“O Zot, mos më jep as skamje as pasje”

Sep 23 • Meditimi i ditës

23 shtator 2020 – E mërkurë, Shën Pater Pio, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 30, 5-9; Ps 119, 29.72.89.101.104.163; Lk 9, 1-6)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Asgjë mos të shqetësojë, asgjë mos të brengos.

Ndërsa të gjitha gjërat veniten, Zoti është i pandryshueshëm.

Ji i/e durueshëm/e, sepse me Zotin në zemrën tënde, asgjë nuk mungon.

Zoti mjafton.

 

Fjala 

Çastet në vazhdim kaloji duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Zoti mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutjeje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde.

Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur (nëse je në dhomë), përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe dëgjo, lutu.

 

Fu 30, 5-9

5 Çdo fjalë e Hyjit është e sprovuar

dhe është mburojë për ata që shpresojnë në të.

6 Asgjë mos u shto fjalëve të tija

që të mos qortohesh

e të dalësh rrenacak.

7 Të lutem të më japësh dy gjëra,

mos m’i moho deri të vdes:

8 dëboji prej meje kotësi e gënjeshtër,

mos më jep as skamje as pasje,

më jep vetëm sa më kërkohet për jetesë;

9 sepse, tepër mirë i ngirë, mund të të mohoj

e të them: “Kush është Zoti?”,

ose, i shtytur nga varfëria e tepërt, të vjell,

e kështu ta çnderoj emrin e Hyjit tim.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në këto fjalë nga Libri i Fjalëve të Urta, i shkruar mijëra vjet më parë, a po e dallon një të vërtetë shumë të vjetër, shekullore? Shkrimtari duket se vëren dy pengesa për fenë, rreziqe binjake që mund ta pengojnë personin për të jetuar një jetë besnike: pasuritë e tepruara nga njëra anë dhe varfëria ekstreme nga ana tjetër. A ka pasur një kohë në jetën tënde, apo ekziston ndonjë fushë e jetës sate, ku ke pasur pasuri, më shumë sesa ke nevojë, ku nuk ke ndier më, ose nuk e ndjen më nevojën për Zotin?
  • Apo ka pasur ndonjë kohë në jetën tënde, ose ndonjë fushë e jetës sate tani, ku ke bërë diçka që e di se është e gabuar – mashtrimi, vjedhja, gënjeshtra – i/e shtyrë nga varfëria ose dëshpërimi ose thjesht për të mbijetuar?
  • Tani lëviz nga reflektimi për veten te reflektimin për botën përreth teje, ndërsa e dëgjon përsëri leximin. A ka ndonjë jehonë ky paralajmërim për rreziqet e pasurisë dhe të varfërisë në jetën që po jetohet rreth teje? A po të duket si një koment i drejtë për botën në të cilën ti jeton?

 

Bashkëbisedimi

“Mos më jep as skamje as pasje, më jep vetëm sa më kërkohet për jetesë.” – A është kjo një lutje që mund ta bësh sot?

Nëse nuk është kështu, çfarë dëshiron të kërkosh nga Zoti tani?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Në ungjill Jezusi u thotë apostujve: “Asgjë mos merrni për udhëtim!” Papa Françesku ëndërron një Kishë të varfër për të varfrit. Ashtu si atëbotë, Kisha sot duhet të varet nga Zoti, jo nga prona, fuqia ose prestigji. E vetmja pasuri e vlefshme është pasuria e Lajmit të Mirë.

Apostujt, dishepujt e sotëm duhet të përqendrohen vetëm te Zoti. Vetëm atëherë fuqia e hirit të Zotit do të jetë e lirë dhe pafundësisht efektive. Në këtë mënyrë, ata do të sjellin “Lajmin e Mirë” në botën e humbur dhe do t`i “shërojnë sëmundjet”. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«