Gjithçka e ka kohën e vet

Sep 25 • Meditimi i ditës

25 shtator 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kish 3, 1-11; Ps 144, 1a.2abc-4; Lk 9, 18-22)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të shkoj pas teje.

Mbille në zemrën time dëshirën, që çdo ditë gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

Një këngë thotë: Pasi udhëtova në të gjithë botën, po vij te e njëjta e vërtetë që e lashë në shtëpi: Zoti është e vërteta! Atëherë pse dyshon? Mos dysho, mbaje atë dhe vendose shpresën tënde tek ai. Dëgjoje Zotin sepse ai është e vërteta.
I jap vetes kohë që ta dëgjoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Kish 3, 1-11

 

1 Gjithçka e ka kohën e vet

edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet:

2 kohë për të lindur e kohë për të vdekur,

kohë për të mbjellë e kohë për shkulur çka u mboll,

3 kohë për të vrarë e kohë për të shëruar,

kohë për të ndërtuar e kohë për të shkatërruar,

4 kohë për të qarë e kohë për të qeshur,

kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer,

5 kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur,

kohë për t’u përqafuar e kohë për të mos u përqafuar,

6 kohë për të kërkuar e kohë për të humbur,

kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej,

7 kohë për të qepur e kohë për të shqepur,

kohë për të heshtuar e kohë për të folur,

8 kohë për të dashur e kohë për të urryer,

kohë për të luftuar e kohë e paqes.

9 Ç’fitim ka ai që punon prej mundit të vet?

10 E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer. 11 Gjithçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e gjërave të krijuara, megjithatë njeriu s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ekziston një ndjenjë e mençurisë shekullore në këto fjalë të famshme, si një plak apo grua – ose me të vërtetë si vetë Zoti – i cili i ka parë të gjitha këto, i ka parë stinët dhe vitet dhe brezat që vijnë e shkojnë. A po të tingëllojnë këto fjalë si të vërteta? Nga përvoja jote, a mund ta kujtosh ndonjë periudhë në jetën tënde kur po përpiqeshe të bëje diçka, dhe gjithë ajo ishte e gabuar sepse thjesht nuk ishte koha e duhur? – apo kur diçka papritmas u bashkua, vetëm sepse kishte ardhur koha e duhur?
  • “Ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e gjërave të krijuara”. Zoti e ka vendosur një ndjenjë të së kaluarës dhe të ardhmes në mendjet e njerëzve, na tregon Shkrimi i Shenjtë. Cili është kuptimi yt për të kaluarën tënde dhe të ardhmen tënde? – nga ke ardhur? – kah je duke shkuar tani?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, vë re se si e dëgjon atë? – a të tingëllon si fatalizëm? (nuk ka asgjë që mund të bësh, stinët shkojnë e vijnë me dëshirën e tyre)? – apo si një mesazh shprese? (ji i/e durueshëm, koha jote do të vijë).

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin për këto fjalë për të cilat reflektove.

Pyete Zotin, ndoshta, për çfarë është pjekur koha tani? Për cilat ëndrra apo dëshira ose aspirata të tua mund të jetë koha e duhur, tani?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Duke e medituar Fjalën Tënde, o Zot, e kuptoj që njerëzit zakonisht i janë referuar historisë, duke njohur se si kishe qenë Ti ai që ke vepruar në të kaluarën. Ma jep hirin që ta kuptoj se ti vepron edhe në të tashmen.

Faleminderit, o Zot, për historinë që kam, për rrëfimin tim të jetës. Gjatë kohës kur ta vështroj se ku ke vepruar o Zot në jetën time, ma jep sigurinë se Ti je duke vepruar edhe tani. Ma jep shpresën në mirësinë e vazhdueshme Tënde si dhe forcën që kam nevojë për ta zbatuar fjalën tënde. Ati ynë..

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«