Promovohet vëllimi i dytë i trilogjisë “I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i Kishës Martire”

Sep 28 • Kulturë, Recension

Në njërën nga sallat e Arqipeshkvisë Metropolite Tiranë Durrës, u promovua vëllimi i dytë i trilogjisë “I lumi Dom Shtjefën Kurti dëshmitar i Kishës Martire”, me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka, Ing. Nikolin Kurti. Në këtë promovim merrnin pjesë personalitete të jetës shoqërore, fetare dhe akademike. Promovimin e hapi nipi i Dom Shtjefnit, Nikolin Kurti, pas të cilit përshëndetën Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë Imzot Charles Brown dhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit Imzot George Frendo. Një parashtresë e shkurtër historike u bë nga Nikollë Loka, ndërsa diskutimin kryesor e mbajti Av. Alfred Duka. Pati dhe diskutime nga të pranishmit.

 

Nga Nikollë Loka

 

I Lumi Dom Shtjefën Kurti, misionar i lirisë së shqiptarëve

I Lumi Dom Shtjefën Kurti përfaqëson brezin shqiptar të idealeve të mëdha të ribashkimit kombëtar dhe të aspiratave për jetë të lirë. Ai ishte meshtar, mësues, veprimtar shoqëror, i flijuar me vetëdije për kombin e vet. I lumi Shtjefën kishte lindur në Prizren, kishte kaluar fëmijërinë në Ferizaj, pastaj rininë e parë në Shkodër dhe rininë e dytë në Insbruk dhe në Romë, për t’u kthyer fillimisht si krahu u djathtë i klerikut të shquar, Imzot Lazër Mjedës në Shkup, ku i ra fati të jetë rrëfyesi i parë i Nënë Terezës. Pastaj kaloi me shërbim në Ferizaj; ishte themeluesi i famullisë së Shën Rrokut në Novosellë; mësues i gjuhës shqipe në shkollën katolike shqipe në Ferizaj, apo dhe mësimdhënës i lëndës së besimit në shqip, në shkollën serbe të Novosellës ku, meqenëse i zhvillonte mësimet në gjuhën amtare, mori kërcënime nga serbët. Bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin e ngritën zërin në mbrojtje të bashkëkombësve të vet deri në Lidhjen e Kombeve, ku dhanë alarmin mbi çfarë po ngjiste në Jugosllavi. Ata i treguan botës se çështja shqiptare nuk ishte fetare, por kombëtare, pasi qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të ndryshuar balancat etnike. Dom Shtjefni në Shqipëri punoi famullitar në Kurbin, Skuraj, Gurzë, ku meremetoi kisha dhe ndërtoi kisha të reja. Pastaj u vendos në Tiranë, duke qenë dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës. Nga ai pozicion iu përkushtua fesë dhe komunitetit katolik, duke dhënë kontribute të rëndësishme në fushën fetare, arsimore dhe kulturore. Këtë veprimtari e vazhdoi dhe në vitet e pushtimit fashist.

Dom Shtjefni është njëri ndër ata klerikë që iu përmbajtën me rigorozitet misionit të tyre si klerikë dhe nuk u angazhuan në politikë. Nga pozicioni i tij si klerik ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve. Dom Shtjefën Kurti ishte përfaqësuesi tipik i aspiratave shqiptare për lidhje më Perëndimin dhe u ndëshkua se ishte i tillë, në kushtet kur qeveria komuniste kishte hyrë në aleancën e shteteve komuniste sllave. Ai, në zbatim të ligjeve të kohës, kur në letër formalisht   “lejohej liria e besimit dhe e organizimit shoqëror”, punon për ruajtjen e Kishës nga ndikimi i shtetit dhe është ndër nismëtarët për krijimin e një partie demokristiane. Ai kishte menduar se ishte në të mirë të vendit krijimi i një partie të tillë, në kuadrin e sistemit shumëpartiak, që ndonëse nuk u ndalua me ligj deri në vitin 1946, u konsiderua si tradhti e lartë ndaj Atdheut. Shtjefni mbajti lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh, pasi: 1. Nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale; 2. Luftoi për krijimin e një opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të shteteve perëndimore. Duhet theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj klerit katolik, I lumi Dom Shtjefën Kurti  refuzoi kategorikisht dhunën, duke i qëndruar besnik misionit kristian të sakrificës deri në vetëflijim. Besnik i bindjeve të veta, ai do të shkonte përsëri në një gjyq farsë, prej nga do të dënohej me vdekje.

Në lidhje me trajtimin juridik të dënimeve të Dom Shtjefën Kurtit ka diskutuar Av. Alfred Duka, i cili evidentoi shkeljet nga ana e gjykatës të ligjeve të kohës, duke kërkuar ta përziente klerikun me jetesë të kristaltë në çështje ordinere, në lidhje me disa vjedhje që kishin ndodhur në Gurzë. Dom Shtjefni u dënua me porosi nga lart dhe për dënimin e tij interesohej vetë Enver Hoxha, i cili kishte dërguar gjoja “me punë fizike” në Gurës njërin nga sekretarët e tij, Vahid Lamën, i cili e ndoqi procesin gjyqësor në çdo seancë. Shkelja e gjykatës së Krujës u përsërit dhe në Gjykatën e Lartë dhe Presidium ii Kuvendit Popullor firmosi dënimin me vdekje. Për më tepër, edhe sot pas rreth 50 vjetësh nuk ka të dhëna se ku gjenden eshtrat e këtij kleriku martir./drita.info  

Shpërndaje

Comments are closed.

«