QYTETE MESJETARE TË KOSOVËS: Një shëtitje nëpër qytete e tregje (II)

Sep 21 • Histori, Kulturë

Nga Prof. Dr. Jahja Drançolli

 

Krahas termit qytet në terminologjinë mesjetare shpesh ndeshim edhe në termin Gradina. Gradinat i ndeshim në lartësi, mezi të arritshme, e rrafshuar në krye me gjurmët e një vendbanimi ose të fortifikatës. Në disa raste, gradina është thjesht një përcaktim topografik për pozicionin, që të kujton fortifikimin e rrënuar. Toponimi është i zakonshëm për zonat kodrinore dhe malore. Më shpesh këto janë vende që në aspektin kronologjik përputhen me kohën e metaleve, të ndjekura nga lokalitete me mbetje të fortifikimeve nga antikiteti i vonë. Lokalitetet mesjetare me këtë emër janë shumë më të rralla, dhe ato zakonisht janë fortifikime më pak të ruajtura, pothuajse si rregull i përkasin epokave më të vjetra të Mesjetës. Me këtë emër përnjohjet historiko-arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një numër të konsiderueshëm, si, Gradina e Bardhit të Madh, Cernicës, Gadimes së Epërme, Gexhës, Hereqit, Llapushnikut, Pejës, Pidiqit, Vuçakut, Vlashnjës, e ndonjë tjetër. Përveç gradinave, dokumentet mesjetare zbulojnë edhe toponime me emër Gradishta ose Gadisha. Fjala është për  mbetjet e një vendbanimi ose fortese të fortifikuar, zakonisht në një kodër mbizotëruese, të mbrojtur nga natyra. Sipas tipareve topografike dhe linguistike kemi të bëjmë me një sinonim të toponimit Gradina ose të një vendbanimi të manastirit përkatësisht të kuvendit kishtar. Për dallim nga gradina, lokaliteti është më tipik për zona të Ballkanit Lindor. Megjithatë, ky toponim është i pranishëm edhe në treva shqiptare të sotme.

Është për të vënë re se qytetet e antikitetit të vonë janë ringjallur jo vetëm në zona të Ballkanit Jugperëndimor, sidomos pas shpërnguljeve avaro-sllave, si dhe rikthimit të Perandorisë Bizantine në vitin 1018. Për rastin e Dardanisë, këtu duhet veçuar Prizrenin, Lipjanin, Shkupin dhe Nishin. Në të njëjtën kohë, qytetet në fjalë bëhën edhe qendra ekonomike e administrative të regjionit të caktuar. Është e mundshme që fortifikatat të jenë ndërtuar edhe për mbrojtjen e ndonjë tregu apo miniere, madje edhe të ndonjë tregu ose varoshi (sipas gjuhës hungareze), që ekzistonte edhe më parë, si dhe për mbrojtjen e ndonjë kuvendi apo manastiri. Së fundi, si fortifikata të vetmuara ato ruanin vendkalimet, grykat, pikat e rëndësishme dhe vendet kufitare.

Qyteti mesjetar më tipik që ruajti trashëgiminë e antikitetet ishte Prizreni. Me këtë emër e ndeshim në shek. XV-VI. Nga disa njoftime, qyteti në fjalë ekzistonte gjatë gjithë periudhës së sundimit bizantin, dhe që nga kjo kohë ruajti një lloj autonomie, të cilën e zgjeroi gjatë shek. XIII-XIV. Atëherë, në krye të qytetit autonom të Prizrenit e ndeshim kefaliun ose princin që ishte përfaqësuesi më i lartë i qeverisjes lokale. Emërohej nga sundimtari dhe ishte i deleguar ose nëpunës i pushtetit të tij. Institucioni i kefaliut fillimisht ishte në fuqi në Bizant. Si nëpunës perandorakë, kefalinjtë ndaheshin në të përgjithshëm dhe lokal. Të parët qeverisnin një krahinë të gjerë, të përbërë nga disa njësi themelore qeverisëse, ndërsa të dytët një ose dy qytete me rrethina. Institucionin e kefaliut nga Bizanti e ndeshim në qytete bregdetare të Arbërisë dhe më vonë edhe në qytete të mesjetare të Kosovës. Në viset e pushtuara nga shteti i Rashës, kefalinjtë ruajtën të gjithë kompetencat që i kishin në kohën e perandorëve bizantinë. Gjatë sundimit të Milutinit pati kefalinj të përgjithshëm në krahinën e Shkupit dhe të Zetës, ndërsa në kohën e Stefan Dushanit (1331-1355) u organizua institucioni i kefalinjve lokalë. Sipas emrave të qyteteve u krijuan edhe titujt e tyre (kefaliu i Prizrenit, kefaliu i Trepçës, etj.), por ndonjëherë kjo ndodhte edhe sipas emrit të krahinës (kefaliu i Pollogut, në Maqedoninë Perëndimnore). Pas shpërbërjes së shtetit të Rashës (1355), institucioni i kefaliut u ruajt nga princa të ndryshëm. Në kohën e Aleksandrit, “sundimtar i Kaninës dhe i Vlorës”, përmendët kefaliu i Vlorës, Branilo, dhe kefaliu i Kaninës, Kastrioti (1368). Te Cërnojeviçët në Zetë, të cilët nuk zotëronin qytete, është ruajtur institucioni i kefaliut në  katune, përkatësisht, kefalinjtë e “katuneve” dhe të bashkësive luftarake, deri në pushimin osman në fund të shek. XV. Në Zveçan të Kosovës përmendet kefaliu osman Feriz (1399). Administrata e qytetit ishte zakonisht e thjeshtë. Pjesa e madhe punëve bëhej nga doganierët ose qiramarrësit e të ardhurave të qytetit, të cilët nuk favorizuan zhvillimin e qeverisjes vendore. Brenda administratës së qytetit vepronte edhe Nomiku, një shkrues ose noter publik, që me kërkesë të palëve të interesuara përpilonin dhe shkruanin akte private-juridike kundrejt kompensimit në para. Shkruesit publik ishin të përhapur në tërë territorin e Perandorisë Bizantine, ndërsa në Kostandinopojë ata ishin organizuar në esnafë të veçantë. Zakonisht ishin persona kishtarë. Aktet e nomikëve shkruheshin sipas formularëve të caktuar dhe rregullonin marrëdhëniet privato-juridike, veçanërisht marrëveshjet shitblerëse. Sipas kodit të Justinianit I (529), neni 3, nomikët ngarkoheshin me pagesën e prikës nëse akti për të nuk tregohej i vërtetë. Institucioni i nomikut ishte i përhapur edhe në Durrës (1258). Kjo traditë u ruajt edhe gjatë sundimit rasian (serb), kur nomikët hasen në qendra të rëndësishme tregtare dhe xehetare, si në Shkup (1299-1300), në Prizren (1346-1366), në Trepçë dhe në Novobërdë (1410-1438). Meqë mungojnë burimet historike, nuk dihet me saktësi se si nomikët e këtyre qendrave i fitonin njohuritë, cilat ishin përgjegjësitë e tyre, etj. Aktet e nomikëve ndonjëherë kishin edhe karakter publiko-juridik, siç ishte rasti i procesit gjyqësor (para vitit 1346) midis manastirit të Tetovës dhe Progonit, një pjesëtar i bujarisë arbërore.  

Kulmin e zhvillimit, Prizreni e arriti gjatë shek. XIV. Me gjasë edhe një shekull më parë, Prizreni mori pamje tipike të qyteteve perëndimore mesjetare: civitas (qendër administrative e ekonomike) dhe castrum apo castellum (qyteti fortifikatë). Sipas përshkrimeve që i bënin udhëpërshkruesit, i ngjante shumë Raguzës. Në të vërtetë, Prizreni gjatë gjysmës së parë të shek. XIV, ishte qendër më e madhe e kolonistëve raguzanë. Këtej, për qëllime të mbrojtjes së interesave, tregtarët raguzanë që vepronin në Prizren, kërkuan që të emërohej një konsull në këtë qytet. Sipas vendimit të Këshillit të Madh raguzan, më 8. III. 1332, u aprovua lutja e tyre për zgjedhjen e një konsulli në Prizren (quod eius mansiosit in Prizren). Data e sipërme ka rëndësi të madhe për zhvillimin e institucionit diplomatik në Kosovë, pra edhe për fillimin e jetës konsullore në Kosovë. Në anë tjetër Raguza, përkatësisht raguzanët sipas këtij vendimi zotëronin në qytete të Kosovës eksteritorialitet gjyqësor. Një përvojë e këtillë u përcoll edhe në qytete të tjera të Kosovës, në të cilat u caktuan shumë konsullata e gjykata raguzane. Numri më i madh i tyre u caktua në Prishtinë, Novobërdë, Trepçë, Janjevë, Pejë, Bervenik dhe në Bellasicë. Paralelisht me përpjekjet për inaugurimin e institucionit konsullor në Prizren, tregtarët raguzanë ngritën edhe disa institucione të tjera, si, për shembull doganën (dohanerii, gabelotti), farkëtorën për prerjen e monedhave, kisha e spitale. Në këtë qytet është farkuar monedha me mbishkrim “Prizren”.  Doganat, kryesisht e organizonin tregtarët e shquar nga Raguza, Kotorri, por edhe biznesmenë që ishin mjaft të pasur për të paguar qiratë paraprakisht, të cilat shpesh ishin mjaft të larta për qytetet më të mëdha. Përveç funksionit të tyre, doganierët kryenin edhe funksione të tjera nën autoritetin e sundimtarit ose të kefaliut. Ata, gjithashtu kontrollonin tregtarët dhe karvanët, duke qenë të kujdesshëm për të mos shmangur pagimin e taksave doganore. Institucioni doganor është dashur të zbatonte urdhrat e sundimtarit apo kefaliut për të vendosur tarifa të reja ose për të rritur tarifat. Për këtë arsye, ata shpesh dhe në mënyrë të pashmangshme binin ndesh me bashkatdhetarët e tyre, tregtarët, si dhe me qeverinë e tyre, siç ishte rast i Republikës së Raguzës, e cila gjithmonë kundërshtonte ndryshimet në sistemin doganor. Për këtë arsye në qendra doganore ishte instaluar administrata doganore. Mirëpo, përveç kësaj, doganierët kryenin edhe funksione të caktuara gjyqësore. Zyrtarët doganorë paguan qiranë në para ose metal të çmuar, siç bëhej shpesh në trafikun tregtar. Sidoqoftë, kjo nuk përjashtoi mundësinë e zgjidhjes së pjesshme të qirasë me mallrat që ishin të nevojshme për sundimtarin: pëlhura të shtrenjta, armë, bizhuteri dhe mallra të tjera luksoze. E gjithë kjo veprimtari është realizuar në qytete të ngritura në afërsi të minierave, si, bie fjala në Novobërdë, Trepçë, Vushtrri, por edhe në Prizren.

Përveç Prizrenit, një qytet tjetër me rëndësi që gjendet jashtë qendrave xehetare ishte Prishtina. Impuls të madh për zhvillimin e qytetit në qendër të madhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV dhe në gjysmën e parë të shek. XV kanë  dhënë tregtarët raguzanë, të cilët nëpër Prishtinë me rrethinë bënin bartjen e xeheve shumë të kërkuara në të gjitha qytetet e Adriatikut. Prishtina, padyshim ishte një lokalitet i antikitetit, mirëpo sipas dokumenteve zyrtare përmendet për herë të parë  në vitin 1325. Ndërkaq, në vitin 1342, perandori bizantin Jan Kantakuzeni, i cili në këtë vit ishte strehuar këtu, jep përshkrimin e Prishtinës. Sipas perandorit, Prishtina (Pristinon) ishte një fshat i pa fortifikuar. Prishtina nga kapërcyelli i shek. XIV  tashmë ishte bërë qendër e njohur. Më 16.VIII.1396, në Prishtinë, sikur edhe në Novobërdë, po në këtë ditë u instalua konsulli dhe gjykatësit, që kishin për qëllim t’i mbronin interesat e tregtarëve raguzanë jo vetëm në qendra të përmendura.

Lidhur me pamjen e brendshme të qytetit dimë se, qyteti zotëronte treg të pasur. Përreth tregut kishte shtëpi tregtarësh dhe zejtarësh, si dhe kisha (të gjitha të ritit katolik) e kafiteri. Një institucion, që i sillte Prishtinës përfitime të madha ishte dogana. Ky institucion ka lënë gjurmë të shumta në dokumente të gjysmës së parë të shek. XV.

Gjatë viteve të njëzeta të shek. XV, kolonia raguzane në Prishtinë paraqiste koloninë numerikisht më të madhe në Kosovë. Pas ngadhënjimit osman në Betejën e Kosovës më 1448, tregtarët raguzanë, nisën të tërhiqen, kështu që pas vitit 1453 e deri në rënien e Prishtinës nën osmanët më 1455, nuk u caktuan fare komisione konsullore. Një rol të përafërt, por ca më të vogël se Prishtina e kishte Vushtrria. Kolonistët e huaj, sidomos raguzanët i ndeshim në gjysmën e dytë të shek. XIV dhe në fillim të shek. XV. Qyteti zotëronte doganën, tregun dhe disa bujtina për vendosjen e tregtarëve dhe mallrave të tyre. Në kancelarinë e Raguzës janë ruajtur një numër i konsiderueshëm i dokumenteve, që hedhin dritë për aktivitetin e tregtarëve raguzanë në Vushtrri. Në afërsi të Vushtrrisë dhe të Trepçës, në gjysmën e parë të shek. XV përmendet Mitrovica (De Dimitrouic), si koloni e vogël raguzane.

Në vargun e qyteteve jashtë rretheve xehetare përfshihej Peja. Sikur edhe Prizreni, edhe Peja ishte larg minierave. Por rrugët që kalonin nëpër këto dy qendra, i lidhnin minierat e njohura të Kosovës, sidomos Novobërdën me qytete bregdetare të Adriatikut. Nga kapërcyelli i shek. XIII, Peja u pushtua nga nemanjidët, gjë që provohet nga një burim i vitit 1202, si dhe nga një mbishkrim cirilik në Urën e Gurit të Pejës. Këtu, gjatë shek. XIII-XIV ndeshim tregtarë nga Kotorri, Raguza e Venediku dhe qytete të tjera bregdetare. Në anë tjetër edhe tregtaret e Pejës gjatë shekujve në fjalë, i gjejmë të angazhuar në sferën e tregtisë së jashtme me Kotorrin e Venedikun. Janë ruajtur njoftime që dëshmojnë se Peja gjatë shekujve në fjalë, ishte qendër e fuqishme zejtare. Pikërisht, këtu u themelua edhe tregu i pavarur, në të cilin organizoheshin edhe panaire të mëdha. Si e tillë, kjo qendër bëhet edhe seli e tregtarëve të brendshëm dhe të jashtëm. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se edhe Peja në vitin 1415 bëhet qendër e një “konsullate” raguzane. Të tilla “konsullata” u ngritën dhjetëra herë gjatë gjysmës së parë të shek. XV.

Në aspektin politik, Peja sikur dhe Prizreni, pas zhbërjes së dinastisë nemanjide (1371), lidhi fatin me kryezotërinjtë Balshaj dhe Dukagjini, të ritit roman-katolik. Pjesëtarët e familjes Balshaj në vitet 1375 dhe 1385 udhëhiqnin madje edhe kuvendet kishtare në Patrikanën e Pejës.

Karakteristikë për trevën e Kosovës mesjetare janë qytetet të ngritura në afërsi të minierave të pasura. Numri i tyre në këtë hapësirë ishte bukur i madh. Për nga rëndësia dhe madhësia e tyre përmenden Novobërda, Trepça, Janjeva, Berveniku, Bellasica dhe disa qendra të tjera të masivit të Kopaonikut. 

Novobërda, ishte ndër qendrat më të mëdha të Ballkanit dhe të Europës. Nga qyteti i Novobërdës mesjetare kanë mbetur vetëm rrënojat që gjenden 30-35 km në veri të Gjilanit. Novobërda, me këtë emër përmendet për herë të parë në vitin 1319 përkatësisht në vitin 1326. Këtu, që nga viti 1349 vepronte farkëtaria për prerjen e monedhave “groshi di Nouaberda”. Qyteti në aspektin arkitektonik zotëronte qytetin e  Epërm dhe të Poshtme. Qyteti i Epërm u ndërtua në lartësi prej 1.100 m, dhe ishte e fortifikuar me mure të larta. Pjesa e Poshtme e qytetit apo varoshi, në dokumente raguzane është quajtur “zitade”, “soto rocha in zitada”, “sotoroche”. Edhe kjo pjesë e qytetit ishte e fortifikuar dhe këtu jetonte pjesa më e madhe e qytetarëve. Për shërimin e të sëmurëve, të Novobërdës është ndërtuar spitali. Ndërkaq kolonia sase kishte ndërtuar kishën e tyre.

Jo larg Novobërdës, përkatësisht 12-13 km, në juglindje të saj, në vitin 1381 përmendet Prilepçi, qytet fortifikatë, si dhe Prizrençi, gjithashtu qytet fortifikatë, 11-12 km, në juglindje të Novobërdës. Prilepci ose Preiliepaç/Lipovac është shquar gjatë periudhës mesjetare siqytet dhe fortifikatë. Nga gjetjet e kulturës materiale konsiderohet njëri ndër vendbanimet më të vjetra të arealit të Novobërdës. Në luginën e lumit Përlepnicë (Prilepnicë), gjenden mbetje të një fortifikate, për të cilën nuk kemi të dhëna, përkatësisht mungojnë hulumtimet shkencore.. Ky lokalitet shtrihet rreth 12 km në juglindje të Novobërdës dhe shërbente si mburojë e saj. Me emrin e njëjtë Prilep, përmendet në dokumente të shkruara në kartën e Lazarit me të cilën në vitin 1381 e themelon manastirin e Ravanicës. Në burime raguzane përmendet në vitet 1424/1425 (“subtus castrum Preiliepaç prope Nouam Berdam”). Nga ndonjë studiues Prilepci është identifikuar me lokalitetin Lipovac në katundin Bozhevc në afërsi të Novobërdës, ndërsa në burime bizantine përmendet një qendër kishtare e quajtur Prinipon, vendndodhja e të cilit nuk dihet deri tani. Ka të ngjarë se emri Prinipon në gjysmën e parë të shek. XIV është shndërruar në Prilepac, përkatësisht në vitin 1329  e ndeshim me këtë emër si vendlindje të Lazar Hrebelanoviçit, i njohur më vonë si kinez Lazar. Prilepci, me emër Tash Hisar (fortifikatë guri) përmendet edhe në kronika osmane, pak ditë pas rënies së  Novobërdës (1455). Terreni ku u ndërtua qyteti-fortifikatë është kryesisht shkëmbor, me pjerrësi të madhe, i pakalueshëm nga pjesa jugore dhe veriperëndimore. Muret janë ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme dhe i janë përshtatur terrenit, prandaj fortifikata është ndërtuar në formë katërkëndëshi të çrregullt. Muret shtrihen në një gjatësi rreth 120 m, ndërsa në gjerësi rreth 20 m. Sipërfaqja kornizë e fortifikatës kap rreth një hektar. Nga kjo fortifikatë mund të mbahej nën vëzhgim ultësira e lumit Përlepnica, në drejtim të qytetit dhe fortifikatës së Novobërdës, përfshirë edhe luginën e Moravës së Binçës dhe të gjitha viset e Malit të Zi të Shkupit.

Një tjetër qytet-fortifikatë i rajonit të Novobërdës mesjetare është Prezerençi ose Priesrienaç, Presrenereç siç e quanin burimet mesjetare. Shtrihet në veriperëndim të fshatit Bresalc. Qyteti-fortifikatë është e vendosur në kodrinën e fshatit. Për herë të parë Prezerençi përmendet vetëm nga fillimi i shek. XV (1412), si fortifikatë me vendbanim dhe shesh (castrus, locum, forum), ku qëndruan raguzanët. Në vitin 1427, tregtarët raguzanë i ankoheshin mbretit hungarez Sigismund (“partiam in oppido Noui Montis, partiam in vallo Priesrienaç – “një pjesë në qytetin e Novobërdës, një pjesë brenda mureve të Prezrençit”), për të shpëtuar nga rrethimi osman. Në këtë kontekst, së bashku me Novobërdën përmendet edhe në vitin 1441 si dhe në vitin 1455 kur u pushtuan nga osmanët. Qyteti-fortifikatë shtrihet në një majë me pyllëzim të dendur, mbi një  kodrinë që dominon mbi rrethinën, rreth 12 km në jugperëndim të Novobërdës. Pjesa kryesore tetrapirgu ka dy  kulla të plota anësore dhe një të hapur në mes. Fortifikata është rrënuar plotësisht, mirëpo në bazë të vëzhgimeve në terren ende i ka të dukshme muret jugore, lindore perëndimore. Muret e fortifikatës i bashkon pika më e lartë strategjike 900 m.  Në hapësirën mes murit të parë dhe të dytë rrethues, sidomos në pjesën jugperëndimore, ndodhen themele të shumta të ndërtesave, kthinave. E tërë hapësira është e rrethuar me mure të trasha. Në disa vende muret janë dëmtuar seriozisht nga gërmuesit klandestinë me ekskavatorë. Në murin e dytë rrethues, ka tri vrojtimore në pjesën jugore, perëndimore dhe veriperëndimore. Fortifikata duket se ka pasur komunikim të gjerë me të gjitha fortifikimet e rajonit, sidomos me Novobërdën, me fortifikimet në malësinë e Zhegocit, si dhe me fortifikimet e Karadakut. Në bazë të analogjisë së materialit ndërtimor, fortifikata ka fazën e antikitetit në pjesën jugore, ndërsa ndërtimet gjatë periudhës  bizantine kanë lënë gjurmë në të gjitha pjesët tjera të saj. Muret e trasha janë ndërtuar me stil mesjetar. Në pjesën më jugore të fortifikatës gjendën edhe mbetjet e një ndërtese me tulla dhe gurë, e cila duket të jete monument kulti.  

Qyteti i Novobërdës për shkaqe të pozitës gjeostrategjike dhe pasurive të mëdha me ar e me argjend ishte shpesh në objektivin e sulmeve osmane. Së këtejmi, janë të njohura rrethinat e qytetit nga osmanët në vitin 1412, 1440-1441, kur pas rrethimit të gjatë u pushtuan përkohësisht, dhe së fundi në vitin 1454  kur sulltan Mehmeti II rrethoi qytetin dhe pas bombardimit me topa të mëdhenj, e pushtoi me 1 qershor 1455. Rënia e qyteti la mbresa të mëdha në Hungari, në Itali e në Dalmaci. Novobërda, përveç rolit të madh tregtar, konsiderohej edhe si një ndër qendrat kryesore për mbrojtjen e krishterimit dhe kulturës perëndimore. Qyteti në fjalë është shquar edhe si qendër e madhe administrative. Ajo kishte Statutin e vet të quajtur “Ligji i Novobërdës”. Në krye të qytetit ishte kefaliu, princi ose comes (“conte de mercado”)   dhe doganieri (doanerius). Rolin më të madh në vetëqeverisjen e Novobërdës e kishte këshilli i purgarëve prej 12 anëtarësh. Nga kapërcyelli i shek. XIV, qytetarët e Novobërdës tashmë ishin diferencuar në shtresën e pasur, që ishte një lloj patriciati  “zentilhomeni de Nouamonte”, dhe shtresa qytetare “citadini di Nouaberda”  ose borghesan-ët. Nga dokumentet zyrtare të burimit raguzan, pjesën më të madhe të qytetit dhe rretheve e popullzonin shqiptarë, më pastaj raguzanët dhe sasët.

Vargut të qyteteve në afërsi të minierave të Kosovës pas Novobërdës, për nga rëndësia mund t’i shtohej Trepça. Që nga viti 1303 në Trepçë përmendet famullia katolike. Po në këtë kohë në Trepçë jetonin kolonistët sasë, raguzanë dhe kotorras. Sipas njoftimeve të kohës Trepça zotëronte disa lagje, në të cilat jetonte një popullatë e larmishme. Në një pjesë të qytetit, sipas një dokumenti raguzan nga viti 1409, osmanët kishin ngritur një vendbanim të tyre të quajtur Triepza Turcha. Edhe Trepça, sikur Novobërda vetëqeverisej nga kefaliu apo princi. Gjatë viteve 1410-1421 sipas dokumenteve raguzane dhe çirilike përmendet dogana e Trepçës. Po në këtë kohë përmendet edhe farkëtaria për prerjen e monedhave, si dhe kisha katolike e Shën Mërisë dhe Shën Pjetrit. Sipas numrit të kontesteve, në fillim të shek. XV, vërehet se Trepça ishte kolonia më e madhe në Kosovë. Mirëpo, nga vitet njëzetë  të këtij shekulli, numri i raguzanëve ndryshe nga Prishtina e Novobërda, dukshëm nisi të bie. Një dukuri e këtillë më së miri mund të përcillet me rënien e “konsullatave”.  Këtej, në Trepçë, gjatë viteve 1415-1455  u ngritën vetëm 575 komisione për zgjidhjen e kontesteve.

Në afërsi të Trepçës, në pjesën jugore, të arealit të fshatit të sotëm të Rashanit ruhen gërmadhat e kështjellës të quajtur Gjytet ose Qytet, si dhe fortifikata e njohur e Zveçanit, që përmendet gjatë gjithë mesjetës. Gjyteti i Rashanit është një fortifikatë e periudhës së hershme bizantine, e ndërtuar gjatë shek. IV-VI, rreth 5 km larg nga Mitrovica. Në dokumente ndeshet si fortifikata e Trepçës, е cila përmendet për herë të parë në vitin 1303. Ka pozitë të favorshme gjeografike dhe, me një lartësi 851 m, ishte pararojë e burimeve minerare të Trepçës, si dhe kontrollonte rrugën kryesore, që shkonte nga Municipiumi DD për  Zveçan, Trepçë dhe Llap, si dhe rrugën tjetër Trepçë-Vicianum-Novobërdë. Gërmadhat kështjellës “Gjyteti” gjenden në një kodrinë të rrëpirët, prej nga vështrimi rreth e përqark ka qenë gjithëpërfshirës. Nga kështjella shihet pothuajse i gjithë Rrafshi i Kosovës. Në shek. XIX arkeologu britanik, Artur Evans e përmend Municipiumin DD, si dhe një kala të quajtur sipas tregtareve raguzan, “Montagna dell’ Argento” (“Monte Argentaro”), ndërsa në të ashtuquajturën “Tabula Peutingeriana” përmendet “Argentaria”. Në bazë të materialit të ndërtimit kështjella i përket arkitekturës mesjetare, ndonëse objektet e luajtshme arkeologjike flasin për një vendbanim shume shtresor. Trashësia e murit rrethues të kështjellës është rreth 2 m; ndërsa lartësia e mureve të ruajtura deri më sot është 2-3 m. Kështjella është e vendosur në maje të një shkëmbi, lartësia e të cilit nga toka oscilon prej  80-100 m. Ana veriore dhe lindore e kështjellës zotëronte mbrojtje natyrore, ndërsa ana perëndimore dhe jugore, janë të mbrojtura me mure. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është ekzistimi i një strukture drejtkëndëshe që supozohet të jetë një cisternë. Kur është fjala për cisternë, rol të veçantë kanë pasur cisternat të ndërtuara në fortifikatën e Zveçanit. Ato,  si një strukturë kanë ruajtur sasi të madhe uji, që kanë furnizuar këtë vendbanim të madh dhe të rëndësishëm, i cili është gjendur larg rrjedhave të ujit. Fortifikata e përmendur ka zbuluar tre cisterne: Cisterna parë ruan këto dimensione: 7,75 х 3,43 m; e dyta, 7,79 х 2,65, ndërsa treta, 7,67 х 3,55 х 2,30 m. Duhet përmendur se rëndësia e cisternës në raste të këtilla si kjo e Zveçanit dëshmohet nga një manual i vjetër udhëzimesh për përgatitjen e fortifikatës për një rrethim në të cilin, përveç të tjerash, thuhet: “Përgatitni ushqim të mjaftueshëm dhe një cisternë për të shmangur etjen”. Dihet se fortifikata e Zveçanit gjendet mbi një kodër vullkanike në veri të Mitrovicës (797 m). Lumi Ibër i sillet rreth e përqark kodrës, duke filluar nga jugperëndimi, pastaj nga lindja dhe veriu. Rrënojat e themeleve të kështjellës së Zveçanit janë të kohës ilire. Fortifikata e Zveçanit është njohur sipas burimeve bizantine të shek. IX – X.  Me këtë emër për herë të parë e ndeshim në vitin 1091-1093 nga kronistët bizantinë, të cilët i përshkruanin luftërat e zhupanit të Rashës, Vukanit, me mbretin Bizantin, Aleksin I Komneni. Në shkrimet e vjetra greke Zveçani njihej si Σφεντζάνιον, ndërsa në shkrimet latine Sphenzanion. Përveç cisternave të përmendura më sipër, si objekt higjiene në qytetet përmendet edhe cisterna mesjetare e Prizrenit, Novobërdës, Trepçës, etj. Cisterna e Prizrenit është ruajtur deri në ditët e sotme, shërben si rezervuar për ujë dhe gjendet në kalanë e qytetit. Me ardhjen e osmanëve dhe ngritjen e hamameve në shumë qendra kosovare u bë përparim i dukshëm në këtë aspekt.

Kodra konike e Zveçanit, nga ana lindore, është e mbrojtur nga shkëmbinj natyrorë. Nga ana veriore dhe perëndimore mali është i pyllëzuar me shkurre të ulëta. Në lindje shtrihet Rrafshi i Kosovës, nëpër të cilën zgjatet lumi Sitnica, kurse në fund të kodrës, rrëzë malit, në një fushë aluvionale, takohen dy lumenjtë: Ibri dhe Sitnica, aty ku është ngritur qyteti i Mitrovicës. Kështjellën e Zveçanit e gjejmë edhe në literaturën e udhëpërshkruesve. Duke përshkruar udhëtimin e tij në lindje, më 1573, Philippedu Fresne-Canaye përmend Zveçanin si kështjellë të vjetër. Më 1582, Jean Palerne Foresien gjatë udhëtimit prej Sofjes deri në Raguzë, kishte kaluar pranë Zveçanit, për të cilin thotë se është kështjellë e Mihail Komnenit. Evlia Çelebiu, vë në dukje kështjellën e Zveçanit në formë vezake, prej guri, dhe thotë se ka vetëm një portë. Kështjella e Zveçanit është mbajtur mirë deri në fillim të shek. XIX, kur udhëpërshkruesi Pukvil e quante “qyteti i madh dhe i vjetër”, kurse tani, thotë ai, është rrënuar. Udhëpërshkruesit e shek. XIX e përshkruajnë  Zveçanin si një fortifikatë të braktisur e të rrënuar, por brenda mureve të qytetit kanë hasur në mbetje të ndërtesave të lashta. Ami Boue më 1840, i ka parë mbetjet e kishës, ndërsa më 1857 Aleksandër Hilferdingu e quan atë pallat mbretëror.

Me qytetet e përmendura të Kosovës gjatë mesjetës bashkëjetonin edhe shumë fortifikata dhe kështjella të njohura, të cilat sipas rezultateve arkeologjike (për shkaqe të politikës ditore të pa sistemuara), pjesa më e madhe e tyre daton nga antikiteti ilir ose romak. Por ka të tilla që u ndërtuan apo u rindërtuan për qëllime mbrojtëse kundër vërshimeve barbare edhe gjatë shekujve të mesjetës se hershme.

Derisa për qytete dimë bukur shumë nga burimet e shkruara, ekzistimi i kështjellave dhe fortifikatës dëshmohet më tepër nga gjetjet në terren. Nga vargu i tyre i gjatë do ta përmendim Veletinin në afërsi të Janjevës; Petriçin e Madh  dhe të Vogël në rrethet e Ferizajit; Zatriçi, në rrethet e Rahovecit; Zveçani në rrethet e Mitrovicës; Pogragja në rrethet e Gjilanit; Kaçaniku; Hisari te Drini i Bardhë, e ndonjë tjetër. Gjendja e tyre aktuale është e mjerueshme. Të gjitha gjenden në rrënoja./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«