Zoti e di kush jemi

Sep 29 • Meditimi i ditës

29 shtator 2020 – E martë, Mikeli, Gabrieli, Rafaeli, Kryeengjëj, MOMENTI I SHENJTË

(Leximet e ditës: Dan 7, 9-10.13-14 (ose: Zb 12, 7-12a); Ps 138, 1-5; Gjn 1, 47-51)

 

Prania e Hyjit

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.

Në kohën si kjo tani bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde

si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale
dhe lutem për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Një qasje pak më ndryshe, një format tjetër sot: do ta kalojmë tërë kohën e lutjes duke hyrë në këtë skenë, ose duke u përpjekur të hyjmë në të dhe duke përdorur imagjinatën për të lënë skenën të shpaloset. Natanaeli e takon ballë për ballë Jezusin në këtë skenë dhe bashkëbisedon me të. Ideja është që ta marrësh vendin e Natanaelit dhe ta bësh të njëjtën gjë, ta imagjinosh veten si Natanaeli në këtë fragment nga ungjilli i Gjonit, dhe në një frymë lutjeje, për të parë se ku të çon, çfarë ndodh, cilat fjalë shkëmbehen. Kjo do të thotë të shpenzosh pak kohë gjatë përgatitjes, ta pikturosh skenën në mendjen tënde dhe ta dëgjosh përsëri dhe përsëri fragmentin.

 

Gjn 1, 47-51

 

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Pra, për fillim, imagjinoje se ku ndodhet ky takim. Ungjilli nuk na tregon vendin e saktë ku Natanaeli eci drejt Jezusit dhe u thanë këto fjalë. Pra, imagjinoje vetë. A është në shtëpinë apo qytetin tënd të lindjes? Në rrugën kryesore, në një rrugë me shumë njerëz apo në një vend të qetë, të vetmuar? A është brenda apo jashtë? Zgjidhe një vend dhe imagjinoje atë, me Jezusin atje, duke të të pritur. Çfarë mund të shikosh? Çfarë mund të dëgjosh? Çfarë ere i vjen vendit? Imagjinoje ndjesinë e tokës nën këmbët e tua ndërsa ecni drejt Jezusit.
  • Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të: “Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

Ndërsa ecë drejt Jezusit, çfarë dëgjon të thotë ai për ty?

  • Natanaeli e pyeti: “Nga më njeh?” Jezusi u përgjigj: “Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

Pyete Jezusin se si të njohu. Çfarë thotë ai?

  • Natanaeli u përgjigj, “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je Mbreti i Izraelit!”

Çfarë i thua Jezusit këtu?

  • “Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

Këto janë premtimet që ai i bën Natanielit. Por çfarë premtimesh të bën ai tani ty?

  • Më në fund, si u përgjigjesh ti këtyre fjalëve të Zotit?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Zoti e di kush jemi – ai i di nxitjet e zemrave tona edhe në kohë të qeta dhe vende të fshehta (‘nën fik’).

Jezusi nuk ishte duke folur për engjëjt si dekorime të ëmbla, vezulluese apo të bukura, por për të dërguarit e Hyjit. Koha e lutjes për mua është një kohë kur unë pres, njoh, pranoj, shijoj dhe i ruaj porositë e Zotit që më jepen në mënyra të ndryshme. Kjo kohë qetësie më ndihmon të pres me mirëbesim.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »