Përfitimet shpirtërore të artit të shenjtë në shtëpi

Sep 27 • Këndvështrime, Opinion

Figurat e shenjta dhe të bukura në shtëpi mund të na lartësojnë zemrat dhe të na frymëzojnë të jemi të krishterë më të mirë.

 

Nga Filip Kosloski

 

Kur e dekorojmë shtëpinë, jo gjithmonë na bie ndër mend që të varim art të shenjtë në ndonjë prej mureve. Thjesht kurrë nuk na kalon nëpër mendje, përveç ndoshta ta vendosim një kryq të vetëm në gjithë shtëpinë.

Kjo është për të ardhur keq, pasi ka përfitime të shumta shpirtërore nga ekspozimi i artit të shenjtë në secilën nga dhomat tona.

Katekizmi i Kishës Katolike e konfirmon rolin parësor të artit të shenjtë në jetën tonë të lutjes.

Arti i shenjtë është i vërtetë dhe i bukur kur, në formën e vet, i përgjigjet thirrjes që është e vetja: të rikujtojë dhe t’i thurë lavde, në fé dhe në adhurim, Misterit transcendent të Hyjit, Bukuri e shkëlqyeshme të Vërtete dhe Dashurie, që u duk në Krishtin «bredhja e lavdisë dhe vula e qenies së Hyit (Heb 1,3), ku «banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore» (Kol 2,9), bukuri shpirtërore e reflektuar në të Shenjtënueshmen Virgjërën Mari, Nënën e Hyjit, në Engjëjt dhe në Shenjtërit. Arti i shenjtë autentik e çon njeriun tek adhurimi, te lutja, te dashuria e Hyjit Krijues e Shpëtimtar, Shenjt dhe Shenjtërues. (KKK, nr. 2502)

Pasja e artit të shenjtë në shtëpi e shndërron atë në “kishë shtëpiake”, ku ne vazhdimisht mund ta lavdërojmë Zotin për bekimet që na ka dhënë.

Atë Francis Xavier Lasance i jep jehonë këtyre ndjenjave në librin e tij “Lutjet e mia”.

Një dhomë me figure të mira katolike dhe një pa figure të tilla dallojnë aq shumë sa edhe dhoma me apo pa dritare. [Figurat e shenjta] janë ngushëlluesit e vetmisë dhe lehtësimi i mendjes së trazuar. Ato janë dritaret e zemrës së burgosur, librave, historive, predikimeve të cilat mund t’i lexojmë pa mundimin e shfletimit të faqeve ose lodhjes së syve. Ato e plotësojnë dëshirën e shumë kënaqësive tjera për ata, jeta e së cilëve kalon kryesisht mes tymit dhe shamatës, nxitimit dhe zhurmës së qytetit të madh. Figurat e Zotit tonë dhe shenjtërve të Tij na frymëzojnë, na japin guxim dhe na shtyjnë ta mbajmë kryqin tonë me ngulmin e krishterë.

Nëse mundeni, zbukuroni shtëpinë tuaj me figura të mira e të shenjta të Jezusit, Biblës dhe shenjtërve. Sidomos pasi kalojmë më shumë kohë në shtëpitë tona, le të bëhen ato kisha të vogla ku gjithmonë e kujtojmë Zotin dhe mirësinë e tij ndaj nesh./drita.info

 

Burimi: www.aleteia.org

Përktheu: Gj.T.

Shpërndaje

Comments are closed.

«