Të bësh gjëra të zakonshme me dashuri të jashtëzakonshme

Sep 28 • Meditimi i ditës

28 shtator 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Job 1, 6-22; Ps 17, 1-3.6-7; Lk 9, 46-50)

 

Prania e Hyjit

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejt me ty, sepse tani po t`i dorëzoj të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e lidhur, që ndan.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të ndërthurur me marrëdhënie, raporte – me lidhje të shumta me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedhë nëpërmjet tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë prishur:

Ndoshta për shkak kësaj ndihem i/e mërzitur, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lutem për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 9, 46-50

46 Ndër ta lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 47 Jezusi, duke e ditur ç’mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes, 48 dhe u tha:

“Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.”

49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha:

“Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në kohën e Jezusit nuk ishin në qendër të vëmendjes fëmijët siç janë sot. Kush është i lënë pas dore, i papërfillur apo kush mbahet i mbrojtur nga të katër anët në vendin tënd? Si mund t`i pranosh ata më shumë?
  • Rregullimet njerëzore shpesh herë përjashtojnë dhe avancojnë. Jezusi flet për barazinë dhe përfshirjen e të gjithëve. Mendoj për momentet kur e kam gjykuar dhe përjashtuar dikë apo e kam ndier veten sipëror, dhe e lus Jezusin për përvujtëri.

 

Bashkëbisedimi

Duke i pranuar fëmijët dhe duke u kushtuar atyre kohën e vet Jezusi ka vepruar kundër mënyrës së të kuptuarit të kulturës dhe fesë së kohës së tij. Mësuesit e fesë, edhe pse i kanë dashur fëmijët, kurrë nuk kanë gjetur kohë për ta. Jezusi është një për të gjithë, kurse mënyra më e sigurt për ta treguar këtë është kushtimi i kohës së tij për fëmijët përkundër këshillës së nxënësve të tij. Çfarë qëndrimi kam unë ndaj fëmijëve?

Gjëja e vogël është e bukur. “Rruga e vogël” është mënyra e veprimit e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë – të bësh gjëra të zakonshme me dashuri të jashtëzakonshme. Të bësh një vepër të mirë, pa marrë para sysh sa është e vogël dhe e parëndësishme – në emër të Krishtit – do të thotë t`ia bësh atë atij dhe për të. A iu besoj mjaft fort këtyre fjalëve në mënyrë që t`i zbatoj ato në praktikë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty.

Jezusi gjithmonë ishte gjithëpërfshirës në shërbimin e tij, në marrëdhëniet e tij me të tjerët. Kushdo që është në anën e të mirës dhe dashurisë, të vërtetës dhe drejtësisë, është në anën e Hyjit.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«