Letra e Imzot Dodë Gjergjit për pjesëmarrjen e besimtarëve në kremtime liturgjike gjatë pandemisë COVID-19

Sep 26 • Kisha në Kosovë

Prot. Nr. 235 /2020                                                                                    Prishtina, 26/ 09 /2020

 

Udhëzime e reja për pjesëmarrjen e besimtarëve në meshë dhe në jetën pastorale

në kohën e COVID-19

 

Fort të dashur në Krishtin,

                                              që nga fillimi, kur vendi ynë u prek me pandeminë Covid-19, gjithnjë i kemi përditësuar udhëzimet tona për ta përshtatur jetën tonë baritore dhe kujdesin për shpirtra në Dioqezën tonë, sipas gjendjes që është krijuar. Të shtyrë nga dashuria dhe kujdesi për shëndetin e besimtarëve, në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe vendimet e institucioneve civile, kemi marrë vendime të dhimbshme lidhur me jetën tuaj shpirtërore dhe veprimtarinë baritore të kishës.

Pasi kemi shqyrtuar gjitha rrethanat dhe duke qenë që autoritetet civile kanë marrë vendim për të lehtësuar masat, kam vendosuar që nga e diela e XXVI gjatë vitit (A), meshët dhe kremtimet tjera liturgjike të bëhen me pjesëmarrje të besimtarëve, gjithnjë duke respektuar masat e vendosura sipas institucioneve të vendit.

Përkitazi me këto zhvillime të reja, rikthehen udhëzimet e dt. 27 maj 2020, përkatësisht si në vijim:

  1. Mesha e Shenjtë le të kremtohet me pjesëmarrjen e besimtarëve duke i mbajtur këto udhëzimet:
    • Ato të IKSHPK-së, që janë respektimi i distancës fizike, mbajtja e maskës dhe dezinfektimi i rregullt i kishave.
    • Piketimi me shenja i bankave ku do të ulen besimtarët.
    • Në fillim të çdo meshe, meshtari le të hyjë në mënyrë kremtore duke bërë bekimin e besimtarëve me ujë të bekuar.
    • Shtrirjen e dorës në momentin e shkëmbimit të paqes do ta evitojmë, por këtë dhuratë shpirtërore do ta përcjellim me gjeste përkatëse duke “vu dorën në zemër” ose me një përkulje të thjeshtë.
    • Kungimi i shenjtë le të ndahet vetëm në dorë.
    • Në ato Kisha, ku, për shkak të hapësirës, nuk mund të mbahet distanca e kërkuar, mesha le të celebrohet jashtë në një ambient të përshtatshëm. Gjithashtu, për të mundësuar të gjithë besimtarëve pjesëmarrjen në meshën e të dielës, mund të kremtohen tri meshë të dielën dhe një në vigjiljen e të dielës.
  1. Kremtimi i sakramentevedhe sakramentorëve, mund të kremtohen me pjesëmarrje të besimtarëve, gjithnjë duke i respektuar udhëzimet e IKSHPK-së.
  2. Kremtimin e sakramentit të Kungimit të parë dhe krezmimin propozoj që të shtyhen për vitin e ardhshëm.
  3. Ato famulli që nuk duan apo nuk munden ta shtyjnë krezmimin për vitin tjetër, le të caktojnë një datë gjatë muajit tetor, që mund të jetë edhe një ditë gjatë javës. Për këtë famullitari duhet të garantojë që gjatë kremtimit të krezmimit do të krijohen kushte sipas masave që kanë marrë IKSHPK-së.
  4. Përdorimin i të mirave të përkohshme: mbesin në fuqi ato udhëzime të marra nga letra e dt. 15/05/2020, nr. 4, deri për Krishtlindje.
  5. Organizime të formave të agapé pas meshe ose edhe ndonjë takim tjetër, le të evitohen.

 

Këto udhëzime vlejnë deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Duke Ju falënderuar për duresën tuaj dhe për bashkëpunimin vëllazëror gjatë kësaj kohe të vështirë për të gjithë, ju besoj të gjithëve ndërmjetësisë së Virgjërës Mari.

 

 Ipeshkvi Juaj

Shpërndaje

Comments are closed.

«