Libri mbi Shën Jeronimin – rikthim në rrënjët tona shpirtërore dhe kulturore

Sep 29 • Kulturë, Recension

Nga Don Anton Uka

 

Libri “Shën Jeronimi ilir”, i cili po i dhurohet lexuesit, me rastin e 1600 – vjetorit të kalimit të tij në amshim, ngërthen në vete aspekte të shumta dhe të pasura historike, biblike, teologjike dhe shpirtërore. Jo rastësisht ai konsiderohet si një ndër figurat më të mëdha që historia iliro – shqiptare i ka dhuruar Kishës dhe botës mbarë.

Përkujtimi liturgjik, që e frymëzoi Autorin t’i qasej këtij studimi, në kontekstin teologjiko – sakramental ka një domethënie të thellë që, para se gjithash, synon kthimin në memorie (kujtesë) të një personi, fakti apo edhe ngjarjeje që historikisht ka ndodhur, pastaj ka për qëllim riaktualizimin apo riparaqitjen e asaj ngjarje dhe së fundmi bën thirrje për të qenë pjesëmarrës në atë ngjarje, duke e orientuar jetën në përputhshmëri me eventin kremtues.

Kjo domethënie tredimensionale e përkujtimit liturgjik mjeshtërisht përdoret nga Dr. Don Lush Gjergji si çelës interpretues, përmes të të cilit synon në mënyrë të sintetizuar dhe koncize të paraqes jetën, veprën, teologjinë, përshpirtërinë dhe porosinë e Shën Jeronimit. Kjo vepër, në tërësinë e tij, mëton të bëhet lajmëtare e veprave të mrekullueshme që Hyji, përmes jetës, besimit, punës, përkushtimit, lirisë dhe dashurisë ungjillore të Shën Jeronimit dalmat ka bërë për Kishën, për botën dhe sidomos për popullin tonë shqiptar.

Thënia e famshme e Shën Jeronimit: “Mosnjohja e Shkrimit shenjt është mosnjohje e Krishtit”, pasi që me plot të drejtë përdoret nga Autori si lajtmotiv i këtij libri, mund të konsiderohet si një sintezë e jashtëzakonshme e mendimit biblik, kristologjik dhe antropologjik të këtij njeriu të madh të kulturës dhe qytetërimit evropian.

Sinteza biblike kuptohet nga fakti se Shkrimi shenjt, sipas shkrimeve dhe dëshmisë së Shën Jeronimit, paraqitet si një ndërmjetësim i privilegjuar mes Hyjit që dhuron Fjalën dhe njeriut që e lexon, e dëgjon dhe e mediton Atë. Pra, Bibla paraqitet si vend i pazëvendësueshëm i takimit me Krishtin, jetën e njerëzve.

Paralelisht me dimensionin biblik është ai kristologjik, pikërisht për faktin se Jezusi prezantohet dhe pranohet si protagonisti kryesor i të gjitha ngjarjeve biblike. Nga libri i parë (i Zanafillës) e deri te i fundit (i Zbulesës), Krishti është Alfa dhe Omega. Të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet biblike, njëkohësisht, kanë një retrospektivë dhe perspektivë të qartë trinitare, me vulë të veçantë kristologjike.

Ndërsa, dimensioni antropologjik i thënies së lartpërmendur të Shën Jeronimit mbështetët në të vërtetën teologjike se të gjitha ngjarjet biblike, të cilat ndodhin apo edhe krijohen (imagjinohen) nga autorët e frymëzuar nga Hyji, bëhen pikërisht për arsye të zbulimit të dashurisë së pakushtëzuar të Hyjit për njeriun dhe shëlbimin e tij. Prandaj, mosnjohja eventuale e Biblës, dhe si pasojë edhe e Jezusit, me plotë të drejtë konsiderohet nga Shën Jeronimi mosnjohje edhe e vetvetes dhe e krejt asaj pasurie shpirtërore që realisht fshihet brenda njeriut. Kjo është njëra ndër arsyet përse Autori sjell shumë referenca, në të cilat shihet qartë ndihma e pakontestueshme e Biblës në formimin human dhe shpirtëror të karakterit të Shën Jeronimit.

Ajo çka bie në sy në këtë vepër është krahasimi i përvojës shpirtërore të Shën Jeronimit me atë të Shën Nënë Terezës së Kalkutës. Këtë e bën Autori, jo vetëm se është thellë i mishëruar me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, por, për të dëshmuar se burimi i përshpirtërisë dhe i shenjtërisë së krishterë është gjithmonë Bibla – Fjala e shkruar dhe e mishëruar e Hyjit.

Në një lexim të kujdesshëm të kësaj vepre, shihet qartë se Autori po ashtu zotëron një stil të mprehtë pedagogjik dhe psikologjik, përmes të të cilit dëshiron të përçojë mesazhin e tij tek lexuesi. Këtë e pohoj nga fakti se Dr. Don Lush Gjergji, në kapitujt e kësaj vepre, nuk përqendrohet vetëm në paraqitjen dhe interpretimin e atyre teksteve dhe studimeve të ndryshme që gjatë periudhave të ndryshme historike janë bërë mbi Shën Jeronimin, që në vlerësimin e tij konsiderohen adekuate për të përshkruar jetën, veprën dhe porosinë e këtij kolosi të madh të Kishës dhe të qytetërimit perëndimor, por, si njohës i mirë i realitetit tonë kulturor, shpirtëror dhe politik, ku figurat e mëdha dhe të pazëvendësueshme të historisë tonë dymijëvjeçare gjithnjë e më tepër po kërkohen të përvetësohen nga të huajtë, e nganjëherë edhe të degradohen pikërisht nga të vetët (tanët), Autori sikur dëshiron t’i thotë lexuesit: Kujtohu, të mos harrosh!

Dukuria e harresës, e refuzimit të së vërtetës, e korrupsionit shpirtëror, e mosfalënderimit dhe tendenca e shtrembërimit të fakteve dhe ngjarjeve historike, në mënyrë implicite, cilësohet nga Autori si njëra ndër plagët kryesore që drejtpërdrejtë po e pengon ecjen, rikthimin, zhvillimin dhe integrimin tonë të mirëfilltë në familjen e madhe të vendeve të lira dhe të emancipuara evropiane, për të cilën Shën Jeronimi dha një kontribut të pazëvendësueshëm, meqë porosia biblike ishte, është dhe do të mbetet pjesë përbërëse e lirisë dhe e demokracisë së saj./drita.info                                                                                                                                                 

Shpërndaje

Comments are closed.

«