat kishin pësuar gjatë sulmeve barbare.

Karakteristikë e përbashkët për qytete mesjetare është se ato janë një tip i veçantë fortifikatës të ndonjë sunduesi feudal apo kryezotëriu. Me fjalë të tjera, koncepti mesjetar për qytetin nënkupton ekzistimi i një fortifikate dhe një funksioni parësor administrativ. Fortifikata në fjalë zakonisht shoqërohet me tregun ku fillimisht kryhet tregtia, pastaj pjesa e vendbanimit, dhe së fundi lloji i vendbanimit urban në të cilin tregtia është funksioni parësor. Termi Treg është një fjalë e vjetër që ndoshta ndërlidhet me origjinën e qytetit Trogir të Dalmacisë dhe Trieste të Italisë: Traghurio?, Tragourion (greq.) Tragurium (lat.); ngjashëm me Tergeste (lat.), Τέργεστον,Τέργεστρον (greq.), Trieste (ital.), që është një drejtshkrim për një formë të mundshme të origjinës ilire, që reflektohet edhe si treg (t’rg) në gjuhën shqipe. Termi në fjalë në trajtën trg përdorët edhe në trajtën pansllave, që me kalimin e kohës në ndonjë gjuhë do të merr edhe kuptime të tjera. Në thelb një treg nënkupton mallra apo gjëra që blihen dhe shiten, kështu që shpesh renditet krah për krah me mallrat dhe blerjet. Në përkthimet latine të kontratave dhe në dokumentet shoqëruese, termi treg më së shumti korrespondon me termat: merces, mercimonia, mercationers, res, dhe ndonjë tjetër. Së bashku me këtë kuptim, fjala treg përdoret gjithashtu për vendet e tregtimit, jo vetëm për takime të rastit ose të përhershëm të blerësve dhe shitësve, por edhe për qytetet e vjetra, si tregu i Prizrenit, përmendën edhe tregje bregdetare apo tregje të Zetës, vendbanime-minierë dhe kripore.

Statusi juridik i tregut ishte në varësi të interesave fiskale të sunduesit, i cili pati ndikim në zhvillimin e vendbanimeve të veçanta duke i dalluar tregjet nga fshatrat dhe nga mjedisi rural. Si në vendet e tjera europiane, njohja e statusit të tregut ka ndikuar drejtpërdrejt në proceset e urbanizimit. Roli i tyre mund të shihet nga shembulli i Krisobulës themeluese të Hilandarit më 1198, ku përmendet tregu i Hoçës, që tërhoqi edhe tregtarë nga bregdeti. Në këtë krisobulë përmendet edhe tregu Knina (Klina e sotme). Një treg tjetër e ndeshim edhe në Pejë në rrethe të Patrikanës. Këtu vepronin përveç tregtarëve vendorë edhe tregtarët nga bregdeti. Në fund të shek. XIV, Peja kishte edhe priftin roman-katolik. Kishte gjithashtu edhe panairin të quajtur, “nundine Pechi”. Megjithatë, panaire më tipike mesjetare janë organizuar në Prizren gjatë shek. XIV. Panairet si fenomen kulturor dhe kishtar me funksione të shtresuara ekonomike, gjatë mesjetës paraqitën si një trashëgimi e antikitetit e mveshur me veçori të përshtatura për nevojat e jetës së kishës. Panairi përfaqëson më shumë se një treg në përmbajtjen e tij, por edhe më pak në kohëzgjatjen e tij të kufizuar; megjithatë, panairi dhe tregu kanë karakteristika të përbashkëta sipas të cilave burimet mesjetare i barazojnë mes vete. Në anë tjetër, në afërsi të vendbanimeve minerare, si në Novobërdë dhe Trepçë u ngritën tregjet e njohura më emër Donji Trg dhe Stari Trg.

Banorët e qyteteve, thjesht janë quajtur qytetarë. Megjithatë, termi në fjalë më së shumti përdoret për banorët e qyteteve bregdetare, në mënyrë që të inkuadrohen të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë popullatën dhe autoritetet e qytetit. Në aspektin figurativ përfshihen ndonjëherë edhe të huajt që kanë fituar të drejtën e shtetësisë, edhe pse nuk banon në qytet, siç është rasti me Raguzën, Venedikun e ndonjë qytet tjetër, ku i ndeshim këto kategori shoqërore: nobili-cittadini-popolari. Ky fenomenin është i panjohur për qytete të Kosovës para shekullit XIV. Sidoqoftë, në vendbanimet urbane në brendësi ndodh që emri i qytetarëve të përdoret në kuptimin e ngushtë për purgarët, anëtarët e këshillit autonom të tregut apo vendbanimit, të cilët zyrtarisht quhen edhe cives iurati apo borghesani për qytetarët e tregjeve. Sipas dokumenteve që disponojmë është shumë vështirë të identifikosh realitetin shoqëror që fshihet nën fjalët qytetari dhe  qytetarët. Situata është e qartë vetëm në qytetet më të mëdha bregdetare, ku është realizuar me kohë diferencimi shoqëror ka janë veçuar, fisnikëria urbane apo patriciati, qytetarët e thjeshtë apo cives, si dhe popullata rreth qytetit apo fshatarët. Kur është fjala për qytetet bregdetare duhet pasur parasysh se statusi i banorëve është përcaktuar brenda kuadrit të qytetit të caktuar, dhe është varur nga pozita e tij ekonomike dhe legjislacionit në fuqi. Qytetarët e qyteteve bregdetare apo latinët, që do të jetojnë dhe punojnë në një numër të madh në qytete dhe tregje të Kosovës, konsideroheshin si kolonistë apo të huaj. Atje, do të krijojnë prona të paluajtshme: ndërtesa, toka, pjesë të pasurive minerare, etj. Burime lokale ofrojnë njoftime edhe për detyrimet e tyre ndaj  shtetit. Prania e vazhdueshme e latinëve forcoi ekonominë urbane, rriti numrin e banorëve të tyre, por nuk kontribuoi në formimin e një shoqërie të veçantë qyteti, por shtoi ndarje të reja ndërmjet shtetit, vendorëve dhe kolonistëve. Vendbanimet urbane në brendësi të Ballkanit dalloheshin nga tregjet minierë, të cilat veçohen me shtrirje të gjerë dhe me numrin e madh të minatorëve të varfër, si dhe nga qytetet antike që vazhduan për të ekzistuar edhe gjatë sundimit bizantin siç ishte rasti i Prizrenit, Lipjanit dhe Zveçanit.

Siç theksuam edhe më lartë, impuls dhe fuqi të rëndësishme zhvillimit të qyteteve dhe  tregjeve të Kosovës ofruan kolonistët të ardhur kryesisht nga bregdeti Adriatik, Saksonia, Bizanti, Hungaria dhe ndonjë vend tjetër. Kolonistët në fjalë kishin krijuar në Kosovë koloni (colonia) në kuptimin e vërtetë të fjalës. Termi colonia përdoret edhe për vendbanimet e tregtarëve nga Venediku dhe Gjenova që kishin vizituar qytete dhe porte të Bizantit dhe të Bullgarisë, dhe atje gradualisht kishin krijuar koloni të tyre. Kolonitë, ishin të organizuar si shtete në kuptimin e plotë të fjalës, dhe si të tilla nga pamja e brendshme dhe jashtme ato u ngjanin metropoleve të tyre. Koloni të ngjashme kishin krijuar edhe raguzanët në qytete dhe tregje të Kosovës: Novobërdë, Trepçë, Prishtinë, Prizren, Pejë, Janjevë, Bellasicë, Bervenik, Vushtrri, dhe në disa vendbanime të masivit të Kopaonikut. Numri i njerëzve të Dubrovnikut në vendbanime të ndryshme ndryshonte, në varësi të shkallës së zhvillimit të një qyteti apo tregu. Përqendrimi më i madh i banorëve të Raguzës ishte në Novobërdë, Trepçë dhe Prishtinë. Në qytete të përmendura, në gjysmën e parë të shek. XV, i ndeshim disa qindra raguzanë. Dihet se vetëm në Novobërdë, si koloni më e fuqishme raguzane në Kosovë, vetëm në vitin 1435 janë zgjedhur 127 komisione gjyqësore, ndërsa në Prishtinë gjatë viteve 1437, 1438 kanë jetuar më shumë se 200 kolonistë raguzanë.

 DAD: Raguzë, bujarët e tregtarët raguzanë në Prishtinë, më 11 mars 1445

 

Është e njohur nga burimet arkivore se raguzanët, kolonistë në qendra të Kosovës, dispononin prona të paluajtshme, si shtëpi, dyqane, toka, pjesë të minierave, depo, etj.  Ndërsa, shtëpitë e tyre shpesh grupoheshin njëra afër tjetrës. Megjithatë, ata nuk jetonin në lagje të përbashkëta, siç është rasti me tregtarët e Venedikut apo Gjenovës, por jetonin brenda vendbanimeve, të përzier me banorët e tjerë. Edhe pse nuk ishin të ndarë në mënyrë hapësinore, në aspektin juridik ato u ndanë nga popullsia vendase.

Përveç raguzanëve rol me rëndësi në zhvillimin e qyteteve dhe tregjeve të Kosovës kanë luajtur sasët, një popullsi gjermane, të cilën e ndeshim në qytete dhe tregje miniera. Arsyet e vendosjes së sasëve në Kosovë janë të ndryshme. Disa mendojnë se ata u sollën nga sundimtarë të Rashës, tregtarët kotorras, raguzanë dhe italianë për t’i riaktivizuar minierat e moçme. Sipas mendimit të përhapur gjerësisht, atdhe i dytë i minatorëve sasë të ardhur në Kosovë ishte Hungaria, përkatësisht rajoni Cips, që sot është pjesë e Sllovakisë ose regjioni Siebenbürgen (Transilvania) i Rumanisë. Ka edhe një mendim se sasët do të kenë ardhur nga Klausenburg (rum. Cluj) i Rumanisë, ku ishin vendosur pas shpërnguljes nga rajoni i Rinit të Poshtëm ose edhe nga Flandria, në vitin 1144.

Kolonitë më të njohura të sasëve në Kosovën e sotme ishin në Novobërdë, Janjevë, Trepçe dhe në Bellasicë. Nga burimet mësohet se Novobërda, deri në fillim të shekullit XVI, kolonia më e rëndësishme e sasëve: ”Novomontana civitias, Germanorum coloniie principio namque Saxones in Mysiae partibus metalla et argjendi materiam reperere [...]”. Në rrethina të këtij qyteti mesjetar, emri etnik i sasëve është dëshmuar shprehimisht në një letër të princit Lazar të vitit 1380, kur përmendet edhe ”Udha e Sasëve” (Sashki/ Saski put),  e cila  lidhte Novobërdën me Janjevën. Ndërkaq, dëshmitë më të vjetra për praninë e sasëve në Trepçë i gjejmë në krisobulën e Banjskës (1313-1318), ku përmenden ”Sasët e Trepçës”. Për Janjevën  si koloni e madhe të sasëve nuk ka burime të shkruara dhe historia e tyre mbështetet kryesisht mbi relikte onomastike dhe leksikore. Kjo vlen edhe për koloninë sase në qytetin mesjetar të Bellasicës (Llap).

Në të gjitha kolonitë  e tyre në hapësirën e Kosovës, sasët i kishin gjyqet e veta (curia Teotonicorum përkatësisht curia purgarorum) dhe kishat e veta. Duke qenë se në qytetet-minierë të Kosovës, sasët jetonin gjithmonë bashkë me raguzanët, në burime të shek. XIV emri i sasëve dëshmohet shpesh në trajtat romane, përkatësisht italiane Teotonicus, Theutonicus, Tedescho, Todesco, Tudescho, Tudiescho. Në Janjevë një pjesë e sasëve u kroatizua, por nga mbetjet onomastike e leksikore sase në terren mund të supozohet se një pjesë e tyre mund të jetë shqiptarizuar. Shuarja e veprimtarisë së minatorëve sasë nisi me pushtimin osman të Kosovës, kur xehetaria pësoi një rënie të ndjeshme, për t’u përmbyllur kjo fazë në të mbaruar të shek. XVII kur (në vitin 1685), mbase për herë të fundit, përmenden laboratori christiani “punëtorët e krishterë”, që domosdo ka të bëjë me sasët e me raguzanët. Sasët u shpërngulën bashkë me raguzanët, në Raguzë, qytete të tjera të brigjeve të Adriatikut, në Itali e në Hungari.

Rol të veçantë në zhvillimin e qyteteve dhe tregjeve të Kosovës kanë luajtur shoqatat tregtare, të cilat zakonisht janë paraqitur në formë të kolegancioneve (collegantia), regancioneve (rogantia, rogadia) dhe të shoqatave (societas). Koleganconet, regancionet apo shoqatat tregtare themeloheshin me qëllim që t’i bashkonin mjetet financiare, që të zvogëlohej rreziku gjatë udhëtimeve, që të fitoj më lehtë. Në shoqata tregtare janë bashkuar së paku dy apo më tepër tregtarë. Njëri prej tyre, socius stans, paraqitet si investues kapitali, ndërsa tjetri, socius tractans, ka bërë tregti. Parimet themelore të shoqatave tregtare në Raguzë janë përcaktuar, që nga viti 1272, kur u hartua Statuti Raguzan. Përfaqësuesit e shoqatave tregtare raguzane i ndeshim edhe në qytete e tregje të Kosovës. Ka pasur edhe raste, kur tregtarët kosovarë bëheshin anëtarë të kolegancioneve apo të shoqatave tregtare, çështje kjo që dokumentohet nga burime të shumta që fshihen në arkiva të Dubrovnikut dhe të ndonjë qyteti tjetër bregdetar.

Duke ndjekur veprimtarinë e kolegacioneve dhe shoqatave tregtare raguzane mund të vërehet se Novobërda përmendet shpesh si vend i veprimtarisë së tyre: “in Nouaberdam vel circa”, “in Nouaberda et in aliis partibus”. Në këtë aspekt përmendet edhe Trepça, e cila për raguzanët ishte më e afërt se Novobërda: “in Triepza et in altri luogi”, si dhe Prishtina.

Edhe pse janë ruajtur shumë burime historike të kohës, ne nuk mund të dimë se me cilat mallra tregtonin  partnerët e disa shoqatave. Megjithatë, nga tregjet afër minierave të Kosovës objekti i tregtisë më shpesh ishte argjendi, argjendi gllamë dhe ari, të cilat më tej eksportoheshin në qendra të njohura të Italisë. Shumica janë shitur në Venedik. Në këtë aspekt, kemi njoftime për një shoqatë tregtare që është themeluar në Novobërdë më 1432. Shoqata, kishte tre anëtarë: njëri po blinte argjend në Novobërdë, duke e dërguar te një tjetër në Raguzë, ndërsa tjetri e shiste në Venedik. 

Të dhëna interesante për njohjen e tregtarëve në relacion Kosovë-Raguzë dhe më tej, japin regjistrat e noterëve për debitorë (Debita Notariae). Përveç librave në fjalë janë të njohura edhe librat afariste dhe private  të tregtarëve raguzanë. Pa dyshim se libri më i rëndësishëm për zhvillim e tregtisë në Novobërdë dhe rrethinën e saj, ishte ai i tregtarit raguzan me orgjinë arbërore, Michel Ni. De Luchari. Ndërsa, tregtari që ka lënë pas vete gjurmë të pashlyeshme ishte Bogdan Chirisma de Prisreno nga gjysma e dytë e shek. XIV.

Në periudhën bizantine, në ato qytete të Kosovës që dolën nga antikiteti i vonë për t’u ngjitur në periudhën mesjetare, do të zhvillohet jo vetëm zejtaria qytetare. Ndërkohë, veprimtaritë zejtare rritën prodhimin e tyre, sidomos për elitën ushtarake, por edhe për nevojat e tregut. Në shumë vendbanime metalpunuesit (demirxhit), prodhonin pjesë për vegla pune dhe armatim për nevojat e ushtrisë. Numri më i madh i zanatçinjve përqendrohej në tregje dhe qytete, ku popullata ka mundur të furnizohej me të gjitha prodhimet. Jeta në qytet kishte nevojë për një furnizim të prodhimeve të ndryshme zejtare. Së këtejmi, në tregje dhe qytete paraqitën: kasapë, bukëpjekës (bukëpjekës), këpucarë, bojaxhi, kafexhinj (me banakier e banakierë), terzi e rrobaqepës, tabakxhi, etj. Qysh në mesjetë pa marrë parasysh se çfarë zeje ushtronin, ata quheshin “mjeshtër”; ndërsa ata që zotëronin kualifikime më të larta quheshin “protomjeshtër”. Një numër i madh mjeshtërish, me mjeshtërinë dhe prodhimet e tyre kanë lënë gjurmë në arte aplikative dhe ndërtimtari dhe arkitekturë.

Gjatë shek. XIV, dhe në tej, madje edhe deri në ditët e sotme, janë punuar nga mëndafshi lloje të ndryshme të pëlhurave për stolisje shtëpiake dhe personale, si dhe punime të tjera për nevoja të përditshme, si, bie fjala, mbulesa tavolinash, perde, çanta, etj. Ndërkaq, argjendarët e Prizrenit prodhonin objekte të ndryshme e të bukura, si, bie fjala, vathë, byzylykë, unaza, gjerdanë dhe gjëra të tjera nga ari, argjendi e tunxhi.

Ardhja e sasëve, popullsi gjermane në Kosovë në shek. XIV ndikoi dukshëm në zhvillimin e xehetarisë dhe të zejtarisë. Në gjysmën e shek. XIV u zhvilluan qendra xehetare, të cilat i vizitonin shumë tregtarë  nga vise të ndryshme, sidomos nga Raguza dhe Kotorri. Me kalimin e kohës sasët asimilohen nga banorët vendas. Xeherorët e Novobërdës, gjatë shek.. XIV-XV, krijuan mundësi për zhvillimin e qytetit, ku, përveç xehetarisë, u zhvilluan lloje të ndryshme të zejeve. Produktet e Novobërdës, Trepçës, Janjevës, etj.; tërhiqnin shumë tregtarë të huaj. Materialet arkeologjike, në radhë të parë, monedhat nga metali dëshmojnë për një standardizim të prodhimeve zejtare. Kështu që edhe shumë toponime u ngulitën sipas terminologjisë së tyre: Shashkoc në rajonin e Prishtinës, Sashevë në luginën e Ibrit, Ceov në afërsi të Janjevës dhe Novobërdës. Gjatë shek. XIV u zhvillua shumë veprimtaria e xeheve, e cila ndërlidhej me rajonin e Kopaonikut dhe të Novobërdës. Në shek. XIV, u zhvilluan shumë qendra xehetare, të cilat i vizitonin shumë tregtarë nga vise të ndryshme sidomos nga  Raguza dhe Kotorri, etj. Xeheroret e Novobërdës, gjatë shek. XIV-XV, krijuan mundësi për zhvillimin e qytetit ku jetonin së paku 10.000 banorë, ku përveç xehetarisë u zhvilluan lloje të ndryshe të zejeve të veçantë, që prodhonin sipas mënyrës vendore dhe nevojave të qyteteve bregdetare të lidhura ngushtësisht  me këtë qytet. Të dhëna të bollshme dhe interesante për zhvillimin e zejtarisë në Novobërdë dhe rrethinë ofron libri i M. Lucarit, ku janë regjistruar si borxhlinj të tij shumë zejtarë me specialitete të llojllojshme, si, bie fjala, farkëtarë (fabri ferrarij), rrobaqepës (sartores), argjendarë (aurifex, oresse), këpucarë (suster), gëzoftarë (peliçarius), kasapë (becarri), drugdhendës (dreuodilam, marangonus), saraçë (sedlar), kapelabërës (clobuçarius, clobuccarius), dyfekçinj (puschar), poçarë (grunzar), mumxhinj (suichar), furrtarë (fornarie) dhe gurlatues (petrarius, petrariii).

Është për të vënë re se disa manastire kishin edhe xeheroret e veta të shoqëruar me shkritore. Në këtë kuadër duhet përmendur manastiri i Deçanit, ku u ishte ngritur shkritorja e re e xeheve për hekur në krahinën e Altinit. Edhe Manastiri i Shenjtorëve Mëhill dhe Gabriel në rrethinën e Prizrenit, kishte minierën dhe shkritoren e vet të hekurit. Produktet e xeheve shfrytëzoheshin nga vendorët, por edhe nga bizantinët, sasët dhe më vonë nga raguzanët, kotorrasit, etj.

Zhvillimi i qyteteve, shumë kohë përpara paraqitjes së tipologjisë së lartpërmendur mesjetare, kishte marrë tashmë drejtime të ndryshme. Me shuarjen e jetës së pasur urbane të antikitetit të vonë, parakushtet për unitetin e këtij zhvillimi do të zbehën ose zhdukën fare./drita.info

(vazhdon)

Shpërndaje

Comments are closed.

«