“Gjithçka (nuk) është kotësi”

Sep 24 • Meditimi i ditës

24 shtator 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kish 1, 2-11; Ps 90, 3-6.12-14.17; Lk 9, 7-9)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Po gjej strehim te zemra jote të butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

Ndoshta ndihesh pak i/e lodhur sot, edhe tani ndërsa po përpiqesh të lutesh – nuk je në disponim – shumë i/e zënë, shumë i/e preokupuar, shumë i/e lodhur.

Nëse kështu je duke u ndier tani, thjesht pranoje atë ndjenjë dhe dil, sidoqoftë, përpara Zotit, ashtu siç je. Dhe Zoti do të të dëgjojë, dhe do të të pranojë, ashtu siç je.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vetme anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Kish 1, 2-11

 

2 Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari,

kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

3 Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës

që bën nën diell?

4 Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen,

kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta.

5 Dielli lind, dielli perëndon

e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet

nga prapë lind!

6 Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim,

fryn duke u endur gjithkah në lëvizje

dhe kthehet në vorbullat e veta.

7 Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet,

dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen

në rrjedhën e vet.

8 Gjithçka është e mërzitshme

dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë pse-në.

S’ngihet syri me të parë

as s’mbushet veshi me të dëgjuar.

9 Çka qe

është tani e do të jetë pastaj.

Çka ka qenë bërë

është tani e do të bëhet pastaj:

10 s’ka asgjë të re nën diell!

Nëse thuhet për një gjësend: “Ja, kjo është e re!”,

‑ ajo ishte shekuj me radhë para nesh!

11 S’ka kujtim për kohët e shkuara,

po gjithashtu s’do të ketë kujtim

as për gjërat që do të vijnë

tek ata që do të jenë pas tyre.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ky është diçka si një tekst klasik për ata që janë lodhur nga bota. A po të kujtohet diçka nga jeta jote personale, a ka diçka në përvojën tënde të jetës, që e konfirmon ndjenjën e këtij fragmenti se nuk ka asgjë të re në botë dhe “gjithçka është kotësi”?
  • Dhe sipas përvojës sate çka e kundërshton këtë ndjenjë? Çka ke hasur në jetën tënde që e ke parë si diçka vërtet të re, dhe ndryshe, interesante dhe emocionuese?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri, vë re se çfarë dëgjon nga ky fragment biblik – të vërtetën? apo thjesht një lodhje? A të tingëllon sikur po godet gozhdën në kokë, apo thjesht është një murmuritje pakënaqësie? Dhe sa prej kësaj i pasqyrojnë ndjenjat e tua?

 

Bashkëbisedimi

Nëse e ndien nevojën për një nxitje të re dhe zell për jetën, a mund ta kërkosh atë tani nga Zoti? Dhe nëse nuk ndihesh kështu, cilat ndjenja të tjera, çfarë dëshirash dëshiron t`ia paraqesësh para Zotit tani?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. O Zot i mëshirshëm, ma kujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »